Mavrajn dhe Berishën i dua kuqezi
Trajneri Xhani de Biazi i hap dyert mbrojtësit “tradhtar” dhe portierit të Kalmarit.
“Cana më pëlqeu shumë ndaj Juves, Bogdani në planet e mia”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, i ka hapur dyert mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj, i cili tashmë e ka pasaportën shqiptare. Italiani ka thënë gjithashtu se për miqësoren e majit me shumë gjasë do të grumbullojë edhe Etrit Berishën. I ftuar në konferencën për shtyp të Dukës dhe Abetes, trajneri ka komentuar edhe situatën aktuale të përfaqësueses, duke thënë se është vazhdimisht në kërkim të elementëve të rinj, por ka pranuar se ka disa vështirësi. Një nga pikat e dobëta dhe më shqetësuese të përfaqësueses, është mesfusha. “Unë mund t’ju them se gjatë gjithë kohës kam qenë në udhëtim së bashku me pjesëtarët e stafit tim. Kam parë deri tani pjesën dërrmuese të lojtarëve me të cilët punoi Kuzhe dhe po përpiqem të ndërtoj një ide të qartë në kokë për mundësitë që kemi. Kam parë gjithashtu nga afër disa lojtarë të rinj që janë rritur dhe luajnë jashtë. Për mua pak rëndësi ka nëse janë shqiptarë apo kosovarë. Unë dua që ata të kenë mundësi të pajisen me dokumentet e nevojshme dhe të jenë të disponueshëm për ekipin përfaqësues. Kam vëzhguar nga afër rreth dy muaj e gjysmë më parë edhe Mërgim Mavrajn. Po, ai djalë ka një potencial të madh dhe mendoj se Shqipërisë mund t’i bënte punë. Me sa di unë, ka ecur mjaft mirë te Grojter Furt dhe kryeson Bundesligën 2 me këtë skuadër. Mua më la një përshtypje të mirë fakti që ai dëshironte vërtet të luante me Shqipërinë”, ka thënë tekniku. Më pas, De Biazi ka konfirmuar se do thërrasë edhe dy lojtarë të tjerë kosovarë: Burim Kukelin dhe Etrit Berishën, si dhe ka vëzhguar nga afër edhe Canën e Bogdanin. “Kam parë edhe Burim Kukelin te Luzerna, si dhe Etrit Berishën. Këtë të fundit doja ta merrja që në miqësoren kundër Gjeorgjisë, por nuk mundëm, sepse nuk kishte pasaportë shqiptare. Kam parë Canën në ndeshjen kundër Juventusit dhe më pëlqeu. Sakaq ju konfirmoj se edhe Bogdani është pjesë e planeve të mia”, ka pohuar tekniku.
Etrit Berisha
Datëlindja: 10.03.1989;
Vendlindja: Prishtinë,
Kosovë;
Pozicioni: Portier;
Gjatësia: 194 cm;
Klubi: Kalmar, Suedi
Karriera – 2007-2008:
KF 2 Korriku; 2008-2012: Kalmar FF, Suedi
Burim Kukeli
Datëlindja: 16.01.1984;
Vendlindja: Gjakovë,
Kosovë;
Gjatësia: 180 cm;
Pozicioni: Mesfushor;
Klubi: Luzern, Zvicër
Karriera – 2007-2008: FC Shotz, Zvicër; 2008-2012: Luzern, Zvicër
Mërgim Mavraj
Datëlindja: 09.06.1987;
Vendlindja: Hanau, Gjermani;
Pozicioni: Mbrojtës;
Klubi: Grojther Furth,
Gjermani
Karriera – 2005-2007: SV Darmstadt; 2007-2010: VfL Bohum; 2011-2012: Grojther Furth