Historia e gruas time te ndihmoj te tjere paciente me leucemi
Historia e trishtë e një gruaje që humbi jetën nga leucemia, pak kohë më parë, pritet të jetë “pishtari” në duart e pacientëve të tjerë që po luftojnë me këtë sëmundje. Nisur nga historia personale e kësaj pacienteje, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave të tjerë që mund të shpëtojnë nga kjo sëmundje, bashkëshorti i saj, Shpëtim Xhafa, ka nisur të lobojë dhe të mbrojë kërkesat e kësaj kategorie të sëmurësh. Ai ka dërguar zyrtarisht në Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe në drejtorinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, një letër ku jep të gjitha evidencat dhe informacionet e mbledhura në rrugëtimin e trajtimit të bashkëshortes së tij nga kjo sëmundje e vështirë. Sipas Shpëtim Xhafës, që aktualisht është edhe kreu i shoqatës për mbështetjen e pacientëve me leucemi, shkenca tashmë ka evoluar, bashkë me të edhe industria e farmaceutikës. Xhafa tregon se gruaja e tij nuk mundi të jetonte dot pavarësisht se po trajtoheshe nga kjo sëmundje. “Gruaja ime bënte pjesë te ajo kategori që shfaqin rezistencë ndaj antibiotikëve, tek ajo kategori që trajtimi nuk bën efekt. Por koha ka treguar se medikamentet që të shërojnë nga leucemia tashmë gjenden. Ato mund të përdoren nga pacientët që trajtimi aktual nuk rezulton efektiv”, thotë kreu i shoqatës për mbështetjen e pacientëve me leucemi. Duke iu drejtuar institucioneve shëndetësore, Xhafa tregon përvojën e tij në një letër të firmosur prej tij.
Letra“Së pari, doja të falënderoja për mundësinë që qeveria na ka dhënë për t’u trajtuar me mjekime bashkëkohore. Pacientët me lekuozë mieloide kronike prej disa vitesh marrin trajtim dhe prej rreth 1 viti njëri prej medikamenteve është i rimbursuar nga shteti. Pavarësisht se trajtimi ka ndryshuar rrënjësisht jetën e të sëmurëve me leucemi, përsëri sipas të dhënave që kemi nga organizatat simotra europiane rreth gjysma e të sëmurëve që marrin trajtimin nuk arrijnë rezultatin e dëshiruar që do të thotë që në një moment të caktuar përparojnë në faza të pakthyeshme të leucemisë. Një arsye më shumë që po e nis këtë letër është se bashkëshortja ime për fat të keq ishte pjesë e gjysmës së mësipërme dhe për pasojë humbi jetën disa muaj më parë. Nga të dhënat që kemi në BE, në Amerikë, po përdoret me shumë sukses një trajtim i ri disa herë më i fuqishëm se ky aktuali. Sipas të dhënave, një pjesë e mirë e pacientëve që kanë marrë këtë mjekim pas një periudhe 2-vjeçare është arritur ndërprerja e mjekimit dhe pacientët janë shëruar tërësisht, duke vazhduar të jenë mirë nga gjendja shëndetësore e pa leucemi. Ne si shoqatë mendojmë se për çmimin mund të negociojmë me distributorët, në emër të të gjithë pacientëve me leucemi do t’ju lutesha shumë që të bëni të mundur rimbursimin e këtij medikamenti sa më parë që të jetë e mundur...”, shkruan kreu i shoqatës në mbështetje të pacientëve leukemikë, Shpëtim Xhafa.
SëmundjaLeucemia është lëngatë që cenon (atakon) indin hemopoetik, celulat që prodhojnë elementët e gjakut në palcën e kockave, kryesisht atyre të mëdha si kofshë, kërci, baçini (legeni), dërrasa e kraharorit (sternumi). Indi hemopoetik përfshin shumëllojshmëri qelizash, me formë e veprimtari të ndryshme.
Kur qelizat e leucemisë mbushin palcën e kockave, atëherë pakësohet në mënyrë të ndjeshme prodhimi i qelizave fiziologjike, rruazat e kuqe, rruazat e bardha dhe trombocitet. Porsa numri i qelizave fiziologjike në organizëm ulet, fillojnë të dalin në pah simptomat. Ndër to lodhje e lehtë, zbehtësi, ngritja e nxehtësisë së trupit (temperaturë), me infeksion (ulja e leukociteve) dhe hemorragji, dalja e gjakut nga enët e tij, e cila shfaqet në lëkurë, në mukozat, gojë, gingivat, qiellza.