E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surprizat e Berishës, emrat që ikin dhe vijnë në qeveri



I është dashur të përzgjedhë mes 50 kandidaturave pretendentë për anëtarë të qeverisë së re. Madje, për 15 emrat me të cilët do të qeverisë 4 vitet e ardhshme, Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar edhe minutën e fundit para se ato t’i bëjë publike. Dhe vetëm mbrëmë në orën 19:30 ka vendosur t’i japë formë dhe përmbajtje kabinetit të ri qeveritar. Për dy muaj me radhë konsultime të vazhdueshme, me kryesinë e vogël dhe bashkëpunëtorët e tij, z. Berisha, tashmë i rimandatuar për të qeverisur vendin, zbardhi surprizat e stafit të ri të Këshillit të Ministrave. I ndërgjegjshëm se nuk bëhet fjalë për përsosmëri, ai vuri në dukje se ka bërë të gjitha përpjekjet për përzgjedhjen më të mirë. “Jam përpjekur të bëj përzgjedhjen më të mirë, por kur e ke të vështirë për shkak të personaliteteve të shumta që kanë hyrë këtë vit në Parlament, nuk mund të them se kam gjetur qeverinë e përsosur, por ajo do të japë kontributin e saj për një Shqipëri evropiane”, - shpreh z. Berisha. Gjatë prezantimit të emrave, spikatën emrat e qeverisë së kaluar, por në dikastere të tjera, si dhe prurje të reja në “Berisha 2”. Emrin e parë në listën e kabinetit të ri, Berisha ka publikuar z. Ilir Meta, si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Më pas, Berisha ka komunikuar me radhë emrat e ministrave të rinj të qeverisë, që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme. Sipas Berishës, Bujari Nishani do të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Basha në krye të Ministrisë së Brendshme, Arben Imami në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Ridvan Bode në krye të Financave, Dritan Prifti në krye të Ministrisë së Energjetikës etj. Për herë të parë në kabinetin e tij, Berisha ka shtuar dhe një portofol ministri, i quajtur ministër i Shtetit, në të cilin ka emëruar ish zv.kryeministrin Genc Pollo. Berisha nuk ka harruar të falënderojë ministrat që largohen, por dhe ka folur me superlativa për bashkëpunëtorët e vjetër që do të vazhdojnë të qeverisin me të, duke inkurajuar dhe ministrat e rinj. Kryeministri bëri të qartë se për emrat e ministrave është konsultuar me bashkëpunëtorët e tij dhe aleatët, dhe krijimi i kabinetit është fryt i një pune dymujore intensive me negociata dhe diskutime. Bujar Nishani, ish-ministër i Brendshëm, emërohet ministër i Drejtësisë, duke i zënë vendin kështu Enkelejd Alibeajt. Ridvan Bode mbetet edhe për këtë mandat katërvjeçar ministër i Financave. Lulzim Basha, nga ministër i Jashtëm vjen në qeverinë e re si ministër i Brendshëm. Në gjysmën e mandatit të mëparshëm, Basha ishte ministër i Transporteve dhe më tej, titullari i Ministrisë së Jashtme. Kryeministri i vendit theksoi se “Basha së bashku me z. Meta do të jenë lojtarët kryesorë të procesit të heqjes së vizave për shqiptarët”. Në qeveri ka hyrë dhe Arben Imami si ministër i Mbrojtjes. Një ndër themeluesit e PD-së, Imami, u largua nga kjo parti në mesin e viteve ’90, duke hyrë në Aleancën Demokratike të Neritan Cekës, por disa vite më vonë u rifut në PD, duke marrë post kyç në kabinetin e Berishës gjatë mandatit të mëparshëm. Ministër i Bujqësisë u emërua Genc Ruli, i cili në kabinetin e mëparshëm ishte ministër i Ekonomisë. Ruli mori kështu postin e Jemin Gjanës. Berisha shprehu falënderim për Gjanën, duke theksuar se “pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën parlamentare”. Sokol Olldashi mbetet sërish ministër i Transporteve, pasi e drejtoi këtë dikaster në dy vitet e fundit të qeverisë së parë të Berishës. Në dyvjeçarin e parë, Olldashi ishte ministër i Brendshëm. Një hyrje e re është Myqerem Tafaj, i cili ka marrë postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Berisha tha se Tafaj, deri sot këshilltar i Kryeministrit për çështjet e arsimit, është njeriu që ka hartuar reformat arsimore. Këtu Berisha falënderoi Fatos Bejën, duke siguruar se ai do të jetë pjesë e rëndësishme e Parlamentit, pasi pritet të rikthehet si një ndër tre nënkryetarët e rinj të Kuvendit që do të ridrejtohet nga Jozefina Topalli. Berisha, në qeverinë e re, ka menduar edhe për minoritetin grek, edhe pse PBDNJ nuk pranoi të përfshihej në kabinetin e tij. Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është emëruar Spiro Ksera, deputet i ri i PD-së, deri dje prefekt i Qarkut Gjirokastër. Në qeverinë e re hyn dhe deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferri, i cili merr vendin e ministrit të komanduar Ardian Turku. Ky i fundit mori vendin e Ylli Pangos, i cili u shkarkua nga Berisha pas një afere të dyshuar seksuale. Berisha ka prezantuar dhe ministrin e Mjedisit, që do të jetë për katër vitet e ardhshme, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane. Nga qeveria ka dalë dhe vajza e Sabri Godos. Anila Godo drejtoi për afro dy vjet Ministrinë e Shëndetësisë, pas shkarkimit nga detyra të kreut të PDK-së, Nard Ndoka, i cili pati përplasje me Berishën. Berisha ka vendosur të mos e largojë nga qeveria edhe Genc Pollon, duke e emëruar ministër Shteti për marrëdhëniet e qeverisë me Parlamentin. I larguar nga PD në vitet ’90 kur krijoi dhe Partinë Demokrate të Reformuar, Pollo u rikthye pranë Berishës, duke e shkrirë partinë e tij dhe marrë postin e ministrit të Arsimit e më tej atë të zëvendëskryeministrit, që në kabinetin “Berisha 2” i përket kreut të LSI-së, Ilir Meta.

