E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e talentit Aldo në Romë

 

Është për t’u krenuar me çdo shqiptar që arrin rezultate të larta në sporte, edhe jashtë vendit. Këto i dedikohen punës së tyre, si dhe fatit që jetojnë jashtë vendit. Sa për Shqipërinë, ajo as ata që janë kampionë nuk i trajton si duhet. Një shkrim i “Shekullit” mbi djemtë dhe vajzat që largohen për karrierë sportive jashtë vendit, për shkak se Mëma, ose Njerka më mirë nuk denjon t’i afrojë, më solli ndër mend një ngjarje aktuale.

Në Itali, në rrethinat e Romës jeton një i ri shqiptar me familjen e tij. Ky djalë i ri që quhet ALDO GORREJA, lindur në Divjakë por banues prej 15 vitesh në ROMË, duke u stërvitur me trajnerë karateje ish-kampionë, arriti që të fitonte Shiritin e Zi në karate. Kur ishte 17-vjeç ai ishte Kampion edhe ndaj atyre të moshës 20 vjeç. Duke e njohur personalisht dhe duke patur miqësi me familjen e tij u interesova në Tiranë pranë Federatës që ta shikonin si element dhe në rast se do t’u pëlqente, të përfaqësonte edhe Shqipërinë në ndeshjet ndërkombëtare. Në pushimet e verës të vitit 2004 ai kish ardhur nga Italia për pushime. Kështu unë krijova mundësinë që të provohej përpara specialistëve të karatesë shqiptare. Sekretari i Lojërave Olimpike, si dhe një përfaqësues tjetër nuk e mbajtën të qeshurën kur ky djalë 17-vjeçar hodhi përtokë tri herë radhazi, brenda 30 sekondave, vetë trajnerin e Karatesë (PARID e quanin). Ky trajner, i skuqur nga turpi që u hodh përtokë nga një 17-vjeçar përpara nxënësve dhe eprorëve të tij, pati kurajën që në fund t’i shtrëngonte dorën dhe t’i thoshte: “Bravo, Aldo, je shumë i fortë! Po kështu, në një takim tjetër provë që i organizoja vetë unë miqësisht, ai mundi Kampionin e Dinamos për Karatenë që mbahej më i miri dhe do përfaqësonte Shqipërinë në Lojërat Ballkanike. Federata Shqiptare këtë djalë kurajoz e fjalëpakë, as e mori mundimin ta organizonte me Kombëtaren edhe kur ai ishte gati t’i hiqte vetë shpenzimet e udhëtimeve. Ky është një rast që kam qenë vetë prezent, por sa dhjetëra raste të tilla i humbin vendit tonë, vetëm sepse ne (Federata) shikojmë se sa para do të marrim personalisht dhe aspak për dinjitetin kombëtar. Pastaj bëjmë si atdhetarë dhe shajmë Pirro Dhimën me shokë që përfaqësojnë shtete të huaja, ndërrojnë nënshtetësinë. Për mendimin tim, mirë bëjnë sepse jemi vetë ne që i përzëmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›