E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia, Bajern i frikshëm ndaj Realit

Historia flet për Bajernin e Mynihut. Klubi gjerman ka arritur të ketë një bilanc pozitiv përkundrejt gjigantëve spanjollë të Realit të Madridit. Si dy klube elitare të futbollit europian, ato janë përballur jo pak herë me njëri-tjetrin në Ligën e Kampioneve, madje në raunde të rëndësishme të këtij kompeticioni. Në bilancin e përgjithshëm, bavarezët kanë fituar 10 prej 18 përballjeve të zhvilluara, dy të tjera kanë përfunduar në barazim dhe gjashtë suksese për madrilenët. Ndërkohë, kjo është hera e pestë që këto skuadra përballen me njëra-tjetrën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Në tri prej katër rasteve të shkuara, Bajerni i Mynihut ka eliminuar Realin dhe ka shkuar në finale. Rasti i vetëm kur “galaktikët” shkuan në ndeshjen e fundit të turneut, ka qenë në vitin 2000, kur fituan ndeshjen e parë 2-0 në shtëpi dhe humbën 2-1 në transfertë ndaj bavarezëve. Një tjetër fakt tepër i rëndësishëm, i cili u jep akoma më shumë zemër djemve të trajnerit Jup Hejnkes përpara sfidës së ditës së martë, është se Reali nuk ka arritur të fitojë asnjëherë në Mynih, gjatë një përballjeje të Champions-it kundër Bajernit.

Hejnkes: Ne, “macja e zezë” e Realit
Liga e Kampioneve na ka njohur me duelin më të magjishëm të Europës, mes rekordmenëve të Gjermanisë dhe atyre të Spanjës. Në gjysmëfinale të Champions-it, Bajerni i Mynihut do të presë për herë të pestë Realin e Madridit, ku shpresojnë t’i likuidojnë ata për herë të katërt. Duke qenë se Bajerni njihet si “macja e zezë” e Realit, trajneri i bavarezëve, Jup Hejnkes, ka theksuar akoma më shumë këtë fakt. “Realin e njoh shumë mirë. Mund të them se këtë vit ata janë bërë edhe më të rrezikshëm e më efektivë. Si trajner kam shumë kujtime të bukura me ta. Statistikat nuk luajnë ndonjë rol të veçantë, por megjithatë është e vërtetë që Bajerni njihet si ‘macja e zezë’ e Realit”, ka thënë Hejnkes.

Roben: Reali më shiti, dua ta ndëshkoj
Arjen Roben, pritet të jetë protagonisti kryesor i Bajernit në duelin kundër Realit të Madridit. 28-vjeçari nuk paraqet respekt dhe nostalgji për kohët që kaloi tek madrilenët. Ai nxjerr në pah motivimin për fanellën e Bajernit, si dhe kërkon t’i ndëshkojë ata. “Për mua nuk ka për të qenë ndonjë sfidë e veçantë, edhe pse do kemi përballë Realin, ish-ekipin tim. Dua të jem pjesë e finales me Bajernin dhe të ndëshkoj sa më parë madrilenët. Ata më shitën në vitin 2009, duke vendosur kundër vullnetit tim”, u shpreh Arjen Roben.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›