E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorci Paskaleviç - Aliçkaj

Gati dy vjet më parë, regjisori i njohur serb, Goran Paskaleviç, deklaroi në Tiranë se dëshironte të kishte një bashkëpunim me një skenarist shqiptar. Ai tregoi se i kishte pëlqyer shumë filmi "Parullat" me regji të Gjergj Xhuvanit dhe skenar të Ylljet Aliçkajt dhe gjatë ditëve në Tiranë si i ftuar në Festivalit e Filmit me Metrazh të Shkurtër, dëshironte të kishte një darkë me skenaristin Aliçkaj. Pas kësaj darke, Paskaleviç pranoi se kishin rënë dakord parimisht të realizonin një film shqiptaro-serb, bashkëpunimi i parë i këtij lloji në kinemanë mes dy vendeve me shkrimtarin Aliçkaj. Ky i fundit ndryshe nga Paskaleviç tregoi më shumë rreth këtij projekti. Sipas tij, bëhej fjalë për tregimin e shkruar nga ai kohë më parë "Çifti", të cilin Paskaleviç e kishte lexuar në frëngjisht dhe e kishte pëlqyer. Mbi historinë e këtij tregimi do të ngjizej dhe rrugëtimi artistik mes dy vendeve që historikisht kanë qenë kundër njëri-tjetrit. "Çifti" tregonte jetën e një çifti bashkëshortësh nga fshati, që një ditë udhëtojnë të dy drejt qytetit të ftuar në një dasmë. Burri, një tipik malësor që kurrsesi nuk mund të ulej para së shoqes, gjatë kohës që i zë nata në një nga lulishtet e qytetit, për herë të parë në jetën e tij bën një gjest duke u kujdesur për të. Një histori në pamje të parë tepër e zakonshme, por që Paskaleviçin e kishte tërhequr në të tipari ballkanik i karaktereve.

Për njohësit e mirë të gjuhës që Paskaleviç përdor në prodhimet e tij kinematografike, kjo histori nuk mund të ishte subjekti që do të mund të tregonte marrëdhënien e gjatë historiko-politike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kohë më vonë, vetë Aliçkaj pranoi se subjekti kishte ndryshuar. Se bashkë me Paskaleviç ishin duke gjetur gjuhën e përbashkët mbi një tjetër histori që do ta bënte më interesant këtë bashkëpunim.

Ndërsa pritej që filmi shqiptaro-serb i quajtur tashmë "Muaj mjalti" të kishte firmën e Aliçkajt dhe Paskaleviçit, vetëm një javë më parë kur Qendra Shqiptare e Kinematografisë bëri publik prodhimet që do të financonte gjatë këtij viti, u pa se emri i Aliçkajt ishte zëvendësuar me emrin e producentit të këtij projekti, Genc Përmenti.

Gjatë zhvillimit të kësaj historie, shumë gjëra kishin ndryshuar. Tashmë Aliçkaj është ambasador i Shqipërisë në Francë, por gjithsesi ky angazhim diplomatik nuk mund të ishte pengesë për një bashkëpunim të tillë, me gjithë peshën e madhe që duhet të mbajë në supe një shqiptar, që duhet të mbajë balancat e historisë dhe të mos komprometohet me qëndrimin serb ndaj shqiptarëve në një prodhim kinematografik. "Paskaljeviçin e respektoj shumë si krijues, porse, përballë kompleksitetit të bashkëpunimit, pati pika apo këndvështrime që nuk u përputhëm", shpjegon Aliçkaj gjatë një interviste telefonike nga Parisi. Më poshtë, Aliçkaj tashmë ambasador i vendit tonë në Francë tregon arsyet e këtij divorci dhe si e vlerëson regjisorin Paskaleviç?

Z.Aliçka, disa ditë më parë Qendra Shqiptare e Kinematografisë miratoi një bashkëpunim shqiptaro-serb me regji të Goran Paskaljeviç dhe skenar të Genc Përmetit. Gjatë vizitës së tij në Tiranë Paskaljeviç deklaroi se pëlqente tregimet tuaja dhe se do bashkëpunonte me ju. Fjala është për të njëjtin projekt skenari?

Saktësisht, nuk e di se çfarë projekti ka fituar, por jo me skenarin apo mbi tregimet e mia. Nuk e di se çfarë përmban projekti. Di që jam shkëputur me dëshirën time nga ky projekt.

