Julia Shabani: Si po arsimojmë fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja
Pa mure për jetën është projekti më i ri kundër fenomenit të gjakmarrjes, në qytetin e Durrësit, që do tu vijë në ndihmë fëmijëve të ngujuar që janë mbyllur brenda mureve për shkak të plagës së madhe të kanunit, që edhe sot ka lënë gjurmë të shëmtuara në jetën e qindra vogëlushëve shqiptarë. Ata fëmijë që jetojnë mes ankthit pa mundur të dalin përtej pragut të ndërtesës ku jetojnë, pa mundur të argëtohen e të mësojnë në bankat e shkollës me bashkëmoshatarët e tyre, sytë që kurrë nuk u thanë nga lotët tashmë do të kenë një shpresë. Vullneti i mirë dhe humanizmi i disa vajzave të reja, dhe nisma që ato kanë ndërrmarë, duke nisur projektin shumë premtues që do tu vijë në ndihmë familjeve të ngujuara dhe fëmijëve të tyre. Projekti insiston në ndihmën që do të japin mësuesit vullnetarë të qendrës, që do shkojnë në shtëpitë e fëmijëve të ngujuar, mjekëve që do të japin ndihmën e tyre për problemet shëndetësore të këtyre familjeve si edhe trajtimit special nga psikologët. Në një intervistë për gazetën Ideatorja e këtij projekti Julia Shabani, do të rrëfejë të gjitha detajet si u bë i mundur ky projekt dhe objektivat për të ardhmen.
Si lindi ideja për të organizuar këtë projekt?
Ideja lindi krejt spontanisht. Miq të mi që jetojnë në zonën e ish-Kënetës, zonë që tashmë është një komunitet më vete me rreth 40 mijë banorë, tregonin disa herë për jetën kaq të vështirë dhe kaq të pamundur atje. Të ardhurit janë kryesisht nga veriu, dhe kanë ardhur jo vetëm fizikisht por bashkë më to edhe kodet e tyre të nderit, dhe mënyrën e jetesës. Bashkë me to gjetën vend dhe kodet zakonore të gjakmarrjes. Gjë që kish filluar të prekte pa mëshirë edhe fëmijët, kjo ishte drama më e madhe për ne. Nisur nga bisedat e shumta dhe nga dëshira e madhe për të bërë diçka, lindi dhe ideja për të themeluar një organizatë, e cila të kishte në programin e saj dhe fokus kryesor ndihmën për ti integruar këta të rinj. Shumë herë themi mes nesh (bordi dhe grupi i vullnetarëve) që nuk do arrijmë të ndryshojmë botën, por ja kemi dalë të fitojmë vëmendjen e të rinjve të cilët aplikojnë dhe na kontaktojnë të punojnë njësoj si ne, VULLNETARË.
Si do ti ndihmoni fëmijët e ngujuar, a e kanë mirëpritur familjet e tyre projektin tuaj?
Projekti është i mirë menduar nga të gjithë ne(ka gjasa që kjo organizatë të etiketohet si lëvizja e femrës, sepse jemi vetëm femra). Integrimi dhe ndihmesa në socializimin e këtyre të rinjve dhe fëmijëve është hapi i parë. Mësuesi në distancë do të japë ndihmesën e tij jo vetëm për të rinjtë që vuajnë izolimin e gjakmarrjes, por edhe për ato të reja që nga fanatizmi i tepruar dhe sigurisht ana ekonomike, nuk janë lejuar të vazhdojnë shkollën e mesme duke e lënë përgjysmë edhe frekuentimin e shkollës fillore. Po ashtu edhe mjeku në distancë, do të jetë në dispozicion për këto familje që folëm më lart. Ne kemi shkuar dhe i kemi takuar këta banorë, dhe kemi parë me sytë tanë, vendin ku jetojnë dhe mjerimin i cili duket sikur ka ardhur nga mesjeta. Nisur nga kjo, mendoj se projekti për nga rëndësia duhet të shtrihet edhe mbi shëndetin parësor. Kushtet e jetës janë për të ardhur keq, ka mungesë totale të higjienës, kushtet minimale mungojnë. Një qendër ku fëmijët jashtë gjakmarrjes të vijnë dhe të mësojnë, pikturojnë ashtu me duar nëse duan, kompjuterin apo dhe dëfrimin për të ti bërë këta fëmijë të qeshin përsëri. Mësuesi në distancë do të punojë me të gjitha nivelet, sepse kemi nga ata fëmijë që nuk e frekuentojnë absolutisht fare shkollën, dhe nuk dinë të lexojnë. Kemi bërë një grafik sepse zona është mjaft e madhe, dhe për ti çuar mësuesit duhen mjete dhe orë të alternuara mes tyre. Baballarë që ndoshta na shikojnë me urrejtje, por që nga mikpritja e zakoni nuk na thonë dot JO. Për të gjitha këto unë shpresoj shumë që t’ja dalim. Më vjen ndërmend ajo shprehja: nëse nuk ma zgjidh dot hallin, të paktën ma qaj atë! Me punonjëset sociale dhe psikologen (edhe këto po punojnë vullnetarisht), kemi parë elemente të dhunës, gjë që është vërejtur në pjesën dërrmuese të banorëve, kryesisht gratë dhe vajzat e reja.
