E Shtunë, 31 Tetor 2026

126 vota “pro” për ndryshimet në ligjin “Për planifikimin e territorit”

02-04-2013 / Gazeta 55

Berisha: Merr fund epoka e betonizimit të Tiranës - pas vilës së Ramës në Dajt ka një mandat mbrapa

“Epoka e Edvinit groposet në mënyrë përfundimtare në kushtetutën e re të Tiranës. Ajo ishte koha e betonit, e shkatërrimit. A e dini ju se keni deputetët këtu që kanë blerë mandatet me vilën e Dajtit? E dini që vila e Dajtit ka një mandat mbrapa? Jua themi ne. Ne e lamë mënjanë këtë. Merr fund një epokë, e cila betonoi Tiranën”

Kuvendi miratoi dje me 126 vota “pro” dhe 1 votë kundër disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për planifikimin e territorit”, që synojnë rritjen e autoritetit të pushtetit vendor për zhvillimin e planeve zhvillimore urbanistike në territorin e Shqipërisë. Ligji i ri krijon mundësinë që për elemente të planifikimit të territorit autoritetet lokale të mos kenë nevojë ose detyrim të paraqitjes të çdo plani, qoftë ai pjesor ose më pak pjesor, tek organet qendrore, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit.
Duke folur për këtë p/ligj në seancë, kryeministri Berisha tha se me miratimin e tij “merr fund epoka e betonimit të Tiranës, e cila reduktoi në minimum sipërfaqen e gjelbërimit për kryeqytetasit”.
Sipas kryeministrit, me këtë votim në Parlament merr fund edhe praktika e shpërblimit me leje ndërtimi dhe bërjes milioner brenda natës vetëm për faktin se kishe teserën e Partisë Socialiste dhe se paguaje 20 përqindëshin pa bërë fjalë. “Kushtetuta e zhvillimit të kryeqytetit të vendit, u mor peng 11 vite me radhë nga një klan miliarderësh të Partisë Socialiste, të cilët nuk lejuan që kryeqyteti të bëhej në planin rregullues dhe të jetë i vetmi kryeqytet ne Europë pa një plan rregullues. Një plan i premtuar që në muajin e parë të mandatit nga kryetari aktual i Partisë Socialiste, por një plan i shtyrë në kalenda për të mos u realizuar kurrë prej tij. Ndryshimet që ju votuat në përputhje me planin kanë një rëndësi të madhe, sepse ato heqin autoritetin qendror të gjitha kompetencat e mëparshme të trashëguara nga regjimi i kaluar dhe ju kalojnë kryetarëve të bashkive dhe komunave të vendit. Ky ligj hap siparin e Tiranës moderne, Tiranës, e cila së shpejti në një hark të shkurtre 2 vjeçar, njeh fillimin e punimeve te bulevardit të ri, me gjerësi më të madhe sesa ai ekzistuesi, me gjatësi të njëjtë. Bulevard, që do të shndërrojë zonat periferike të Tiranës, zonat ku shkarkoheshin në mënyrë të paligjshme makinat e plehrave, sepse  nuk niseshin në Sharrë, pasi u vidhej karburanti makinave, tani do të jenë zona kryesore të metropolit, do të kenë bulevardin ndër më të bukurin në Europë. Bulevardi i ‘Dëshmorëve të Kombit’, Bulevardi  ‘Zogu i Parë’, dyfishohet në të gjitha parametra e tij, do të mbetet në memorien e shqiptarëve, momenti kur kryetari i bashkisë, si një i ngratë dhe i shkrete mbante thasët e plehrave dhe i shpërndante në bulevard, si dëshmi e respektit  të tij për qytetin dhe qytetarë. Keni përjetuar pra një moment dhe përjetoni një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për Tiranën, por për Shqipërinë, sepse Tirana është kryeqyteti  i të gjithë shqiptarëve. Do të shpërblehen të barabartë midis të barabartëve të gjithë, për pronën e tyre, si ai mbi truallin e të cilit ndërtohet, si ai, trualli i të cilit bëhet garazh, parking apo diçka tjetër. Praktika e lumturimit dhe ndëshkimit të qytetarëve të Tiranës merr fund.  I jepet fund urrejtjes patologjike 20-vjeçare ndaj tiranasve autoktonë për fajin e vetëm se shtëpinë e themelimit të partisë me votën e lirë e shpallën shtëpinë e turpit të kombit shqiptar dhe e rrëzuan atë; votuan Franko Kroqin në vend të diktatorit. Votimi i sotëm, është një votim i cili krijon premisa të plota për prosperitetin e të gjithë tiranasve që iu përdor trualli për ndërtim, parkim e çdo gjë tjetër, ndarë në pjesë të barabarta dhe jo njëri të lumturohej dhe tjetri të mjerohej. Këtu merr fund praktika e blerjes me leje ndërtimi e përdorur deri para dy vjetësh”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje keqqeverisjen e Tiranës nën drejtimin 11 vjeçar të Edi Ramës, platforma e të cilit kishte si qëllim shkatërrimin e qytetit dhe fuqizimin financiar të mafies së ndërtimit. Po ashtu, kryeministri theksoi se edhe në vilën e Ramës në Dajt, fshihet një mandat deputeti. “Epoka e Edvinit groposet në mënyrë përfundimtare në kushtetutën e re të Tiranës. Ajo ishte koha e betonit, e shkatërrimit. A e dini ju se keni deputetët këtu që kanë blerë mandatet me vilën e Dajtit? E dini që vila e Dajtit ka një mandat mbrapa? Jua themi ne. Ne e lamë mënjanë këtë. Merr fund një epokë, e cila betonoi Tiranën”, theksoi Berisha.
Kreu i ekzekutivit iu referua dhe projekteve të ardhshme në Tiranë siç janë ndërtimi i unazës së madhe dhe zgjatimi i Lanës në veri. “Ministri Olldashi ka hapur tenderin për ndërtimin e Lanës deri në largësinë e saj në veri. Pra, ju votuat kushtetutën, ne po e jetësojmë atë çdo ditë atë, në interesin më të mirë të qytetarëve të Tiranës dhe e meritojnë atë. Po ,sepse ne na besojnë. Tirana u çlirua, unaza është tenderuar. Pandeli (Majko), i nderuar zotëri, unë të vetmen gjë që të ftoj është që të vish të presim shirin e fillimit Lanës nga Ministria e Jashtme deri në fund, të presim shiritin e unazës, që është nga nyja afër TEG deri tek uzina ‘Traktor’, segmenti që lidh unazën me rrugën e Kavajës, janë të gjitha vepra. Problemi është se faktikisht ligji që ju votuat po jetësohet çdo ditë në kryeqytetin e vendit. Tirana po shpalos dhe do të shpalosë të gjithë potencialin e saj të madh, për tu bërë një nga kryeqytetet më të bukura të Europës”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›