Historia e Elusidës 13 vjeçare, si lufton mes varfërisë dhe sëmundjes
Rrëshen/Elsuida është nxënëse në klasën e pestë në shkollën Pashko Vasa të Rrëshenit. Ajo jeton vetëm më nënë e saj në një banesë në zonën ish-industriale, ndërsa dita plotësohet me shokët dhe shoqet e klasës të cilët edhe se në një moshë të vogël kanë mundur të kuptojnë më së miri arsyet për botën e mbyllur dhe të heshtur që Elsuida prezanton gjatë gjithë kohës. Ajo vuan nga një sëmundje e rëndë, që e detyron nënën e saj ta shoqërojë orë e minutë. Madje edhe kur ajo, nëna Liza Hasani shkon në punë në orët e para të mëngjesit, në sektorin e pastrimit të qytetit, nuk ka zgjidhje tjetër ndaj është e detyruar ta nxjerrë Elsuidën nga banesa që në katër të mëngjesit dhe ta marrë me vete për ta pasur në kontroll çdo minutë, edhe pse është e ndërgjegjshme që vajza duhet të ishte në gjumë si të gjithë moshataret e saj. Por nuk ka rrugë tjetër, pasi familja që përbehet vetëm nga nënë e bijë, jeton vetëm me ato pak të ardhura. Kjo është arsyeja që Elsuida Lleshaj ndjehet ndryshe nga moshatarët e saj, por janë ata që nuk e konsiderojnë ndryshe. Janë shokët dhe shoqet e klasës që i gjenden pranë, por edhe mësueset Marie Doda dhe Manjola Nikolli. Mësuese Maria thotë se vajza është me probleme shëndetësore (epileptike) dhe jeton në një familje me shumë probleme ekonomiko-sociale. Këto kushte kanë lënë gjurmë në karakterin e saj, duke e bërë të druajtur, dhe të veçuar nga të tjerët. Herë pas here nxënësit dhe mësuesit psikologe përpiqen për tja ndryshuar këtë gjendje, por gjithsesi kërkohet më shumë vëmendje nga faktorë të tjerë jashtë shkollës, çka do ti ndryshonin gjendjen e saj shëndetësore dhe kushte më të mira për ndjekjen dhe mbajtjen nën kontroll të sëmundjes së saj, përfundon Doda. Këtë muaj vajza mbushi 13 vjeçe dhe shokët e klasës vendosën ti bënin një surprizë. Të gjithë shokët e klasës trokitën derë në derë, nëpër biznese, familje e institucione. Nxënësi Nikolli thotë se mblodhëm shumë lekë dhe blemë dhurata, aq shumë dhurata sa Elsa nuk i ka marrë asnjëherë. Nga një kompjuter i vogël i vendosur në klasë del muzikë pa pushim në ceremoninë e improvizuar të festës së 13 vjetorit të Elsuidës, ndërsa fëmijët që vallëzojnë duken të lumtur se kanë mundur të gëzojnë shoqen e tyre të klasës. Të nesërmen ajo sërish është e detyruar të zgjohet në katër të mëngjesit për të ndjekur nënën e saj, ndërsa do të shkojë edhe në shkollë, ashtu me frikën e sëmundjes dhe pasigurinë për ditën tjetër. Rituali vazhdon çdo ditë…
Aleksandër Ndoja