E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Xhon Demnjanjuk, “Hakmarrja ime ndaj nazistëve”

Autori i Lajmit: Nga Tom Teicholz
Mynih - Xhon Demjanjuk, 89 vjeç, ndodhet në një burg të Mynihut përpara 27.900 akuzave të veçanta si pjesëmarrës në vrasje dhe krime lufte. Organi i akuzës deklaron se ai i ka kryer këto krime më shumë se 65 vjet më parë si roje në kampin e vdekjes Sobibor në Poloni në vitet 1943 dhe 1944. Kohët e fundit, gjykatat gjermane vendosën se ai gëzonte shëndet të plotë për të përballuar gjyqin, i cili filloi të hënën. Në fakt ky është gjyqi i fundit në serinë 30-vjeçare të gjyqeve kundër Demjanjuk, të ndjekura në SHBA, Izrael dhe Gjermani, që prej periudhës që ai u shpall bashkëpunëtor i nazistëve në vitin 1975 kur ai jetonte në një zonë periferike të Klivlendit dhe ishte një punëtor i fabrikës së makinave “Ford”, i martuar dhe me tre fëmijë. E kam ndjekur rastin e Demjanjukut që prej vitit 1986. Kam marrë pjesë në gjyqin e tij në Izrael dhe shkrova një libër rreth tij: “Gjyqi i Ivanit të Tmerrshëm. Rasti i Xhon Demjanjuk”, për të cilin unë kam intervistuar avokatë të prokurorisë, gjykatës, zyrtarë të qeverisë, historianë, të mbijetuar të Holokaustit, gjithashtu dhe avokatët mbrojtës të Demjanjukut, mbështetës dhe anëtarë të familjes së tij. Demjanjukun e kam vëzhguar dhe e kam studiuar përmes deponimeve të shumta dhe dëshmive të tij gjatë viteve, një koleksion pranimesh, gjysmë të vërtetash, gënjeshtrash, spekulimesh dhe mohimesh, kaq mospërputhëse saqë ai mbetet një kod i pazgjidhur. Si rrjedhojë, kam kaluar shumë vite duke u menduar për rolin e Demjanjukut si një hallkë kyçe në zinxhirët e vdekjes naziste dhe gjithashtu jetën e tij në SHBA. Gjyqi në Mynih i Demjanjukut mund të jetë dënimi i fundit i një krimineli të luftës naziste, dhe gjyqi i fundit nazist. Dhe nëse është kështu, ai është i pandehuri i përshtatshëm. Zgjidhja përfundimtare mund të jetë krijuar nga liderët nazistë dhe burokratët në konferencën e Vanzes; Getot, kampet e përqendrimit, puna dhe kampet e shfarosjes mund të jenë planifikuar, hartuar dhe pajisur nga “vrasësit vizualë” dhe me një staf prej oficerësh gjermanë. E megjithatë pa Vahmanerin, roje si Demjanjuk, grumbullimet, torturat dhe vrasjet e miliona hebrenjve, burra gra dhe fëmijë, nuk do të mund të realizoheshin. Historia e Demjanjukut si një roje me eksperiencë dhe eficencë i kampeve të vdekjes, arratisja e suksesshme kur lufta përfundoi dhe përfshirja e tij në jetën e pasluftës amerikane, ekspozimi i tij i mëvonshëm si një pjesëmarrës i vullnetshëm në Zgjidhjen Përfundimtare, betejat ligjore të tejzgjatura dhe të komplikuara; këto janë elementët klasikë në historinë e nazizmit të cilat, edhe pse të përsëritura shumë herë më parë, asnjëherë nuk pushojnë së na tmerruari. Demjanjuku, i cili lindi në Ukrainë, shërbeu në Ushtrinë e Kuqe dhe u kap nga gjermanët në vitin 1941. Më pas, ai do të deklaronte se e kaloi pjesën e fundit të luftës si një rob lufte i gjermanëve, por zyrtarët gjermanë, dokumentet dhe dëshmitarët tregojnë një histori krejt të kundërt. Karta gjermane e identitetit, “Karta Travniki”, brenda së cilës ndodhet informacioni identifikues dhe një foto e Demjanjukt me uniformën naziste, e rreshton atë si një nga personat e përgatitur për të qenë një Vahman