Ditari i Reshat Agajt: Takimi me Kadri Hazbiun,- E more Reshat ,a fitove luften
VËLLAI I PENGUT
(Vijon nga numri i kaluar)
Nga Dalip Greca
Reshat Agaj, pas kthimit nga Shkodra, u takua me një mik të familjes dhe me dajën e tij, të cilët i thanë se kishin marrë një letër nga Shefqet Musaraj, që u garantonte se nuk do të kishin pasoja. Vetë ata kishin vendosur që të dilnin partizanë dhe i propozuan edhe atij që t’i shoqëronte në mal. Me ta ishin edhe 15 xhandarë të komandës së Tiranës, të gjithë vlonjatë, që kishin vendosur të dorëzoheshin tek komunistët. Bashkë me ta shkoi dhe Reshati. Nga mesi i natës arritën tek partizanët, të cilët, pasi i çarmatosën ata që kishin armë me vete, i përcollën në një kamp afër Tiranës dhe i mblodhën në ca varreza të rrethuara me tela. I lanë aty përtokë, duke u dhënë vetëm një copë bukë misri në ditë. Aty qëndruan, derisa gjermani i fundit e la Tiranën. Në këtë fushë vuajtjesh ishin mbledhur gati 4000 njerëz, të ardhur nga Tirana ose të kapur nga partizanët në lagje të ndryshme të Tiranës dhe të sjellë aty si të arrestuar. Një komision partizanësh seleksiononte turmën; një pjesë të gjykuar si të fajshëm i përcollën në burgje të rrethit prej nga ishin dhe një pjesë i bënë ushtarë dhe i shpërndanë nëpër brigadat partizane, që do përdoreshin këtej e tutje për të shtruar vendin dhe për të ndjekur pas fuqitë gjermane deri në thellësitë e Jugosllavisë. Në këtë pjesë të partizanëve bënin pjesë dhe një kushëri i Reshatit, Nexhat Hysni Rrapua dhe Selim Abedini nga Smokthina, ish-ballist. Selimi u vra në Bosnje dhe Nexhati mbeti sakat përjetë.
Ish-ballisti në radhët e brigadës partizane
Reshatin nuk e caktuan në brigadat që mësynë drejt Jugosllavisë, por në forcat që u përdorën për të shtruar veriun. Atë, bashkë me Demir Kallaratin, ish-oficer intendence në kohën e Zogut dhe shumë oficerë të tjerë, i futën në brigadën e 23-të, që do të kalonte në Shalë, Shosh dhe Pukë për të shërbyer si ushtarë të thjeshtë, për të larë, sipas tyre, gjynahet që kishin bërë, ngaqë në kohën e okupacionit kishin marrë anën e nacionalistëve.
Pas katër ditësh qëndrim në Shkodër, brigada mori rrugën e malësisë dhe, pasi kaluan urën e Mbishkodrës, u drejtuan për në Dukagjin. Ai kujton se ushtria partizane ishte e veshur keq. Morrat sapo kishin filluar t’ia përshkonin trupin Reshatit. Kjo ndodhte se flinin të gjithë përdhe, në dysheme shtëpish pa shtresë e pa mbulesë, me ose pa rrogoz, pesë a gjashtë partizanë shtrirë rreth një vatre me zjarr, morrat bridhnin lirisht nga njëri tek tjetri, kështu që për pak kohë të gjithë u mbushën plot. Aventura vazhdon; kolona kalon në Gurin e Kuq, më pas anës Drinit të rrëmbyeshëm dhe kudo priteshin me kureshtje nga fshatarët, që nuk kishin parë asnjë partizan gjatë luftës. Shkuan deri në katundet e para të Shalës, duke u ngjitur si dhitë e egra nëpër rrugë malesh, që s’kaloheshin dot nga kafshët, por vetëm duke u mbajtur dorë për dore me njëri-tjetrin. Arritën në një fshat, ku kaluan natën. Në vend të bukës që u mungonte, për darkë u piqnin gështenja. Bora kishte mbuluar vendin dhe ata mbetën aty plot pesë ditë.