Sa nevojë për ndihmë kanë këta banorë, a keni hapur një zyrë për të gjithë të interesuarit?
Në bashkëpunim në Bashkinë Durrës, kemi në dispozicion zyrën e tyre, Stop Dhunës se Grave, e cila është një zyrë që në bashkëpunim me policinë e shtetit bën të mundur lidhjen në raste denoncimi nga viktima me organet përkatëse, dhe agresorin mbi denoncimin e bërë. Ndërtimi i qendrës tonë, pikërisht atje në zonë, do na mundësonte edhe një linjë telefonike në rast sulmi dhe dhune, gjë që do ti lehtësonte ndihmën viktimës më shpejt. Të gjitha këto, projekti, dëshira, humanizmi përputhen mirë bashkë, si projekti si terreni. Prandaj vjen bukur dhe emri i organizatës tonë, “Pa Mure Për Jetën”
Sa persona keni angazhuar në realizimin e këtij projekti?
Bordi ka 5 anëtarë. Unë në rolin e drejtoreshës, juriste, punonjëse sociale, arsimtares dhe një financiere. Një psikologe, dhe një koordinator i cili është banor i ish kënetës, arsimtarë dhe anëtarë të tjerë të cilët shprehin vetë dëshirën për të punuar gjatë kësaj kohe në mënyrë vullnetare.
Keni pasur ndihmë apo orientime nga institucionet shtetërore?
Për të qenë të sinqertë nuk e kemi prezantuar në institucione shtetërore qendrore. Përjashto Bashkinë Durrës, e cila na ka dhënë suportin e saj maksimal. Duke na dhënë në përdorim ambientet e saj në rast takimesh, zyrën e Politikave të Zhvillimit dhe Koordinimit, zyrën e Mirëqenies Sociale, zyrë “Ndal Dhunës”, e të tjera mundësi që na i ofrojnë. Shpresoj që në të ardhmen kur organizata të filloj në zbatimin e projektit me Bashkinë të kemi edhe bashkëpunime të tjera.
Kur do të nis aplikimi i këtij projekti?
Në jemi duke u marrë çdo ditë më këtë. Paralel me shumë angazhime të tjera. Nisur nga fenomeni i gjakmarrjes, gjë që fillimisht lind nga tendenca jonë për tu hakmarrë, kemi startuar një nismë shumë të bukur, një diskutim të hapur nëpër shkolla në grup mosha të ndryshme klasave të 5, të 9 dhe 12. Flasim dhe diskutojmë si të shmangim tendencat konfliktuale, cilat janë pasojat për një shoqëri që dëshiron të emancipohet dhe të jetë në shanse të barabarta më banorët e vendeve në BE. I flasim për Kanunin, pse nuk duhet njerëzit të përdorin dhe ti referohen atij libri që na çon pas plot 600 vjet, gjë që duhet lënë në duart e antropologëve apo entosociologjisë si pjesë e trashëgimisë sonë dhe folklorit shqiptar. Në fund të studimit sigurisht do nxjerrim një grup target, një rezume mbi konfliktet në shkollat tona dhe sjelljet devijante nga të rinjtë. Jemi në përfundim të këtij mini projekti. Jemi të ndarë në grupe vullnetarësh të cilët shoqërohen nga një punonjës social apo dhe psikolog. Më miratimin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Durrës, në kemi akses në të gjitha shkollat e qytetit. Jemi në përfundim të tij. Sa për projektin tonë për gjakmarrjen dhe ndihmesat integruese të zonave rurale. Jemi pothuajse gati për të aplikuar tek KE. Projekti që ata kanë mbi zonat rurale dhe të rinjtë gjen vend kryekëput në kërkesat tona.
Cilat janë objektivat kryesore?
Integrimi, një ndihmesë sa e nevojshme për këtë komunitet, sidomos për të ngujuarit, gjë e cila është primare për ne. Ndihmesa në rehabilitimin dhe suportin moral. Socializimi i tyre, sepse vuajnë dhe pritshmëria ndaj vetes në të tilla kushte është jo vetëm deprimuese por edhe steritipizuese ndaj vetës. Sidomos vajzat e reja. Mbushja e një pjesë të ditës me programe të ndryshme në varësi të moshës që fëmijët kanë. Kemi folur dhe na kanë mbështetur në rast se do na duhet, një biznes animatorësh, ku mund ti bësh këta fëmijë të qeshim duke ju çuar në shtëpitë e tyre klounë e festa