në kampin Travniki në Poloninë e pushtuar nga nazistët. Ajo është publikuar në kampin e punës Okzov dhe kampin e shfarosjes Sobibor. Një roje tjetër, Injat Danilçenko, e përshkroi atë gjatë dëshmisë së tij përballë prokurorëve të krimeve të luftës sovjetike si një pjesëmarrës aktiv në vrasjet masive. Pas luftës, Demjanjuku arriti të futej në kampet azilante për personat e larguar në Gjermani. Nga atje, ai mbushi formularët e aplikimit, të cilat më pas e sollën në SHBA, dhe në 1958 ai mori shtetësinë amerikane. Në formularë, ai shkroi që gjoja ishte polak dhe se gjatë viteve të luftës, ai kishte qenë shofer dhe fermer në një qytet të Polonisë të quajtur Sobibor. Sidoqoftë, në mesin e viteve 70 kur Demjanjuku po hetohej për aktivitetet e tij kriminale në kohën e luftës, 10 të mbijetuar të Holokaustit, së bashku me një ish-oficer gjerman të kampit, e identifikuan jo si një punonjës në Sobibor, por si Ivanin, i cili punoi në dhomat e gazit në kampin e shfarosjes Treblinka, si roja sadiste të cilit të burgosurit i vunë emrin “Ivani i Tmerrshëm”. Akuzat ndaj Ivanit të Tmerrshëm morën pikënisje nga karta e Travnikit, e cila konfirmoi shërbimin e tij si nazist. Në 1981, Demjanjukut i hiqet shtetësia amerikane. Në 1983 iu komunikua largimi dhe Izraeli, i cili nuk kishte kryer gjyqe të luftës naziste që prej gjyqit të Ajhmanit në 1961, kërkoi ekstradimin e tij. Ideja që Ivani i Tmerrshëm nuk do të dënohej ishte e paimagjinueshme. Në gjyqin e Izraelit, 5 të mbijetuar të Holokaustit dhanë dëshmi të detajuara të eksperiencave të tyre dhe identifikuan Demjanukun nga fotografia e tij e vizës më 1951 dhe fotoja e Travnikut. Një grup dëshmitarësh historianë dhe ekspertë, konfirmuan origjinalitetin e kartës së Travnikit. Demjanjuku dëshmoi në mbrojtje të vetes, por alibia e tij nuk u konsiderua e besueshme. Ivani i Tmerrshëm u dënua me vdekje. Sidoqoftë, gjatë apelit, dëshmi të reja zbuluan arkivat e krimeve të luftës të Bashkimit Sovjetik, që një roje tjetër, Ivan Marshenko, punonte në dhomat e gazit në Treblinka. Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi që pavarësisht se provat e gjyqit treguan që Demjanjuku ishte një roje i përgatitur i nazistëve që shërbeu në kampet e vdekjes dhe pavarësisht se identifikimi nga të mbijetuarit e Holokaustit ishte i besueshëm, provat e reja krijuan një dyshim që Demjanjuku mund të mos ishte Ivani i Tmerrshëm i Treblinkës. Dënimi u ndryshua. Duke pasur parasysh që Demjanjuku tashmë i kishte bërë tetë vite burg, Izraeli nuk arriti të provonte akuzat në Sobibor dhe e liroi. Në SHBA, gjykatat i ridhanë shtetësinë amerikane dhe vendosën që, nëse qeveria do të donte të ndiqte padinë e Sobiborit, atyre do tu duhej të fillonin një hetim të ri. Dhe në fakt kjo ndodhi me sukses, duke kulmuar në ekstradimin e Demjanjukut në Gjermani këtë verë. Gjyqet e ardhshme gjermane të Demjanjukut ngrenë pyetjen: A mundet gjyqi i një burri 89-vjeçar, i cili arriti të jetojë një pjesë të madhe të jetës së tij në SHBA me gruan, fëmijët dhe nipërit, të dhurojë sadisfaksion? Apo një përfundim? Apo do të na duhet të fantazojmë hakmarrjen, si skenat e gjalla të prezantuara në filmin e Kuentin Tarantinos, “Bastardët e turpshëm”? Fantazitë e mia personale për hakmarrjen ndaj nazistëve filluan në 1976, kur unë shoqërova të