Lukashenko grushti i hekurt i diktatorit te fundit te Europes
Aleksandër Lukashenko, njeriu që shpesh konsiderohet si “diktatori i fundit i Europës”, është betuar që të mos e lejojë demokracinë që të triumfojë në Bjellorusi, ndërkohë që pas votës presidenciale të së dielës, duket se po i rrëshqet toka nën këmbë.
Kundërshtarët dhe njerëzit i janë kundërvënë farsës së fundit zgjedhore të Lukashenkos dhe ai nuk ka vonuar që t’i përgjigjet kësaj situate me grusht të hekurt, duke dashur t’u kujtojë të gjithëve se ai është i zoti i shtëpisë dhe se të tjerët duhet vetëm të binden, siç i janë bindur për 16 vjet. Dy ditë më parë janë vënë shumë vetë në pranga, dhe kjo nuk është aspak një gjë e re në vendin ku sundojnë ligjet e stalinizmit. Kandidatët e tjerë presidencialë këmbëngulin se vota është manipuluar në mënyrën më të paskrupullt dhe të patolerueshme dhe se tashmë ka ardhur momenti që t’i thuhet “jo” diktatorit dhe mënyrave të tij linçuese të pushtetit. Sipas rezultateve zyrtare të vizitës, Lukashenko ka marrë 80% të votave, duke përfituar kështu një mandat të katërt presidencial për të drejtuar vendin, në krye të të cilit ndodhet që nga viti 1994. Qindra vetë u mblodhën dje në rrugën qendrore të Minsk për të protestuar, dhe pati edhe tentativa për të sulmuar godinën e qeverisë. Por, kjo përpjekje është shtypur në një mënyrë të pamëshirshme nga policia, e cila ka treguar anën më të errët dhe të egër të pushtetit, që kërkon me çdo kusht të qëndrojë në fuqi. Kjo ndërhyrje ka mjaftuar që turma e njerëzve të shpërndahej dhe qyteti t’i rikthehej qetësisë dhe heshtjes fantazmagorike të një qyteti stalinist. Parmbrëmë, 7 nga 9 kandidatët që iu kundërvunë në zgjedhje Lukashenkos mendohet se ndodhen pas hekurave të burgut, dhe vetë Lukashenko personalisht tha se 679 vetë ishin burgosur. Një nga kandidatët më të rëndësishëm të opozitës, Vladimir Neklyayev u rrah keq në përfundim të zgjedhjeve, sepse kishte ndërmend që të kundërshtonte votën dhe të mblidhte njerëz në shesh për ta bërë një gjë të tillë. Ai është dërguar në spital me plagë të mëdha, madje disa prej tyre edhe në kokë. Ndërkohë, në mesin e natës disa persona të armatosur kanë ardhur në spital dhe e kanë marrë me forcë nga krevati nën ulërimat e të shoqes, duke e nxjerrë jashtë dhe duke e futur më pas në një makinë, e cila është zhdukur në drejtim të panjohur. Më pas, në një deklaratë për median, bashkëshortja e kandidatit presidencial deklaroi se nuk e kishte idenë se ku e kishin çuar të shoqin e saj dhe cilët ishin ata që e morën forcërisht, edhe pse ishte i dëmtuar rëndë fizikisht.
Ka gjithashtu lajme se, anëtarë të ‘Teatrit të Lirë’ në Bjellorusi janë arrestuar në masë. Teatri, që është i njohur botërisht, do të jepte shfaqje në disa vende të fshehta për të ndërgjegjësuar njerëzit në lidhje me atë që po ndodh dhe për t’i çuar ata në revoltë. Por, KGB-ja, shërbimi sekret vendas, që ende mban këtë emër që nga koha e ish-Bashkimit Sovjetik, trokiti natën në derën e drejtorit të teatrit, Vladimir Khalezin dhe e morën me vete në sytë e tmerruar të së shoqes dhe të familjarëve të tjerë. Me sa duket, të gjitha këto arrestime në masë të figurave kryesore të opozitës dhe të kundërshtarëve të Lukashenkos, kanë pasur efektin e dëshirueshëm. Ato ja kanë dalë sërish që të tmerrojnë njerëzit dhe të topisin revoltën, e cila këtë herë, edhe pse e vogël, ishte tregues i ‘mbushjes së kupës’ nga ana e pushtetit dhe sundimtarit Lukashenko. Dje, në sheshin kryesor ishin mbledhur maksimalisht 100 veta, por ata nuk kishin as parulla, dhe as hidhnin slogane kundër zgjedhjeve. “Ne duhet që të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtat tona, sot më shumë se kurrë. Në këtë shesh duhet që të ketë shumë më tepër njerëz se kaq, se vetëm shumica dhe bashkimi do të arrijnë që të bëjnë diferencën dhe të rrëzojnë një diktator si Lukashenko”, - thotë një ish-mësues shkolle, 71-vjeçar. Ai flet për të gjitha problemet me të cilat i duhet që të përballet në jetën e tij shumë të varfër, me pensionin që nuk i del kurrë, me pamundësinë për të jetuar të lirë, për t’u shprehur. Por ndërsa flet, disa njerëz me aparate fotografike nisin që t’i bëjnë foto.
Ka pasur sugjerime para zgjedhjeve se, Lukashenko do të bënte disa lëshime në mënyrë që të fitonte ndihmën financiare të premtuar nga Bashkimi Europian. Kjo ndihmë financiare i është shumë e domosdoshme vendit, sidomos pas dështimit që pati së fundi në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me aleaten tradicionale, Rusinë.
Por dje, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian i kritikoi ashpër zgjedhjet dhe mbi të gjitha, reagimin e Lukashenkos ndaj të gjithë atyre që kanë shprehur dhe kanë dalë kundër linjës së tij. Madje, sipas vlerësimit të OSBE-së, ”zgjedhjet kanë qenë shumë të këqija”. Por, Lukashenko e hodhi poshtë vlerësimin e OSBE-së, duke i konsideruar opozitarët si “banditë” dhe duke sugjeruar se do t’i futej punës për të “reformuar” internetin. Ditën e votimeve, të gjitha sajtet kryesore sociale si ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’ nuk ishin të aksesueshme në Bjellorusi. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas me opozitën demokratike në vend, duke qenë se pjesa më e madhe e liderëve të opozitës janë në burgje. Vetëm ekonomisti i famshëm, Yaeoslav Roamncchuk, një nga kandidatët presidencialë, nuk është arrestuar dhe duket se mund të kërkojë kompromis. Ai i ka kritikuar liderët e tjerë të opozitës për demonstratat dhe ka mundësi që të negociojë me Lukashenkon për ndërmarrjen e disa reformave ekonomike.