E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimandatimi, Presidenti Sejdiu uron Berishën



Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i dërgoi dje një telegram urimi Kryeministrit të Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, me rastin e rizgjedhjes së tij në postin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe formimit të qeverisë së re. Duke i shprehur urimet më të mira për rizgjedhjen e tij, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerëson rolin dhe kontributin e veçantë të Kryeministrit Berisha në proceset e rëndësishme historike dhe arritjet e mëdha të Shqipërisë. Sejdiu shkruan në mesazh: “Z. Kryeministër, dua t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës me rastin e rizgjedhjes suaj Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Republika e Shqipërisë tashmë ka kapërcyer procese të rëndësishme e historike dhe kontributi Juaj në këto arritje të mëdha ka qenë tepër i veçantë. Duke qenë se sfidat dhe synimet tona janë të përbashkëta, ne jemi të përkushtuar që të punojmë së bashku për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të dy vendeve tona dhe të të gjithë rajonit”. Mesazhi i z. Sejdiu përfundon me fjalët: “Proceset demokratike nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova kanë hapur mundësi të panjohura më parë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha nivelet. Le të shpresojmë se këto zhvillime do të rriten me ritme të vrullshme!”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›