E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e energjise probleme ne port

Vlorë Radhë edhe në zyrat e aplikimit për pasaporta

Prej më shumë se tri ditësh qytetarët e Vlorës po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, që është shoqëruar edhe me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm. Mësohet se shkak i ndërprerjeve është bërë remonti në rrjetin e shpërndarjes së tensionit të lartë, por banorët e Vlorës nuk kanë pasur dijeni për këtë ndërhyrje. Shumë qytetarë dhe biznese të Vlorës nuk janë lajmëruar për kufizimet e furnizimit me energji elektrike. Paraditen e djeshme ata kanë protestuar në zyrat e CEZ-it, ku janë lajmëruar se kufizimet do të vazhdojnë deri të enjten, nga ora 07.30 deri në 13.30, dhe nga ora 14.30 deri në 16.30. Ndërkaq, mungesën e energjisë elektrike po e vuajnë jo vetëm banorët e Vlorës, por dhe institucionet shtetërore, të cilët i ka gjetur të pa përgatitur për këto ndërprerje të gjata. Mungesa e energjisë elektrike ka shkaktuar vonesa edhe në Portin Detar të Vlorës, ku qytetarët, të cilët do të udhëtonin drejt Italisë, kanë pritur në radhë, pasi sistemi TIMS nuk ka funksionuar. Ndërprerja e rrymës ka shkaktuar radhë të gjata edhe në zyrat e aplikimeve për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Ndërkaq, Policia e Vlorës ka ndaluar dy të rinj, në afërsi të fshati Zvërnec, pasi duke përfituar nga mungesa e energjisë kanë vjedhur kabllon elektrik që furnizonte pikën e vëzhgimit detar Zvërnec dhe antenat televizive e telefonike. Probleme ka pasur edhe me furnizimin me ujë të pijshëm në pjesën më të madhe të qytetit. Shkak është bërë dëmtimi i njërit prej tubacioneve kryesore të shpërndarjes. Sipas drejtorit të Ujësjellësit të Vlorës, Viron Hysi, i cili ka thënë për “Shqip” se po punohet për riparimin sa më shpejt të defektit, shpresohet se problemi i furnizimit me ujë të pijshëm të zgjidhet brenda së martës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›