E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e neolitit përmblidhet në një libër

Akademiku Muzafer Korkuti ka promovuar, të martën, ditë kjo që përkon me 75 vjetorin e tij të lindjes, librin e tij më të fundit “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik”, një studim i gërmimeve arkeologjike disavjeçare. Nga Express më 18 maj 2011 në ora 08:40

Ky botim përmban të përmbledhur zhvillimin dhe tiparet karakteristike thelbësore për çdo periudhë të veçantë dhe këtyre epokave në përgjithësi. Sipas Korkutit, ato janë parë të trajtuara në lidhje me kulturat bashkëkohore fqinje, pa të cilat nuk mund të kuptohet shkalla e lartë që arriti qytetërimi eneolitik në vendin tonë.

Zgjedhja e botimit të studimeve të kësaj periudhe për arkeologun është një rastësi, që ka ardhur pas një pune pesëvjeçare për të shpëtuar vendbanimin neolitik të Maliqit.

“Botimi është një përpjekje për të ndriçuar e zgjidhur disa nga problemet më të rëndësishme kulturore e kronologjike dhe hap rrugë për studime të tjera më të thelluara me karakter përgjithësues”, është shprehur Muzafer Korkuti.

Parashtrimi i kulturave neolitike në “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik” paraprihet nga një kapitull për Paleolitin dhe Mezolitin, ndërsa mbyllet me një kapitull për fillimet e Bronzit.

Korkuti nga 75 vite të jetës, 50 prej tyre ia ka kushtuar fushës së gërmimeve arkeologjike dhe pas eksperiencave të shumta shprehet se kjo shkencë është zhvilluar mjaft në Shqipëri.

“Prova e arkeologjisë bëhet në veprimtari të mëdha. Një provë e bëmë në vitin 1972 në Tiranë ku rreth 50 arkeologë të huaj e vlerësuan arkeologjinë shqiptare si një derë të madhe në arkeologjinë europiane. Prova e dytë ishte pas viteve ’90 ku filluan bashkëpunimet me të huaj”, tha Korkuti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›