Ditët Kombëtare të Dhjetorit dhe komplekset e Edi Ramës

Edi Rama, nuk arriti edhe në ditët historike të dhjetorit, të dilte nga fobia e tij anti festave e anti ditëve kombëtare.
Disa ditë më parë, u përkujtua 8 dhjetori i vitit 1990, dita që ka hyrë tashmë në histori si Dita Kombëtare e Rinisë, por që Edi Rama, pretendenti për “leader” opozite, nuk u kujtua të dërgonte ndonjë përshëndetje. Përpos fobisë së demonstruar prej tij, Edi Rama prishi një traditë disavjeçare, kur në këtë datë, përkundër mërive mes tyre dhe llogoreve në kampe të kundërta, kanë përshëndetur këtë datë, shumë domethënëse për Shqipërinë.
Përveç të tjerave, kjo sjellje e Edi Ramës zhvlerëson zhurmën e tij për “politikën e re”, kur ai demonstron, jo me fjalë por me vepra, se në konceptet e tij “politika e re” janë ish-ministrat e Ramiz Alisë, për atë që ata ishin në kampin e kundërt me studentët e dhjetorit të 18 viteve më parë dhe që sot ai, kandidati për “leader” opozite, ç’nuk po bën për t’i mbajtur këta “shumë të vjetrit” e “politikës së re”, ende në politikë.
I kompleksuar nga ai dëbim që Edi Ramës, i bënë 18 vjet më parë nga aspirata e tij, për t’u përfshirë në radhët e anëtarësisë së Partisë Demokratike, kreu i tanishëm i Partisë Socialiste, nuk u kujtua dje, për të dërguar një përshëndetje, më tepër se kryetarit të PD-së Sali Berisha, popullit shqiptar, për atë që 12 dhjetori i vitit 1990, është skalitur jo vetëm si një datë themelimi e një partie, por për më tepër si data e themelimit të pluralizmit shqiptar.
Edi Rama, mund të pretendojë në monologë televizivë me aktivistët e “Mjaft”-it për atë se si ai 18 vjet më parë, me dy tubime të tipit “Refleksion” (i treti, sipas vetë Edi Ramës nuk u realizua për shkak të mosgjetjes së një salle), ka qenë grushtdhënësi vendimtar i diktaturës komuniste. Por për aq kohë sa ai dhe vetëm ai e besojnë këtë ëndërr të parë nga Edi Rama me sy hapur, nuk është asgjë më shumë se tregues i kompleksit të tij, për atë që për sa kohë që askush nuk e mban mend këtë “bëmë” të tijën, ai i njeh të drejtën vetes të bëjë në rastin më të mirë të paditurin, harraqin dhe në rastin më të keq, të vijojë të bëjë ziliqarin dhe fobistin përballë ngjarjeve të mëdha historike, duke gjetur ngushëllimin te data të tilla, që i ka me të dëgjuar, si 16 shtatori, 17 nëntori, apo 29 nëntori.