Si kthente borxhin prej 20 mijë lekësh, tenton të vrasë fqinjin
Shijak/Një ngjarje e pazakontë është shënuar paraditen e djeshme në Shijak ku një 37 vjeçar ka terrorizuar me armë jo vetëm familjen e fqinjit të tij, por edhe lagjja ku banonte është vënë në alarm. Blerim Gjepalaj i kishte dhënë përpara disa kohësh fqinjit të tij një borxh prej 20 mijë lekësh, (të vjetër) dhe disa herë ia kishte kërkuar por fqinji në mirëkuptim i kishte thënë se sapo ti bënte paratë do tja jepte. Ndërsa ditën e djeshme duket se 37 vjeçari ka shkuar në shtëpinë e fqinjit të tij duke e kërcënuar me armë që ose ti jepte shumën e parave borxh, ose përndryshe ai do ti merrte jetën. Në grindje e sipër Blerim Gjepalaj për pak sa nuk e ka vrarë fqinjin e tij, ndërsa në ndërtesë kanë mbërritur specialet e RENEA-s dhe gjatë aksionit për arrestimin e agresorit ky i fundit ka kundërshtuar duke gjuajtur me automatik forcat e policisë.
Ngjarja
Nga hetimet e kryera rezultoi se Gjepalaj pretendonte që djali i 52-vjeçarit që tentoi të vriste i kishte një shumë lekësh borxh dhe nuk ia kthente. Fillimisht u njoftua policia e Shijakut rreth orës 08:05, me një telefonatë të marrë në Sallën Operative, se në fshatin Gjepalaj, një shtetas po qëllonte me armë zjarri në drejtim të banesës së 52-vjeçarit B. Gjepalaj, i afërm i agresorit. Në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij komisariati, por edhe nga Durrësi, që lokalizuan në oborrin e shtëpisë të armatosur me automatik agresorin Blerim Gjepali. Pas kërkesës së bërë për mbështetje nga shërbimet e specializuara RENEA, shërbimet në vendngjarje arritën të vendosin negocim me Gjepalajn, i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti dhe fillimisht refuzoi të dorëzohej. Ai ka kërcënuar se nëse do afrohej njeri do qëllonte dhe se kushëriri i tij duhet ti kthente borxhin që i kishte.
Arrestimi
Pas më shumë se një ore negociatash, specialet vendosën të vepronin në operacion për neutralizimin e 37-vjeçarit të dyshuar. Për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar nga aksioni dhe të dyshuarit iu hoq mundësia për të rrezikuar jetët e efektivëve nga plumbat që lëshonte.
Në vendngjarje u bllokua arma e zjarrit automatik Kallashnikov, e pajisur me krehër dhe në gjendje të armatosur, me fishek në fole. Paraprakisht, nga verifikimet e para, mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive banale, mosdhënia e një shume parash borxh autorit, nga djali i të dëmtuarit, tha policia. Por gjithashtu u konfirmua se dy familjet kanë lidhje gjaku me njëra-tjetrën dhe janë të afërm. Hetimet po i ndjek prokuroria e Durrësit, kurse Gjepalaj u izolua në qeli për kanosje, tentativë vrasje, kundërshtim të policisë dhe armëmbajtje pa leje.