E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e rishikuar dhe një përgjigje për Doktorin

Share

Nga Auron Tare

Në këtë mënyrë, shoku Enver, me njohuritë e tij të gjera dhe me kërkesat e rrepta të shkencëtarit, shtron përpara studiuesve tanë një detyrë sa të rëndësishme aq edhe të vështirë. Ai i porosit ata që ti përvishen një pune serioze për të depërtuar sa më shumë në thellësi të shekujve të parahistorisë dhe për të hedhur dritë mbi kulturën dhe gjuhën e fiseve parailire të trevave të banuara nga shqiptarët e sotëm

Enver Hoxha, Për shkencën, II, Tiranë, 1985

Kushdo që ka jetuar kohën e komunizmit e di fare mirë se çdo direktivë e re në fushat historike (si kudo)  hapej dhe mbyllej me urdhrat e kupolës komuniste, e cila e kërkonte historinë të shkruhej sipas mendimit të saj ekskluziv. Në çdo përvjetor apo datë të shënuar Komandanti fliste dhe historianët mbanin shënime se si dhe në çfarë mënyre duhej të shkruhej historia jonë. Sigurisht asaj kohe jetonim në diktaturë.

Po sot?

Sot në një mënyrë shumë të ngjashme kryeministri ynë del dhe jep orientime se si duhet të shkruhet historia. Shembulli më i fundit është dje kur në mënyrë publike Kryeministri kërkon rishikim dhe ndryshim të fakteve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Që historia e shqiptarëve është bërë lëmsh nga historianët partiakë, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Por që rishikimi i historisë të bëhet në të njëjtën formë dhe model si në kohët e diktaturës, kjo është një ngjarje shumë e rëndë për vetë kohët që jetojmë. Megjithatë duhet pranuar fakti që Doktori gjithmonë del e lëshon bomba tymuese  por hosanaja e një sërë historianësh, të cilët deri dje mbanin shënimet e Komandantit, dhe sot të Doktorit, është një praktikë po aq e frikshme sa edhe ajo në diktaturë.

I dashur Doktor, nëse do të ndryshosh historinë, bëji historianët e tu të ulen e të shfletojnë arkivat. Historianë që mbajnë shënime dhe shkruajnë për çfarë kërkon zotrote nuk bëjnë histori, por propagandë. Njësoj si ai ish- gazetari i Zërit të Popullit që i është mbushur mendja se bën histori me libra të kallëpit që bënte për Komandantin dikur.

Doktor, dërgoi historianët e tu të ulen në arkivat e huaja, të cilat kanë me mijëra faqe të pahapura të historisë së Shqipërisë, të cilat nuk janë  lexuar kurrë. Nuk bëhet historia me të folur ti dhe me të shkruar nga ata që marrin rrogën tënde në administratë. Se për të kundërshtuar, nuk të kundërshtojnë dot se iu duhet rroga në fund të muajit, të shkruajnë vetë nuk ua mban, prandaj dhe të dëgjojnë dhe vazhdojnë vegjetimin e tyre intelektual duke zënë llogoret ideologjike dhe duke qëlluar prej kësaj llogoreje me pushkët e vjetra.

Në 100 vjet asnjë komb nuk ka pësuar kaq shumë falsifikim të historisë, deklaroi Kryeministri në mbledhjen e djeshme.

Ke të drejtë shumë Doktor, por do ishte në nderin tënd nëse mbështesje me para dhe fonde studiuesit që të hynin në arkivat e botës dhe të shkruanin ato që zbulonin andej dhe këtej. Të shkruanin qartë dhe pa emocione ideologjike, duke ua lënë qytetarëve të gjykonin vetë mbi çështje të rëndësishme historike. Historia e paragjykuar nuk mund të jetë ajo histori që i reziston kohës. Shiko historinë që bëri Komandanti. Një pjese të saj i doli kallaji.

