E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lihtenshtejni, miqësorja kuqezi në "Qemal Stafa"

 Kanë marrë fund vuajtjet institucionale të FSHF-së, por edhe ato profesionale të trajnerit të kombëtares sonë kuqezi, Ari Han, për të siguruar një miqësore për datën 20 gusht, datë e lirë kjo edhe nga UEFA për ndeshje të këtij lloji. Madje, fatmirësisht, është realizuar dëshira e holandezit të stolit kuqezi, që miqësoren e kësaj date ta zhvillojë në "Qemal Stafa". Konkretisht, më datën 20 gusht, në stadiumin tonë kombëtar, kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të luajë përballë një kundërshtari jo me shumë emër, Lihtenshtejni, duke bërë kësisoji të mundur ndezjen e "motorëve" të kuqezinjve për fazën kualifikuese në grupe, për Botërorin 2010. Një lajm i tillë është konfirmuar dje nga zyra e shtypit pranë FSHF-së. Pra, trajneri Han, para sfidës së parë zyrtare me Suedinë, po në Tiranë, ndeshjen e parë kualifikuese në grupin tonë, do të ketë mundësinë t'i shikojë edhe një herë tjetër të besuarit e tij, për të vendosur pastaj për listën e lojtarëve anti- Suedi. Në fakt, kjo miqësore ishte e domosdoshme për kombëtaren tonë, por edhe për trajnerin Ari Han, sepse bashkë kanë zhvilluar një zbor disaditor në gjermani, kanë luajtur dy ndeshje miqësore, me Shafhauzenin e Zvicrës dhe Poloninë, po në tokën gjermane, ndërsa më pas ka qenë heshtje e plotë. Kaq pak "bashkëpunim" mes trajnerit të ri kuqezi dhe grupit të lojtarëve që do të drejtojë, nuk është i mjaftueshëm për të vënë pikat mbi "I", para startit të një faze kualifikuese për në Botërorin 2010, aq më tepër kur dihet se grupi ynë ka kundërshtarë tejet të fortë, si Portugalia, Suedia dhe Danimarka. Trajneri Ari Han, sikurse tregoi edhe miqësorja me Poloninë, e vetmja për t'u konsideruar e tillë e kuqezinjve nën drejtimin e holandezit, nuk i njeh sa duhet lojtarët. Madje, si pasojë e kësaj, ishte edhe rreshtimi i Dallkut në qendër të mbrojtjes, një "non-sens" për kosovarin, apo përfshirja e Bylykbashit në vijën e parë të sulmit, kur dihet se roli i tij është ai i "regjisorit", si Skela. Pra, miqësorja e 20 gushtit ishte e domosdoshme, duke parë se kombëtarja kuqezi, edhe pse e kishte zgjedhur trajnerin pasues të Bariçit, kishte humbur shumë kohë në përgatitje. Kjo vinte si rrjedhojë e "luftës institucionale" shtet-FSHF, që u pasua më pas me pezullimin e përkohshëm të Shqipërisë nga UEFA dhe FIFA. Nëse kundërshtarët tanë, gjatë kësaj kohe pezullimi, luajtën disa ndeshje miqësore, ne "hapnim sytë". Koha ikte, kështu që trajneri Ari Han nuk kishte mundësinë ta shikonte ekipin në "aksion", duke luajtur përballë kundërshtarëve të ndryshëm. Kësisoji, ishte i detyruar vetëm të vëzhgonte lojtarë të ndryshëm me ekipet ku aktivizoheshin, por jo t'i kishte "nën një zgjedhë". Konfirmimi i Lihtenshtejnit, si rival i kuqezinjve më 20 gusht, në miqësoren pararendëse të zyrtares me Suedinë, është një lajm i mirë për Hanin. Ai do ta shfrytëzojë këtë "okazion" të fundit për t'i parë edhe një herë lojtarët që figurojnë në "menynë" e tij, për të sinkronizuar më tej lojën e grupit dhe për të krijuar një ide për skuadrën me të cilën do të përballojë Suedinë, në fillim të muajit shtator, po në stadiumin "Qemal Stafa". Fakti që kjo miqësore e 20 gushtit do të zhvillohet po në këtë stadium, është një plus i madh për Ari Hanin, sepse do të ambientohet edhe me tifozërinë kuqezi, por edhe me fushën e ndërkombëtarit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›