Takimi me Kadri Hazbiun: - E more Reshat, a e fitove luftën?
Prej Shalës u hodhën në Pukë dhe aty, ashtu si në Tepelenë, nuk pushonte era kurrë. Në rrugën që vinte nga Prizreni në Shkodër takoi Kadri Hazbiun me të vëllanë Hasanin, që po ktheheshin nga Kosova në këmbë, se të gjitha urat ishin shembur nga gjermanët në tërheqje. Ai kujton se ishte një ditë me shi dhe kolona ishte në një rrugë afër Pukës. Kadriu, megjithëse Reshati ishte veshur keq, e njohu menjëherë dhe qëndroi e kërkoi leje nga komisari që ta takonte. Komisari, që ishte nga Mati, kujtoi se ata deshën ta arrestonin dhe qëndroi kolonën në ecje, duke pritur ç’do të ngjasë. Kadriu, që me fjalën e parë e shpotiti duke i thënë me tallje:
- E more Reshat, a e fitove luftën, a?
I katandisur si mos më keq, me këmbë të ënjtura nga i ftohti, plot lyrë e morra, mori guxim e ia ktheu:
- Në qoftë se kam bërë faje kundër jush, më merrni e më futni në burg e më dënoni sa të jetë ligji, jo po lëromëni, të lutem shumë, se kështu më duket se jam i dënuar me vdekje e se kjo jetë nuk durohet.
Kadriu kur e pa në atë gjendje, i premtoi:
- Sa të mbërrij në Tiranë, do t’i them Hysniut të të transferojë në Tiranë.
Kadri Hazbiu ishte kushëriri i largët i Reshatit. Nëna e tij ishte mbesë tek Imerajt, nga fisi i Imer Agajt dhe Resul Imerit, që ishin gjyshërit e Agajve. Kadriu ishte ai djalë, që hallë Xhevua, siç e thërriste Reshati të ëmën e Kadriut, ia kishte lënë në kujdes në kohën e italianëve, kur ishte student në Shkollën Tregtare të Vlorës dhe tani kishte rastin t’ia shpërblente.
Kaluan dhe dy muaj në ato anë duke bredhur fshat më fshat dhe mal më mal në pisk të dimrit, kur brigada arriti në Theth të Shalës, vendi më i lartë i atyre anëve, Reshati mori një ftohje të rëndë sa mezi merrte frymë.
Ndërkohë, nga Vlora merr lajmin tragjik se djali që i kishte lënë e shoqja, e ndjera Shpresë, kishte vdekur. Ishte një ditë plot diell, kur mori letrën nga Vlora. Ishte shtrirë në shullë rreth një bregu. Kundrejt kishte kishën katolike të Thethit. Lexoi letrën me një frymë dhe nën tingullin e kambanave u shkreh në vaj. Mallkoi fatin!
Pasi qëndruan një javë në Theth të Shalës, u kthyen në Shkodër, se plasi kryengritja e Koplikut, e major Llesh Marashit dhe bajraktarëve në kufi me Malin e Zi. Sapo arriti brigada në Shkodër, në qendër të komandës kishte takuar një të njohur, Demir Kallarati, që ishte intendent, ashtu siç kishte qenë në kohën e Zogut dhe i kishte thënë komandantit të brigadës se Reshati kishte qenë drejtor banke dhe se u duhej që të punonte në zyrën e intendencës. Komandanti i brigadës ishte Haxhi Seseri nga Kruja, daja i Abaz Kupit. Haxhiu kishte dhënë pëlqimin e tij dhe menjëherë Reshatin e morën në zyrën e intendencës.