Por realiteti vëllavrasës i luftës është realitet i pamohueshëm. Nuk ishte luftë civile. Por cila rezistencë antifashiste në Europë nuk pati aspekte të tilla? Duke njohur këtë realitet dhe duke u përpjekur të bëjmë drejtësi në kuptimin moral, duke njohur aktin makabër të vrasjes së ushtarëve pse nuk i përkisnin ideologjisë komuniste, ne e bëjmë vendin më të drejtë, shoqërinë më të drejtë dhe kjo është e domosdoshme. E vërteta është se njësitë nacionaliste, balliste apo legaliste janë masakruar barbarisht në Shqipëri e Kosovë. Luftëtarët që luftuan me Gani Kryeziun u masakruan e u hodhën në një pus vetëm pse nuk ishin komunistë, por ishin ruajalistë, vijoi kryeministri dje përsëri në mbledhjen e tij të përjavshme.

Po Doktor, por mendimet e tua mund ti shkruash fare mirë në librin tënd të kujtimeve, por ato nuk mund të jenë të vërteta historike pa u ballafaquar me dokumentet e shkruara. Dokumente të shkruara që vijnë nga disa burime dhe hedhin dritë mbi shumë ngjarje apo personazhe të asaj kohe. Që një numër i madh forcash nacionaliste apo balliste u janë bashkuar ushtrive gjermane në Shqipëri, ky është tashmë një përfundim i vërtetuar me dokumente autentike si nga ana e britanikëve, si nga ana e gjermanëve. Që shume njerëz që ishin në këto forca besonin sinqerisht në kauzën nacionaliste dhe mendonin se vetëm gjermanët mund të zgjidhnin atë, kjo është e vërtetë. Por fakti mbeti se Gjermania e humbi luftën dhe bashkë me të iku edhe kauza e nacionalistëve. Mos harrojmë se këta nacionalistë, midis tyre edhe shumë patriotë, patën fatin e keq që të ishin në krahun e gabuar. Në krahun kundër aleatëve anglo-amerikano-sovjetike. Dhe për këtë fakt historia i ndëshkoi. Ashtu siç u ndëshkuan mjaft figura nacionaliste në Europën e qytetëruar. Si njeri i lexuar që jeni Doktor, ju e dini mirë se çfarë dhune ushtruan qytetarët parizienë kundër femrave që fundi i fundit kishin shkuar me oficerët gjermanë. Po ata që me armë në dorë luftuan kundër forcave antifashiste? Meqë përmendët Gani Kryeziun, arkivat angleze për shembull kanë shume material mbi angazhimet e Gani Kryeziut në Shërbimet e Fshehta Jugosllave të paraluftës. Mund ti lexoni dhe do të arrini konkluzione të tjera. Nga këto dokumente mund ta kuptoni edhe pse komunistët jugosllave e zhdukën këtë njeri me rëndësi në Malësinë e Gjakovës.

Dy janë çështjet themelore në LNÇ, njohja e këtij aspekti vëllavrasës. Së dyti, është një problem tjetër shumë madhor, lufta si çdo luftë kërkon armë, po këta armë nuk kishin, kërkon financa, shqiptarët financa nuk kishin, kërkon organizim, shqiptarët nuk kishin ndonjë organizim ushtarak. E vërteta e madhe historike është se shqiptarët kanë bërë luftën të mbështetur në paundin e taksapaguesve britanikë. Brigadat e njësitë e para u organizuan nga misionarët britanikë. E vërteta ishte se ishte Britania e Madhe ajo që armatosi luftëtarët e lirisë në Shqipëri. Është në nderin e veteranëve që të mos injorojnë këtë kontribut historik të taksapaguesve dhe qeverisë britanike. Brigada e parë komuniste është krijuar, armatosur e financuar në Vithkuq nga misionet britanike.

U ndala në këtë moment sepse kjo është një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste. Qeveria britanike bëri gjithçka për të mbështetur shqiptarët në rezistencën e tyre. Mbreti qëndroi në kontakt me qeverinë britanike, tha Berisha.

Doktor,  po e filloj nga fundi. Mbreti? Cili Mbret? Nëse flisni për Ahmet Zogun, duket se keni njohuri shume të pakta për rolin e vërtetë të Zogut në Angli. Zogun autoritetet angleze jo vetëm e trajtuan me përçmim dhe tallje (dhe si shqiptar që jam mua nuk më vjen aspak mirë), por askush nga Qeveria Britanike nuk e trajtoi asnjëherë me seriozitet figurën e Zogut gjatë Luftës. Zogu në Angli ishte një figure tragjike dhe aspak e respektuar nga politika britanike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›