E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marty shishja e Martinovicit dhe pritja e Tadicit

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u shpreh sot se vendi i tij "e ka pritur me vite një raport si ky...” Bëhet fjalë për një raport mbi Kosovën të Dick Marty, zviceranit me fantazi të shfrenuar që nën magjepsjen e gjepurave të Del Pontes në librin  "Gjuetia", lëshon akuza rrëqethëse për Kosovën dhe Shqipërinë. Marty, i njohur si një antiamerikan pasionant, raportet e të cilit pëlqehen dhe citohen dendur në Moskë, është veç të tjerash, autor i një studimi të tipit "paçavure" rreth të ashtuquajturve "burgje" të CIA-s në Europë. Usta i dizinformimit, ai shpërndan akuza të paprovuara për të cilat propozon hetime. I prirur për të qenë kontraversial, ai i shet fantazimet për evidencë.

Pa u marrë gjatë me raportin e këtij D.Marty,(kundërshtar i betuar i pavarësisë së Kosovës), le të rimë pak te deklarata e Tadiçit. Ajo shpreh një të vërtetë të madhe dhe të njohur; Serbia pas më shumë se dhjetë vitesh që nga përfundimi i luftërave në Ballkan, në vend të exorcizmit synon relativizimin e fajit. Me fjalë të tjera, t’i thotë botës se serbët sido që të jenë sjellë, nuk kanë bërë krime më të përbindshme nga shqiptarët. Kjo botë që harron shpejt, bie pre e një lloj sugjestionimi verbues teksa shikon Tadiçin me fytyrën si maskë fëmije të thinjur, dhe e merr hipokrizinë për pafajësi.

Raporti, të cilin Tadiç e ka pritur kaq gjatë, përrallat me një shtëpi të verdhë dhe trafik organesh, të sjellin në mend një histori të ngjashme të mesit të viteve ‘80-të. Në maj të vitit 1985, jo Marty, por Gjorgje Martinoviç, një fermer serb homoseksual nga Fushë-Kosova, pasi e kishte dendur plëndësin me pivo vendosi të masturbonte duke e kallur shishen e zbrazur të birrës në anus. Në apex të kënaqësisë, Martinoviçit iu thye shishja, dhe copat e xhamit ia bënë…copë,copë. Kjo ngjarje e pështirë dhe vulgare u bë kryelajmi i medias jugosllave që kishte rifilluar fushatën e demonizimit të shqiptarëve. "Politika", gazeta kryesore e LKJ-së shkruante se Martinoviç ishte përdhunuar nga shqiptarët, të cilët donin sipas saj, të provokonin eksode masive të serbëve prej Kosovës. Edhe pse ekspertë mjeko-ligjorë prej spitalesh civile, madje dhe prej mjekëve të armatës jugosllave, mbërritën në përfundimin se homoseksuali serb ia bëri të keqen vetes, në përpjekje për të masturbuar, politika, Akademia e Shkencave dhe masmedia serbe vazhduan për mjaft kohë ta kishin atë një lloj cause celebre, një shembull të gatshëm që do t’i servirej opinionit ndërkombëtar për të ilustruar "represionin shqiptar" ndaj serbëve në Kosovë.

Lloj-lloj organizatash për të drejtat e njeriut, të majtë dhe të djathtë europianë, rinin me orë të tëra duke hetuar anusin e Martinoviçit për të konkluduar nëse e kishte futur vetë apo ia kishin futur shishen e birrës.

Raporti i Dick Marty është në thelb e njëjta gjë. Synohet demonizimi i faktorit shqiptar në Ballkan, paraqitja e shteteve shqiptare si “mitra e krimit të organizuar” në Europë, në kontrast me një Serbi "paqësore e të dëgjueshme" që po hedh me shpejtësi hapa integrues në Europë!

Ky raport do të jetë për një farë kohe cause celebre për propagandën zyrtare të Beogradit dhe miqve të tij. Kjo mjegull duhet për të mbajtur në Hagë luftëtarët e lirisë, ndërkohë që Mlladiçi jeton i qetë në Serbi.

Pritet që brenda janarit të vitit të ardhshëm, Tadiç të vizitojë Tiranën. Vizitë vërtet historike! Për të mos mbetur pas kryetarit të Bashkisë së Tiranës që i fali kompozitorit të "tigrave " të Arkanit çelësin e artë të kryeqytetit, me siguri që edhe Tadiçit do t’i akordojnë ndonjë lloj medaljeje, ndërkohë që dhurata më simbolike mbetet ndoshta: Shishja e Martinoviçit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›