Një ditë maji e kërkojnë në brigadën e 23-të. Partizani që u paraqit, nuk i tha se kush e kërkonte. Nuk u desh shumë mundim të mësonte se ishte nipi i tij, Kadri Hazbiu, kapiten i policisë së fshehtë në Tiranë, që ishte interesuar përmes shokëve të tij të luftës, Shefqet Musaraj dhe Petro Marko, njëri daja i tij (Shefqeti) dhe sekretar i Ministrisë së Kulturës Popullore dhe tjetri shok i vjetër i shkollës tregtare, në atë kohë drejtor i gazetës “Bashkimi”. Këta kishin çuar lajm që të shkonte në Tiranë, të shërbente si stenograf në atë gazetë. Nuk e kërkuan me mbiemrin e tij, Agaj, por Reshat Bajrami. Kadri Hazbiu ia kishte hequr mbiemrin Agaj, që ishte me shumë bela se tre Agaj, me Ago Agajn në krye, ministër me të huajt dhe të shpallur si kriminel lufte, e kishin bërë të padëshiruar për komunistët atë mbiemër.
STENOGRAF NË GAZETËN “BASHKIMI”
Shkoi në Tiranë dhe menjëherë mori punën si stenograf, duke pasur për detyrë të merrte shënim lajmet më interesante dhe veçanërisht komentet e ditës nga radiot e Londrës, Moskës, Athinës dhe nga ndonjë tjetër dhe të nesërmen i zbardhte këto shënime me anën e një vajze daktilografiste, që punonte bashkë me të. Të vetmit stenografë që numëroheshin asokohe në Tiranë ishin Reshati, Gjysh Benusi nga Shkodra dhe Hivzi Ponani nga Korça. Dy të fundit kishin shërbyer si stenografë në Parlament në kohën e Zogut.
Reshati kujton se përveç detyrës që kishin për të marrë shënimet radiofonike, shkonin shpeshherë nëpër gjyqet që mbaheshin në atë kohë kundër personaliteteve shqiptare të kohës së okupacionit. Së bashku me Gjysh Benusin, ai kujton se mori pjesë në gjyqin e madh të majit 1945, ku u gjykuan Bahri Omari, Kolë Tromara, Ismail Golemi, Koço Kota e shumë e shumë të tjerë, gjithsej nja 50 vetë. Pastaj ka marrë pjesë gjithnjë si stenograf në gjyqin e Sami Qeribashit e Xhavit Kokës me shokë e në gjyqin e famshëm të Patër Anton Harapit, Lef Nosit e Maliq Bushatit, në janar të 1946-s. Reshati kujton se ai merrte shënimet për gazetën, kurse gjyqi kishte sekretarët e tij dhe shënimet ia kalonte redaksisë, e cila merrte ato që dëshironte për t’i botuar dhe të tjerat i hidhte në shportë.
Në gazetën “Bashkimi”, si stenograf, fati, siç shprehet ai, e shpëtoi nga mundimet e poshtërimet e ushtrisë partizane dhe të paktën kishte një triskë buke dhe një restorant, ku hante bashkë me nëpunësit e tjerë, ku nuk mund të hante populli i thjeshtë. Rroga nuk ishte e madhe, por ai kishte paret e veta, që deri në ato momente nuk ia kishte prekur kush.
Ai kujton se më pas Tirana u mbush me ushqimet e çokollatat e UNRA-s (Organizata Ndihmëse Amerikane e Pasluftës), e cila e mbushi Tiranën me bukë të bardhë si bora dhe me lloj-lloj ushqimesh e artikujsh. Erdhën pas saj dhe misionet ushtarake e amerikane, që u pritën me ftohtësi nga qeveria dhe me gjithë zemër nga populli shqiptar, i cili mendonte dhe shpresonte se ditë të mira, ditë lirie, do të vinin për të nga ndikimi i aleatëve të mëdhenj, fituesve të luftës së madhe. Reshati shkruan në ditar: “Shtypi komunist përditë i binte kokës edhe Anglisë, edhe Amerikës, në fillimin e Luftës së Ftohtë, që atëherë kish filluar me ngut në të dy anët e perdes së hekurt. Rusia nuk binte asgjë ndër ne, veç ç’merrte ajo dhe Jugosllavia nga ekonomia jonë e shkatërruar nga lufta. Për ata kishte veç fjalë të mëdha e të ëmbla, si aleatët e përjetshëm të Shqipërisë, si vëllezërit e proletariatit, kurse për anglezët dhe amerikanët, që e mbushën Shqipërinë me bukë dhe ilaçe, veçanërisht me DDT, që e shpëtoi popullin nga malaria e morrat, asnjë fjalë të mirë, asnjë fjalë mirënjohjeje! Me të vërtetë, të vinte ndot në këtë kohë ta quaje veten shqiptar. Shqiptari ka pasur traditë që ta nderojë mikun që i vjen në shtëpi dhe ta presë me bukë e zemër, me atë që i ka dhënë Zoti, ndërsa komunistët jo vetëm që s’u dhanë gjë këtyre miqve, që po u binin kaq të mira dhe i mbushën me armë e flori gjatë luftës, po i shanin e i përdornin në një mënyrë me të vërtetë të neveritshme. Veçanërisht shtypi komunist”.
