E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proteste per dritat ne Sukth bllokohet per gjysme ore rruga

Reagimi Rebelohen banorët e bashkisë, ku katër fëmijë vdiqën për shkak të errësirës

Banorët e Sukthit, në protestë ndaj mungesës së tejzgjatur të energjisë elektrike, e cila ka cenuar edhe furnizimin e tyre me ujë të pijshëm. Një muaj më parë, për shkak të mungesës së energjisë gjetën vdekjen katër fëmijë, të cilët të zhytur në kasollen e mjerimit ku banonin, u detyruan ta thyejnë errësirën me një qiri, që më pas shkaktoi djegien e televizorit dhe asfiksimin e tyre.

Në protestën e organizuar paraditen e djeshme kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të biznesit, të cilët gjithashtu janë cenuar nga situata e vështirë e krijuar si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Për afro gjysmë ore, protestuesit kanë bllokuar rrugën Sukth-Manzë dhe të irrituar nga mungesa e reagimit të “CEZ Shpërndarjes” dhe pushtetarëve që i përfaqësojnë, kanë deklaruar se do t’i përshkallëzojnë protestat në rast se nuk do të ndërhyhet.

Ata e kanë deklaruar gjendjen në të cilën ndodhen si të paprecedentë në këto temperatura të ulëta dhe në prag të festave të fundvitit. Banorët e Sukthit deklarojnë se prej më shumë se një muaji kanë ndërprerje të zgjatura të energjisë dhe një furnizim pa cilësi. Tensioni i ulët u ka nxjerrë jashtë funksionimit një pjesë të mirë të pajisjeve elektroshtëpiake, ndërkohë që gjatë 10 ditëve të fundit energjia ka munguar gjatë gjithë kohës në një zonë të Sukthit.

Sipas banorëve të kësaj zone, transformatori i tyre është dërguar drejt Shkodrës, duke i ndëshkuar ata me terr. E ndërsa dhjetëra qytetarë të Sukthit kanë kërkuar vëmendje dhe drita në këtë fundviti, bllokimi i rrugës ka vënë në lëvizje shërbimet e Komisariatit të Policisë së Shijakut, të cilat kanë bërë shoqërimin në komisariat të 6 prej protestuesve, mes të cilëve Hysen Cerrin, Lori Bejën, Nuredin Gjonin dhe Avni Gashin. Dy të shoqëruarit e tjerë nuk njiheshin nga protestuesit, pasi ishin të ardhur kohët e fundit në Sukth, megjithatë protesta i ka bashkuar në kërkim të së drejtës për ndriçim e aktivitet normal jetësor.

Ndërkaq, prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, deklaron se me t’u njohur me shqetësimin e banorëve të zonës pati ndërhyrë pranë përfaqësuesve të “CEZ Shpërndarje” në Durrës, por reagimi ka qenë i vaktë. Atëherë Alizoti ka kontaktuar me drejtues të lartë të CEZ-it për ta zgjidhur sa më shpejt situatën në Sukth. Sipas tij, brenda dy ditëve gjendja do të ndryshojë dhe banorët do të furnizohen normalisht me energji elektrike.

Ndërkaq, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, Doklead Ademi, tha se furnizimi për Sukthin ka vijuar normalisht, po banorët mund të kenë probleme, për shkak të mosvënies në funksionim të motopompave individuale të ujit. Ndërkohë, probleme në furnizimin me energji elektrike kanë dhe zona të tjera të rrethit bregdetar, përfshi edhe qytetin e Durrësit, ku cilësia e dobët dhe ndërprerjet e paparalajmëruara në furnizim kanë shkaktuar mosfunksionim të pajisjeve elektroshtëpiake dhe kompjuterike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›