Minoriteti grek në qeveri, çamët në qeverisje

Minoritet grek në Shqipëri është pjesë e qeverisë së re “Berisha 2”, kurse çamët do të përfshihen në qeverisje, në nivelet e dyta të saj. Kryeministri Sali Berisha informoi mbrëmë gjatë publikimit të kabinetit të ri qeveritar, se "nuk do të mund të krijonte një kabinet qeveritar, pa pasur aty të përfaqësuar edhe minoritetin". "Po të mos isha i rrymës së qeverisë së vogël, kam aty 40-50 deputetë që mund t'i bëja ministra, por unë nuk e kam parë të arsyeshme të lëviz nga kuadri i qeverisë së vogël, ndaj ka prevaluar parimi mbi vlerësimet e shkëlqyera për individin", - tha Kryeministri Berisha, duke sqaruar përzgjedhjen e emrave të rinj të kabinetit qeveritar, që do të qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme. Sipas tij, z. Ksera është përfaqësuesi i PD-së dhe nuk është i vendosur si përfaqësues i PBDNJ-së. "Por, unë nuk do të krijoja kabinet pa pasur dhe minoritetin të përfaqësuar nga PD, edhe pse e kuptoj se përfaqësues i gjerë është PBDNJ-ja. Me z. Ksera gjatë këtyre 4 viteve kemi bërë investimet më të mëdha në zonën e minoritetit dhe në këtë kontekst ai tani merr punën. Më vjen mirë që ai është pjesë e kabinetit, pasi është shumë i zoti, i talentuar dhe me aftësi të mëdha organizative", - vlerësoi z. Berisha.

Majlinda Bregu, e vetmja ministre femre

Ishin dy ministre në “Berisha 1”, por mbeti vetëm njëra dhe ajo është Majlinda Bregu. Ajo ka mundur ti rezistojë konkurrencës së fortë brenda llojit duke siguruar kështu mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha për vijimësinë e saj në krye të ministrisë së integrimit. Znj.Bregu, është ministrja që do të firmosë për “Shqipërin në BE” pasi ajo tashmë është pjesë e pandarë e suksesit te reformave integruese të qeverisë “Berisha. Kështuqë qeveria e re që prezantoi Kryeministri mbrëmë ka në përbërje vetëm një femër, por parashikohet që gjatë mandatit katërvjeçar të ketë ndryshime, që do të shtojnë numrin e “seksit të dobët” në qeveri. Berisha tha se “ky është vetëm fillimi”, kur u pyet se pse ka një prurje kaq të dobët të femrave në qeveri.

Qeveria e re, sot mbërrin tek Presidenti

Qeveria e re sot mbërrin për dekretim tek Presidenti Bamir Topi. Kryeministri Sali Berisha njoftoi mbrëmë se emërimet e qeverisë së re do t’i shkojnë sot për dekretim Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Kurse për votimin në Parlament, ai bëri të ditur se kjo varet nga koha kur emrat do të dekretohen nga kryetari i shtetit. Gjatë konferencës për shtyp, z. Berisha falënderoi bashkëpunëtorët e tij që nuk janë më në qeveri, si Lufter Xhuvelin, Jemin Gjanën, Gazmend Oketën etj. Në lidhje me kërkesën e disa gazetarëve për heqjen e emrit të Fatmir Mediut nga lista e kabinetit të ri, Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë në konferencë se me PR ka një bashkëpunim disavjeçar. Berisha tha se për Mediun ka një akuzë për korrupsion dhe ai është i hapur ndaj çdo vendimi të drejtësisë. Sipas Berishës, asnjë nga ministrat e tij nuk ka mandat, që do të thotë do të jenë të njëjtë para ligjit, por paragjykimi nuk i shërben askujt. “Një akuzë e madhe që nisi dhe ra vetë nga ata që e ngritën. Z. Mediu është i hapur dhe s’do ketë asnjë pengesë t’i përgjigjet ligjit”, - tha Berisha.

Ministrat e kabinetit “Berisha 2”

Kabineti i ri qeveritar

Ministria e Jashtme

Ilir Meta

Ministria e Brendshme

Lulzim Basha

Ministria e Mbrojtjes

Arben Imami

Ministria e Financës

Ritvan Bode

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Dritan Prifti

Ministria e Drejtësisë

Bujar Nishani

Ministria e Integrimit

Majlinda Bregu

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Sokol Olldashi

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës

Myqerem Tafaj

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Spiro Ksera

Ministria e Shëndetësisë

Petrit Vasili

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

Genc Ruli

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Ferdinand Xhaferri

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

Fatmir Mediu

Ministër shteti

Genc Pollo

Ministrat e ikur

Jemin Gjana

Lufter Xhuveli

Anila Godo

Gazmend Oketa

Fatos Beja

Ardian Turku

Enkelejd Alibeaj

Majlinda Bregu

Viktor Gumi

Kush hyn në qeveri

Arben Imami

Dritan Prifti

Myqerem Tafaj

Petrit Vasili

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›