Ai kujton se rusët dhe jugosllavët e zbrazën tregun shqiptar. Sjell si shembull se kur Shefqet Musaraj u kthye nga një vizitë e shkrimtarëve shqiptarë në Moskë, i tregoi se në një magazinë moskovite kishte gjetur sapun “Luks” të fabrikës Pogu të Shkodrës sonë, kurse në Tiranë s’gjeje një copë sapun të tillë, sikur të vrisje shtatë, si i thonë.
Antiamerikanizmi i komunistëve
Nën shtytjen e pashmangshme jugosllave, që të spastronin Shqipërinë nga ndikimi anglo-amerikan, qeveria komuniste bëri hatara kundër njerëzve të pafajshëm, për të kompromentuar me çdo kusht anglo-amerikanët dhe për t’i detyruar të largoheshin nga vendi ynë. Jugosllavët, si duket, nuk kishin besim tek udhëheqësit e rinj shqiptarë dhe donin t’i komprometonin deri në pikën e fundit me aleatët dhe t’i lidhnin kështu pas qerres së tyre, t’i bënin lolo të tyre, të mos u linin më asnjë rrugë që të bënin një politikë të pavarur shtetërore në interes të veçantë të vendit. Në këtë kohë, vera e 1946-s, u bënë gjyqet e Sami Qeribashit me shokë, për të demaskuar Misionin Anglez dhe anëtarët e tij, i cili u largua nga Shqipëria në gusht të 1946-s, për të mos u kthyer më prapa, saqë dhe sot e kësaj dite Anglia nuk ka përfaqësi diplomatike në vendin tonë.
Në muajin nëntor 1946, pas gjyqit të të ashtuquajturve inxhinierë të Maliqit, u largua nga Shqipëria edhe Misioni Amerikan, bashkë me të famshmin arsimtar dhe mik të Shqipërisë, Harry Fultz, dhe ata për të mos u kthyer më gjer më sot, pas kaq ngjarjeve dhe rrëmujave nëpër të cilat u përshkua vendi ynë fatzi. Gjatë këtyre kohëve, si mund të merret me mend, në fillimin e një revolucioni të dalë pas një lufte të përgjakshme vëllavrasjeje, në një Shqipëri me një pozitë shumë të dobët e të rrezikshme diplomatikisht, popullata gjendej në mes të katër rrugëve, se nuk dinte nga t’ia mbante. Të gjithë, si ata që kishin marrë pjesë pro lëvizjes nacionalçlirimtare, si ata që nuk kishin marrë pjesë me të, po që e shihnin në rrugën pa kthim që kishte zënë kjo lëvizje, ishin kundër këtyre ngjarjeve të pamend dhe të rrezikshme dhe thashethemet e çdo lloji qarkullonin rëndom, posaçërisht kur u larguan të dyja misionet aleate nga Tirana. Në Vlorë gjendej i arratisur kushëriri im, Lahe Nuro nga Bolena. Me shumë të tjerë dhe ai vente e vinte në shtëpinë tonë në Amonicë dhe në shtëpitë e kushërinjve të mi, Nuredinajve. Mua në Tiranë m’i binin lajmet e lëvizjeve të tyre.
