Finalja portugeze
Befasia Braga do ta ketë testin vendimtar të mërkurën mbrëma, kur do të ballafaqohet me kampionin e ri të Portugalisë, Porto në finale të Europa League, e cila do të zhvillohet në Dublin të Irlandës.
Braga, e cila gjendet vetëm 50 kilometra nga Porto, këtë sezon ka eliminuar skuadra të mëdha si Liverpool e Benfica, ndërsa më parë në Ligën e Kampionëve e kishte mposhtur edhe Arsenalin. Braga po ashtu kishte fituar ndaj Celtic e Sevilla në kualifikimet e kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube.
Porto po kalon një formë të jashtëzakonshme. Kjo skuadër tashmë e ka fituar titullin në Portugali, ku nuk pësoi asnjë humbje. Po ashtu fitoi Superkupën e Portugalisë dhe u kualifikua në finale të Kupës së Portugalisë. Ekipi bardh e kaltër synon që këtë sezon ta mbyllë me katër trofe.
Dueli i Dublinit do të jetë ndeshja e karrierës për dy trajnerët, 33 vjeçarin Andre Villas-Boas, ish asistent i Jose Mourinhos, në debutimin e tij në këtë sezon, dhe për 42 vjeçarin Domingos Paciencia, i cili në të kaluarën ishte futbollist i Portos.
“Do të jetë e vështirë ta fitojmë Europa Leaguen. Ne jemi optimistë, por gjithçka mund të ndodhë. Braga ka një ekip kualitativ dhe ka një shpirt fituesi”, tha Villas-Boas.
Në anën tjetër, Paciencia shpreson që statusi i autsajderit do ta ndihmojë Bragan që ta fitojë këtë trofe të çmueshëm. “Askush nuk priste se ne do të arrinim në finale, kjo na ndihmoi neve. Ne e kemi vërtetuar se mund ta mposhtim çdo ekip”, tha 42 vjeçari.
Mbrojtja solide dhe sulmi ‘vrasës’ e kanë ndihmuar Porton që t’i arrijë 13 fitore në 16 ndeshje të Europa League, duke realizuar 43 gola dhe duke fituar në të gjitha ndeshjet si mysafirë.
Porto ishte kampione e Evropës për herë të parë në vitin 1987, kurse ‘kapi’ edhe Superkupën e Evropës dhe Kupën Interkontinentale në të njëjtin vit. Nën udhëheqjen e Jose Mourinhos, Porto e fitoi Kupën UEFA në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2004. Këtë sezon, dyshja jug-amerikane, sulmuesi kolumbian Radamel Falcao e sulmuesi brazilian Hulk kanë shfaqur formë të jashtëzakonshme.
Falcao është golashënues i Europa League me 17 gola, duke e kaluar rekordin e Jurgen Klinsmann, i cili 15 vjet më parë realizonte 15 gola për një sezon. Hulk ndërkohë është golashënuesi më i mirë në kampionatin portugez me 23 gola. Porto e mposhti Bragan në përballjen e dyfishtë në kampionatin portugez këtë sezon.
Europa League
Finalja
E mërkurëOra
Porto – Braga20:45