E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijat e kuqe dhe të gjelbra

27-09-2012 / Nga Thomas Friedman

Kryeministri i Izraelit, Bibi Netanyahu, është duke kërkuar me zë që Amerika të tërheqë publikisht një “vijë të kuqe”, sa i përket programit bërthamor të Iranit. Por ai s’ka përgjigje, kur Amerika i kërkon të tërheqë “vijën e gjelbër” për të përcaktuar se ku do të ndalen kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor dhe ku do të nisë territori i shtetit palestinez

Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)

Të mërkurën, liderja demokratike e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, erdhi në SHBA dhe mori Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni në Capitol. Unë nuk isha atje, por e lexova transkriptin dhe më la përshtypje të thellë fjalimi emocionues i senatorit John McCain, që e falënderoi “Zonjën, që në këtë moshë m’i mësoi ca gjëra për kurajën”. Në përmbyllje McCain e citoi thënien e famshme të Aung San Suu Kyit se “nuk është pushteti ai që korrupton, por frika. Frika e humbjes së pushtetit korrupton ata që e kanë dhe frika nga pushteti korrupton ata që i nënshtrohen”. Më pëlqen kjo pjesë: nuk është pushteti, por frika e humbjes së pushtetit ai që korrupton. Është tejet e vërtetë dhe e rëndësishme sot, kur aq pak liderë guxojnë t’ia tregojnë popullit të vërtetën për diçka të vështirë apo kundërthënëse. Aung San Suu Kyi i dha 20 vjet të jetës së saj për shtetin. Shumica e liderëve sot nuk janë të gatshëm të bëjnë as edhe më të voglin kompromis.
Këtë mund ta shihni kudo: myslimanët duan të shkatërrojnë Ambasadën amerikane në Kajro, për shkak të një filmi të neveritshëm antimysliman në YouTube - dhe presidenti i ri egjiptian, Mohamed Morsi, nga “Vëllazëria Myslimane” fillimisht refuzon t’i dënojë ata, duke mos qenë në gjendje as ta mbrojë si duhet misionin diplomatik amerikan. Vetëm një telefonatë nga presidenti Obama, që pa dyshim se sinjalizoi se Egjipti nuk do ta marrë as edhe një qindarkë të ndihmave, po qe se Morsi nuk vepron, e nxiti liderin egjiptian që ta dënojë sulmin. Zyrtarët e “Vëllazërisë myslimane” e “sqaruan” se Morsi kishte qenë midis kërkesave për diplomaci dhe mosgatishmërisë për ta armiqësuar bazën e tij të përkrahësve. Më vjen keq, por të udhëheqësh është të zgjedhësh. Ky nuk është sinjal edhe aq i mirë.
Por ju tashmë e dini se çfarë thuhet për ta… Në korrik, kongresistja amerikane, Michelle Bachmann, e filloi një fushatë kundër myslimanëve në qeverinë amerikane, përfshirë këtu një ndihmës të lartë të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Bachmann u shkroi liderëve të agjencive amerikane të sigurisë shtetërore, duke u pyetur nëse “Vëllazëria Myslimane” ishte infiltruar në Qeverinë federale. Si senatori McCain ashtu edhe presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, kritikuan ashpër Bachmanin për nismën e saj me motive politike. Por këtë gjë nuk e bëri Eric Cantor, lider i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve. Cantori ambicioz e pa një mundësi që të sigurojë epërsi politike te republikanët, karshi rivalit të tij, Boehner, dhe i tha Charlie Roses të CBS News se duhet ta kuptojmë Bachmannin: “Mendoj se shqetësimi i saj ka të bëjë me sigurinë e vendit”. Po ashtu, është zotëri Cantor dhe ma merr menja se ky kishte qenë shqetësim edhe i senatorit John McCarthy.
Kryeministri Bibi Netanyahu i Izraelit është duke kërkuar me zë që Amerika të tërheqë publikisht një “vijë të kuqe” sa i përket programit bërthamor të Iranit, përmes së cilës do të përcaktohej qartë se kur SHBA-ja do të ndërmerrte sulm mbi Teheranin. Bibi është Winston Churchill, kur është fjala për kërkesa që SHBA-ja të tërheqë vija të kuqe, por ai është bos kur Amerika i kërkon të tërheqë “vijën e gjelbër” për të përcaktuar se ku do të ndalen kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor dhe ku do të nisë territori i shtetit palestinez. Oh jo! Nuk mund ta bëj atë, u thotë Bibi zyrtarëve amerikanë. “Do ta humbas koalicionin tim”. Pra, Amerika duhet që ta rrezikojë një luftë me Iranin, por Bibi nuk do të rrezikojë asgjë për avancimin e një marrëveshjeje me palestinezët që do të mundë të krijonte pak më shumë legjitimitet ndërkombëtar dhe përkrahje për Izraelin dhe Amerikën, në rast të një lufte me Iranin. Faleminderit shumë. Obama bëri gabim duke u munduar që të negociojë “marrëveshje të mëdha” për tatimet dhe shpenzimet me Boehnerin gjatë vitit të kaluar. Por unë gjithnjë kam pasur një pyetje: Boehner thotë se u largua pasi që Obama, nga fundi, kërkoi 400 miliardë dollarë më shumë në tatime, për të siguruar përkrahjen e më shumë demokratëve. Përse u tërhoq Boehner dhe nuk e thirri Obamën për t’i thënë: “Ja oferta ime – nuk ka 400 miliardë shtesë - pranoje ose largohu”. Ai nuk e bëri një gjë të tillë, për shkak se frikësohej që Obama do të mund ta pranonte – dhe Boeher e dinte që nuk do të mundë ta siguronte përkrahjen e një pjese të republikanëve. Për këtë arsye, ai as që u mundua.
Sa i përket Obamas, ai ka qenë më i suksesshmi kur ka udhëhequr pa iu frikësuar aspekteve politike: eliminimin e Osama bin Ladenit, sigurimin shëndetësor dhe shpëtimin e bankave, e jo futjen e të gjithë bankierëve në burg, gjë të cilën e merituan. Dhe, ai ka dështuar atëherë kur politikën e ka vënë në vend të parë: dyfishimin e pranisë në Afganistan për shkak të shqetësimit se do të mund të quhej frikacak dhe largimin e shprehjes “ndryshimet klimatike” nga fjalimet e tij. Kam përshtypjen se kjo mungesë e udhëheqjes globale nuk mund të zgjasë. Së pari, bota është duke u bërë aq e ndërvarur, saqë udhëheqja e dobët në një shtet tani ndikon thellësisht te të tjerat. Ta kemi parasysh krizën e euros, përplasjen Izrael-Iran apo ndotjen kineze. Dhe, në anën tjetër, nuk besoj se dy forcat me fuqinë më të madhe disiplinuese në planet – tregu dhe nëna natyre – do të qëndrojnë duarkryq edhe për një dhjetëvjeçar, duke na lënë të grumbullojmë këto deficite të mëdha financiare, apo teprica të dyoksidit të karbonit, pa na e dhënë një ditë goditjen ndëshkuese, me të cilën do të duhet të përballet një udhëheqës i fuqishëm.
Pra, ta nderojmë Zonjën nga Birmania, jo vetëm me një medalje, por në një mënyrë që ka njëmend rëndësi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›