Në një pritë midis Gjormit e Velçës, në maj 1946, u vra heroi Lahe Nuro, që kishte bërë kaq shumë aksione të çuditshme dhe shumë të guximshme kundër elementëve komunistë, deri brenda në qytetin e Vlorës. Ai kurrë nuk desh të largohej nga vendi që e lindi dhe e rriti, po, siç duket, desh të derdhte gjakun aty në vendin e tij, në vatanin e nënës e të babës. Vrasja e tij ndodhi natën, kur ai me shokët e tij desh të merrte përpjetë Kurveleshin dhe ndeshi pa kujtuar në një pritë, ku një plumb mizor e mori në zemër këtë hero, që do të kujtohet përherë në trojet tona si një shembull i një heroi të pafat, por jashtëzakonisht guximtar. Vetëm të nesërmen e gjetën Lahen shtrirë, rrëzë një lisi me flamurin me shkabë pështjellë në gjoks dhe në gojë kishte përtypur disa dokumente të fshehta, për të mos u rënë në dorë komunistëve. Shati e mëson në vitin 1951, kur doli në Greqi dhe takoi Izet Vrazhon, shokun e Lahe Nuros, që ishte me të asaj nate.
Në Amerikën e largët, ku shkruante kujtimet e ditarit, Reshati sjell ndërmend vargjet e një poeti popullor, kushtuar Lahe Nuros:
Në mal të Dukatit një mjegull ka dalë,
Në mal të Bolenës bora paska rarë.
Një flamur i kuq fluturon me zhgabë,
I bën hije besnikut, që i ndenji pranë.
Zhgaba e përlotur Lahe Nuron qanë...
Vetë Reshati shkroi një poezi kur ishte në Kanada dhe e botoi në gazetën “Djalëria” të Legalitetit në Kanada. Lahe Nuro ishte kushëriri i atit të tij, që ishte dhe nip në fisin e Lahes, në Bolenën e trimave.
PLAGOSET NË ITALI AGO AGAJ
Reshati shkruan në ditarin e tij se Ago Agaj u plagos në Itali nga një armik personal i familjes. Sipas tij, hasmëria kishte nisur kohë më parë për shkak të një ngjarjeje tragjike në mal, atje ku veronin dhentë e Agos. Një natë çobanët vranë një kusar, që doli se ishte kushëriri i atij që desh t’i merrte jetën Agos. Mehmet Karemani nga Lopësi i Tepelenës, pasi u kishte dhënë fjalën miqve të përbashkët se nuk kërkonte hakmarrje, në mërgim e qëlloi tradhtisht Agon me dy plumba në mushkërinë e djathtë dhe e plagosi rëndë. Plagosja e Agos i nxori problem Reshatit.
Një mëngjes qershori të vitit 1946, kur shkoi në zyrën e gazetës “Bashkimi”, e thërret në zyrë drejtori dhe e pyeti: “Çfarë e ke ti Ago Agajn?” Iu përgjigj aty për aty, pa ditur pse-në e pyetjes se e kishte kushëri të largët dhe se ishin nga një katund.
“Ja, - tha duke i hedhur gazetën e atij mëngjesi përpara, - si e pësojnë tradhtarët nga dora e vetë tradhtarëve”.
Kur mori në dorë gazetën, Reshati mësoi se në Regio Emilio të Italisë, ish-ministri i Ekonomisë në kohën e gjermanëve, Ago Agaj, u vra nga një i ikur tjetër për hakmarrje personale.