dy prindërit e mi, të dy të mbijetuar të Holokaustit,në Saint Moritz, Zvicër. Një pasdite, kur po pinim çaj në hotelin “Suvreta” me një nga miqtë e pasur të prindërve të mi, nisa të vështroja një burrë energjik të ulur pranë nesh. Një kamerier filloi ti shërbente gjithë delikatesë. Miku i prindërve të mi ngriu në vend dhe na pëshpëriti: “Ky është Menten”. I lindur në një familje të pasur holandeze, Piter Menten, ishte nazisti më i famshëm i Holandës. Si pjesëtar i trupave “SS” gjatë luftës, ai mori pjesë në grumbullimet masive dhe vrasjen e hebrenjve në Poloni, përpara se të mbushte disa trena me sende të vjedhura në Amsterdam. Më 1949, ai shërbeu për tetë muaj, duke marrë dënimin më të vogël për shërbimin e tij ndaj nazistëve. Në 1976, kur ai ishte në kulmin e shitblerjeve të truallit, gazetarët nisën një fushatë të re të veprimtarive të Menten në kohën e luftës. I paralajmëruar se mund të arrestohej, Menten u largua në Zvicër ku u zhvendos në hotelin “Suvreta”. "Ai shkon tek zonjat e vjetra hebreje dhe kërkon të luajë me to brixh. Imagjinojeni pak!”, - thotë mikja e nënës sime, e shokuar. Një valë zemërimi më kapi ndërsa e shihja atje, kaq të vetëkënaqur. Imagjinata ime filloi të mendonte ti hidhte helm në çaj, duke u shtirur si një kamerier. Megjithëse sipas ligjit zviceran periudha e dorëzimit të dosjes së tij kishte skaduar, Menten ishte përzënë nga shteti zviceran si një person i padëshiruar. Gjykata holandeze e dënoi atë për vrasje, por Gjykata e Lartë e këtij vendi e hodhi poshtë dënimin, bazuar në një zbulim që në vitin 1952 ai kishte marrë imunitet nga një ish-ministër i Drejtësisë në Holandë. Në 1980, ai u ridënua me 10 vjet, ndërsa në 1985, ai u lirua për sjellje të mirë. Vdiq m 1987, në moshën 88-vjeçare, në një shtëpi kujdesi për të moshuarit në Holandë. Shkaqet e vdekjes nuk u bënë publike. A mos vallë u mashtrova nga hakmarrja ime? Absolutisht jo. Megjithëse mund të mendohet se Menten asnjëherë se mori dënimin e merituar dhe Demjanjuku nuk do ta marrë dënimin e tij, nuk është e vërtetë. Nëse ata menduan se askush nuk do ta merrte vesh apo nuk do ti bëhej vonë, e kishin gabim. Historia e dënimeve të krimeve të luftës së nazistëve, nga Nurembergu deri në kohët e sotme, ka krijuar një histori të tërë të detajuar të krimeve. Nëse kriminelët jetuan një jetë të cilën nuk e meritonin ta jetonin, atyre gjithashtu u duhej të duronin vitet e zbulimit të krimeve të tyre, seancat gjyqësore, të ndjekur nga shtypi dhe të përçmuar nga fqinjët. Periudha e lumtur që kaluan me familjet e tyre, është e njollosur përgjithmonë nga krimi i zbuluar, shkrimi i emrave të tyre në analet e kohës, madje dhe në Google. Prindërit e mi, të cilët i mbijetuan Holokaustit, kurrë nuk harruan apo falën kriminelët, por ata zgjodhën që të ecin përpara me jetën e tyre. Fantazitë e mia personale të hakmarrjes janë shfaqur më mirë në filmin e Tarantinos, një shpirt i lirë jo vetëm me dëshirën e madhe për të rishkruar historinë, por edhe ortografinë angleze. Unë kam parë nazistë në jetën reale, dhe atyre nuk u uroj vdekjen, por drejtësinë, në të gjithë procesin e ngadaltë të zbulimit, duke krijuar një faqe historie mbi aktet e tyre të turpshme dhe të paturp. Kjo është hakmarrja ime.
(Newsweek)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›