E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria vendi pa taksë kapitali, PS i quajti fermerët eskimezë

02-04-2013 / Gazeta 55

Kuvendi miraton projektligjin për heqjen e TVSH-së në bujqësi

“Ata që ju i quajtët eskimezë, unë ndihem shumë i lehtësuar që jua shpërblej atyre grave dhe burrave, të cilët ndërtojnë jetën me lumenj djerse dhe jo duke bërë kontrabandë poshtë e përpjetë, por zgjohen në 5 të mëngjesit dhe e lënë punën kur perëndon hëna”

Në seancën e djeshme plenare, Kuvendi votoi unanimisht, me 127 vota “pro” heqjen e TVSH-së në bujqësi, që synojnë përjashtimin nga TVSH-ja brenda vendit dhe në import, të lëndëve të para që përdoren në bujqësi dhe të kafshëve të racës, që gjithashtu përdoren në bujqësi.
Sipas kryetarit të komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, drafti është, “një hap i madh në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë dhe një ndihmë për fermerët në uljen e kostos së prodhimit bujqësor, përmes reduktimit të kostos së lëndës së parë të përdorur në bujqësi, përfshirë materialet bujqësore dhe kafshët e racës”.
Nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet në sektorin e bujqësisë do të përfitojnë rreth 350 mijë ferma në vend, ndërsa efekti financiar në buxhetin e shtetit i këtij ligji është rreth 30 milion euro. Por, për deputetët e opozitës, projektligje të tilla janë për efekt elektoral. Sipas tyre, këto p/ligje janë propozuar kohë më parë nga PS dhe nuk kanë gjetur mbështetjen e qeverisë. Duke reaguar ndaj pretendimeve të PS, kryeministri Sali Berisha deklaroi se shtesat në pr/ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, synojnë mbajtjen e çmimeve të arsyetueshme me qëllim rritjen e prodhimit dhe nxitjen e punësimit në vend.
Kryeministri u shpreh se reformat e qeverisë kanë sjellë zgjerim të të gjitha kategorive të rimbursimeve, për të papunët, për ndihmën ekonomike, etj.
“Sa herë mendoj thënien e vjetër greke se; “në ujërat e një lumi nuk lahesh dy herë”, por siç thuhet se çdo rregull ka edhe përjashtimin, ky përjashtim i takoi Sali Berishës. Nuk ka pasur njëri më me fat se unë në jetë dhe këtë jua them hapur. I takoi Sali Berishës ky përjashtim, sepse në vitin ‘95 unë vendosa këtë rregull, këtë ligj dhe sot e kësaj dite ai mbahet mend në memorien e biznesmenëve. Isha president me fuqi ekzekutive në atë kohë. Edhe njëherë rikthim aty ku ishim. Shqipëria vendi pa taksë kapitali, as financiar, as njëlloj kapitali. Çfarë do të thotë kjo. Kjo është ftesa më e shkëlqyer që ju bëhet biznesmenëve shqiptarë, kjo është ftesa më e shkëlqyer që ju bëhet biznesmenëve të huaj. Kjo është shtytja më e madhe, që i bëhet gjallërimit të biznesit në Shqipëri. Hiqet përveç  kësaj, çdo lloj takse mbi inputet bujqësore. Ata që ju i quajtët eskimezë, ata të cilët ju i dënuat për zonat e asgjësë, ata për të cilët ju shprehet me qindra herë, se atje nuk duhet të investohet, ata do të nderohen, do të ndërtojnë aty me begati jetën e tyre. Unë ndihem shumë i lehtësuar që jua shpërblej atyre grave dhe burrave, të cilët ndërtojnë jetën me lumenj djerse dhe jo duke bërë kontrabandë poshtë e përpjetë, por zgjohen në 5 të mëngjesit dhe e lënë punën kur perëndon hëna. Jua shpërblejmë të paktën duke ju hequr çdo lloj barre fiskale për prodhimin e tyre. Pra edhe ky ligj është një ligj, i cili do ti japë një nxitje të madhe, të fuqishme biznesit shqiptarë, bujqësisë shqiptare, zhvillimit rural, mëkëmbjes dhe begatimit të fermerëve shqiptarë. Tani çfarë ju mbettë juve! Ju mbetet momenti i fundit, ti votoni këto dy ligje, si akt pendese për të gjitha bllokimet që keni bërë në parlament. Ti votoni këto ligje, në një gjest miqësor ndaj atyre që i quanit eskimez. Të votoni këto ligje, në respekt të atyre të papunëve socialist, demokrat e të pa parti, që presin me padurimin krijimin e vendeve të punës”, tha kryeministri.
Për ministrin e Financave, Ridvan Bode “heqja e TVSH për mjetet dhe inputet ka një efekt 150 milion euro në buxhet”.
Kjo reformë, sipas tij, do të nxisë prodhimin, rritjen e të punësuarve dhe nga ana tjetër do vazhdojë të jetë motor i rritjes së ekonomisë”.
Bode shtoi se “bujqësia është në rrugë të mbarë, ajo ka marre ritmin e saj. Masat dhe reformat qe po marrim do të bëjnë të mundur industrializimin e bujqësisë dhe ajo do të jetë konkurrente në tregjet e rajonit dhe më gjerë. Eksportet bujqësore shqiptare do të mbajnë ritme të larta të rritjes ekonomike në vend”- tha ai.
Nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet në sektorin e bujqësisë do të përfitojnë rreth 350 mijë ferma në vend, ndërsa efekti financiar në buxhetin e shtetit i këtij ligji është rreth 150 milion euro.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›