Reshati e përshkruan kështu gjendjen shpirtërore në ato çaste: “Është një gjë e tmerrshme që të marrësh një lajm të tillë për vrasjen e një vëllai dhe të mos mundesh as të qash dot. Vetëm ai që ka kaluar nëpër prova të tilla të rënda, e di se çfarë dua të them. E kalova këtë ditë si një njeri i helmuar e i trullosur nga alkooli e s’dija ç’të bëja e nga të shkoja. Në atë darkë, vajta në dhomën ku banoja bashkë me kushëririn e parë të Agos, Hysni Hamzon, dhe së bashku e qamë vëllanë tonë. Kur po bisedonim për këtë ngjarje, Hysniu më tha sikur të diktonte diçka të fshehtë nga brenda: “More Reshat, zemra nuk ma thotë që është vrarë Agua, nuk ma ndjen, nuk e di se ç’të të them, diçka brenda më thotë mbahu e mos e qaj Agon, se është i gjallë”. Në këto fjalë Vezikua, e shoqja e Hysniut dhe bija e dajës, e mori fjalën e tha:
“Pse nuk thërrisni Miron, një fallxhore jevgë, që banon në një kolibe aty afër në Rrugën e Durrësit dhe ajo jua gjen çdo gjë në filxhanin e kafesë?” Ashtu bënë. Fallxhesha e gjeti të vërtetën në filxhan të kafesë dhe i tha Reshatit:
“Ti bir paske shumë njerëz të ikur jashtë shtetit, por paske më të afërt tre vetë, një, dy, tre... më i madhi i tyre qenka i sëmurë nga stomaku dhe qenka në spital, por s’ka gjë të keqe. Pas nja 16 ditëve do të dalë nga spitali shëndoshë e mirë”.
Kur Reshati shfaqi mosbesimin e tij, fallxhorja tha: “Në vdektë ky, eja të më vrasësh mua në koliben time. Të siguroj që ai do të dalë nga spitali shëndoshë e mirë”.
Biseda me Kadri Hazbiun
I inkurajuar nga fjalët e fallxhores, Reshati shkoi në një restorant, ku hante bukë Kadri Hazbiu, asokohe kapiten i Sigurimit, të cilit iu lut që t’i jepte lajme më të sakta, mbasi qeveria kishte një mision të saj në Bari dhe tërë lajmet i merrte që andej çdo ditë. Atëherë nuk kishte asnjë mundësi të merrje lajme direkt nga Italia, se sapo kishte mbaruar lufta e çdo gjë ishte shumë e kontrolluar. Kadriu e priti shumë mirë, kur e takoi. Duke njohur tipin e ish-ministrit të tmerrshëm të Ministrisë së Brendshme, Reshati shkruan: “Ai ka një natyrë të çuditshme dhe nuk merret vesh kur e ka me të vërtetë dhe i dhemb zemra e kur nuk i dhimbset e nuk i intereson asgjë. Di shumë mirë, në mënyrë të përsosur, të fshehë ndjenjat e tij të vërteta”.
Dhe duke iu drejtuar dy oficerëve të tjerë, që ishin aty afër u tha:
“A e dini kush është ky që qëndron afër meje? Ky është kushëriri i Ago Agajt, atij armikut të popullit tonë, që u vra në Itali dhe do të dijë si vate fati i tij”.
Ai qeshte me të madhe pa asnjë dhimbje, pa asnjë shenjë gajleje, megjithëse edhe ai kishte me Agon një lugë gjaku të përbashkët.
Pas një jave nga ky takim me Kadriun, njëri nga zyra e Petro Markos, që ishte atëherë për pak kohë drejtor i “Bashkimit”, e njoftoi se dikush donte të fliste në telefon me të. Linjat e telefonit në Tiranë ishin linja krejtësisht zyrtare dhe asnjë privat nuk kishte një privilegj të tillë.
E mori telefonin në dorë:
- Alo, këtu është Reshat Agaj, kush jeni ju, ju lutem?, - shqiptoi me zë të pasigurt.
- Reshat, - foli zëri nga ana tjetër, - a lajmërove atje për atë?
Përnjëherësh u kujtua se kush fliste dhe iu përgjigj:
- Jo.
Ai nga ana tjetër më shtoi:
- Mirë ke bërë, - dhe e mbylli telefonin.
Ky ishte kushëriri i tij, Kadri Hazbiu, që indirekt i dha lajmin se Ago Agaj ishte gjallë. (Vijon në numrin e ardhshëm)