Nga Athina në Sofje; Ndërprerja e gazit dhe ekonomia, protesta të dhunshme në Bullgari
As dëbora e as temperaturat minus 6 gradë nën zero të dy ditëve të fundit duket se nuk do të ndalin protestuesit bullgarë për të marshuar në qendër të kryeqytetit të tyre.
Kryesisht studentë, fermerë, aktivistë të mjedisit, por që nën sensibilizim të tyre janë bashkuar dhe qindra banorë të tjerë të Sofjes, ashtu dhe siç kishte paralajmëruar, turma është drejtuar një ditë më parë drejt Parlamentit, në qendër të kryeqytetit. Megjithatë, ndryshe nga dy ditë më parë, kur protesta, sipas agjencisë së lajmeve bullgare “news.bg”, me mbi dy mijë njerëz degjeneroi në përleshje të ashpra me policinë vendase, manifestimi është zhvilluar i qetë, me përjashtim të ndonjë incidenti të vogël.
E gjitha me kërkesën e largimit të qeverisë aktuale të majtë, ndërkohë që dëshpërimi dhe zhgënjimi ndihet në fytyrat e shumë bullgarëve. Giorgi, një student në “Sofiski”, universiteti më i madh në qendër të Sofjes, nuk ngurron të shprehë indinjatën e tij për periudhën më të pazakontë që ka ndodhur ndonjëherë në vendin e tij pas komunizmit. E teksa nuk qëndron duarkryq kur shikon dhe kolegët e tjerë që marshojnë me parulla dhe pankarta në duar drejt Parlamentit, shprehet se gjithçka po organizohet pasi qeveria i ka gënjyer. “Na thanë se kriza e gazit për shkak të ndërprerjes nga Rusia nuk do të ndikonte aspak për Bullgarinë. Pasi sipas tyre, ne kishim rezerva edhe për katër muaj të tjerë pavarësisht se ç’ndodhte në rajon”, - shprehet ai.
Po kështu, Nikolai, një tjetër student që ka marrë pjesë për dy ditë rresht në manifestime, nuk harron të përmendë dhe dhunën e policisë ndaj kolegëve të tjerë. “Disa nga shokët tanë janë arrestuar, atëherë kur duhet të ishte thjesht një protestë paqësore, ajo e djeshmja (për të mërkurën)”.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona, për më tepër kur shikojmë se dita-ditës vendi ynë citohet si shpërdoruesi më i madh i fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian”, - thotë ai. Mendimit të tij i bashkohen dhe shumë syresh të tjerë, ku sipas tyre dimri që ka pllakosur këtë vit në Bullgari është shumë I ashpër, ndërkohë që në banesat e tyre nuk ndihet as ngrohja më minimale.
Por jo vetëm kaq, gjatë ditës së djeshme para Parlamentit pjesëmarrësit kanë insistuar për përcaktimin e strategjisë për arsimin e lartë, subvencione adekuate për bujqësinë, moratorium mbi ndërtimin në territoret e mbrojtura në kuadrin e “Natura 2000”.
Megjithatë, nuk duket se ndan të njëjtin mendim qeveria aktuale e kryesuar nga socialistët.
Të cituar nga agjencia e lajmeve “focus-news.net”, ata janë duke marrë masat për krizën e gazit në vend, dhe për këtë janë lajmëruar dhe qytetarët. Kështu, duhen vetëm disa ditë për të ndryshuar gazin që ka mbetur në tubacione me një lëndë tjetër, mazut, në tubacionet e konsumuese bullgare, që ata të kenë mundësi të ngrohen.
Nga ana tjetër, policia në Sofje pas protestave të dhunshme të së mërkurës është shprehur se janë provokuar nga protestuesit të cilët kanë hedhur gurë, topa bore, madje janë kapur dhe disa me granata në duar.
Zanafilla e gjithë problemit duket se filloi rreth dhjetë ditë më parë pas vendimit të Kryeministrit rus, Putin, për të ndalur transportimin e gazit për në Ukrainë, u bazua në rekomandimin e drejtorit të “Gazprom”-it, Aleksei Miller. Në atë kohë, zyrtarët ukrainas njoftuan se Rusia i ndërpreu furnizimet disa orë para takimit Putin-Miller. Kievi tha se ishte pikërisht kjo ndërprerje që detyroi Ukrainën të mbyllte tubacionet e gazit që furnizojnë Evropën. Sakaq, zëdhënësi i kompanisë ukrainase të gazit, Valentin Zemlianski, i tha “Zërit të Amerikës” se sistemi i tubacioneve të gazit në vend po shfrytëzohej tashmë për të mënjanuar ndërprerje të furnizimeve në Ukrainën Lindore. Sipas tij, sistemi ukrainas nuk është bosh, pasi po punon nga rezervat, që do të thotë se gazi po nxirret nga cisternat nëntokësore në Ukrainën Perëndimore dhe po dërgohet për konsumatorët në pjesën lindore të vendit.
Ndërkohë që vetëm një ditë më parë, në një takim në Kiev me homologen e tij ukrainase, Julia Timoshenko, Kryeministri bullgar, Sergej Stanishev, paralajmëroi se në planin politik konflikti me gazin midis Kievit dhe Moskës do ta dëmtojë më shumë Ukrainën se Rusinë.
Sipas radios nacionale bullgare, gjatë ditës së djeshme, referuar takimit të dy kryeministrave, Stanishevi vuri në dukje se për rregullim të konfliktit duhet të zgjidhen dy probleme kryesore: të sigurohen mundësi teknike për rifillimin e transportimit të gazit dhe dhënia e garancive përkatëse se një situatë e ngjashme nuk do të përsëritet. Timoshenko apeloi që takimi i nivelit të lartë i vendeve transite dhe konsumuese të gazit rus, i propozuar nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev, të zhvillohet në një vend neutral. Sipas bilancit të deritanishëm të policisë së Sofjes, cituar nga “dnes.bg”, gjatë dy ditëve janë arrestuar 158 veta, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale dhe rreth 20 veta janë të plagosur.