Duka-Abete, driblohet miqësorja me Italinë

Kreu i FSHSF-së Duka, me homologun italian, Xhiankarlo Abete
Ska ende marrëveshje për lojtarët shqiptarë.
Kreu i Federatës italiane: Jua premtoj, por s’jap datë.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhiankarlo Abete, ka bërë dje një vizitë në Tiranë ku është diskutuar lidhur me një marrëveshje që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë në Itali dhe mbi një miqësore të mundshme mes dy kombëtareve.
Fillimisht, Abeta ka pasur një takim me drejtuesit e lartë të FSHF-së, ku është pritur në hyrje të këtij institucioni nga presidenti Armand Duka, ndërsa më pas ka zhvilluar një takim kortezie edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Me presidentin Duka, Abete firmosi edhe disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve, por jo atë që i interesonte më së shumti futbollit shqiptar: lejimi që lojtarët shqiptarë të mos konsideroheshin më ekstrakomunitarë në Itali. Përveç Italisë, FSHF-ja ka nënshkruar tashmë një marrëveshje me Greqinë dhe Francën, që futbollistët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë në kampionatet e këtyre shteteve. Abete ka premtuar se do ta shohë me përparësi këtë propozim, por nuk ka pranuar që ta firmosë që ditën e djeshme. Së dyti është kërkuar zhvillimi i një ndeshjeje miqësore mes dy kombëtareve A të vendeve tona, kjo pasi këto dy skuadra nuk kanë luajtur asnjë ndeshje mes tyre gjatë gjithë historikut të futbollit dhe federatave respektive. Në këtë pikë, presidenti i federatës italiane premtoi se do të bënte të pamundurën që ta realizonte, por nuk dha një datë konkrete. Po ashtu janë firmosur marrëveshje bashkëpunimi në fushën e trajningut, sidomos në asistencën që specialistët italianë të kësaj fushe, të mirënjohur në Europë, do të japin për trajnerët shqiptarë. Abete, pas takimit që pati në Presidencë, me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka përuruar së bashku me Dukën një fushë të ndërtuar në formë dhurate nga FSHF-ja në Fshatin SOS për fëmijët jetimë. Në takimet e Abetes në Tiranë ka qenë i pranishëm edhe bashkatdhetari i tij, trajneri i kuqezinjve, De Biazi.
Dhuratat
Në vizitën e Abetes në Tiranë nuk kanë munguar edhe dhuratat simbolike prej të dy federatave të futbollit. Në prezencë të gazetarëve të shumtë, të cilët morën pjesë në konferencën për shtyp dhe nënshkrimin e marrëveshjes midis FSHF-së dhe FIGC, presidenti Duka i ka dhuruar homologut fanellën kuqezi me numrin 10, ndërsa ka marrë prej tij bluzën e kombëtares italiane, katër herë Kampione e Botës.
Basha, 20 milionë lekë për Begajn
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka takuar dje nënkampionen e Europës në peshëngritje, Romela Begajn, duke i dhënë edhe një shpërblim prej 20 milionë lekësh. “Sot kam një kënaqësi të jashtëzakonshme të qëndroj në krah të nënkampiones së Europës, por që është kampione për zemrat tona, Romela Begaj, e cila na zbardhi faqen me rezultatet e jashtëzakonshme që e rendisin sot atë statistikisht për 360 gramë numrin 2 në Europë. U vura në dijeni se qeveria ka akorduar një premio, por Bashkia do të bëjë punën e vet. Unë do t’i propozoj Këshillit Bashkiak dhe pres miratimin unanim, që sipas akteve ligjore në fuqi të akordojë çmimin maksimal të mundshëm prej 2 milionë lekësh të rinj për kampionen tonë, Romela Begaj”, ka thënë dje Basha. Kryebashkiaku ka ndërhyrë personalisht që palestra pranë stadiumit “Qemal Stafa”, ku stërvitet Begaj si dhe Erkand Qerimaj, të rikonstruktohet totalisht.