Atëherë pse ndodhi ky divorc artistik? Lidhet kjo me emërimin tuaj si ambasador i Shqipërisë?

Do kërkonte kohë shpjegimi mbi një bashkëpunim artistik shqiptaro- serb të këtij dimensioni, e në këto kohë me shumë ngarkesa emocionale dhe jo vetëm, porse në këtë rast, nuk ka lidhje me pozicionin tim të ri si ambasador, as nga ndonjë presion i caktuar. Paskaljeviçin e respektoj shumë si krijues, porse, përballë kompleksitetit të bashkëpunimit, pati pika apo këndvështrime që nuk u përputhën.

Një ndarje me inat?

Ndofta, por në pamje nuk manifestuam ndonjë agresivitet të dukshëm artistik. Por pa dyshim ndarje të tilla nuk mund të mos kalojnë apo nënkuptojnë mllefin apo hatërmbetjen.

Pra, cili është fajtori i divorcit?

Në çdo dështim njeriu është i prirur të fajësojë tjetrin. Nga ana tjetër, asnjëherë fajësimi apo kënaqësia që të jep fajësimi i tjetrit, me faj apo pa faj, nuk manifestohet me dëshirën për t‘i bërë keq dikujt, porse gjithmonë vishet me motivin apo klishenë e moralit të mirë.

Pra dhe në rastin tim, fakti që projekti po vazhdon pa mua më bën lehtësisht subjekt të bartjes së fajit. Dhe këtu më lind e drejta të hamendësoj se skema që do ketë funksionuar ka ndjekur rrjedhën klasike, si p.sh ".… shyqyr që kinematografia shqiptare shpëtoi nga një grindavec apo i paaftë si puna ime".

Është në natyrën njerëzore që njeriu të urrejë ato vlera të tjetrit që nuk i ka vetë.

Sidoqoftë, e përsëris, unë u shkëputa nga ky projekt, pasi nuk u binda për mesazhin që do jepte zhvillimi i mëtejshëm i skenarit të përbashkët shqiptaro-serb. Motiv ky që në pamje mund të tingëllojë goxha patriotik, porse për t‘ju kthyer realitetit tim, vjen një moshë apo kohë që njeriut i duhet t‘i kushtojë më respekt mendimit të tij, pa përjashtuar dhe rrezikun që mbart mbivlerësimi i këtij mendimi. E kam fjalën për "grindavecllëkun" tim artistik. Ndofta kjo lidhet dhe me atë që unë nuk kam formim të mirëfilltë artistik apo kinematografik dhe më bën që t‘i shoh gjërat kryesisht sipas mënyrës sime, qoftë kjo profesionalisht e drejtë apo jo.

Po a nuk bëhej fjalë që skenarin do e shkruanit ju mbi një tregimin tuaj, që siç deklaroi Paskaljeviç e kishte pëlqyer shumë, pra, nuk i kishit përcaktuar këto gjëra që në fillim me regjisorin Paskaljeviç dhe producentin Përmeti?

Natyrisht që i kishim përcaktuar, pra ideja e fillimit ishte propozimi i Paskaljeviçit, së bashku me producentin Përmeti për të bërë një film mbi një tregimin tim, që paskësh pëlqyer Paskaljeviçi. Por më pas ai, ndofta për arsye artistike, avancoi, duke hedhur idenë që skenari im i fillimit të zgjerohej, pra të krijohej nga të dy, (Paskaljeviç dhe unë), gjë që për hir të talentit të Paskaljeviçit pra dhe të vetë filmit e pranova. Porse me vonë duke shtjelluar këtë zhvillim, nuk ramë dakord për këndvështrimin, vizionin, apo mesazhin që do jepnin ngjarjet e filmit, quajeni si të doni.

Po përshtypja juaj për vazhdimin e projektit, ku Genc Përmeti është skenarist bashkë me regjinë e Goran Paskaljeviçit?

Nuk e di nuk e kam lexuar projektin. Di që si producent Genci ishte tepër komod. Si skenarist nuk e njoh, që të kem mundësi të jap një gjykim. Gjithsesi, asgjë s‘është e pamundur, pasi siç thotë Roshfuko, se ashtu si dhe te bimët, rastësia zbulon cilësitë e fshehura njerëzore.

Po gjykimi juaj për Paskaljeviçin cili është sot?

Është regjisor i madh, ka bërë vepra të shkëlqyera, porse ndodh shpesh që gjykimi nuk drejtohet ndaj veprave të mëdha, por mënyrës se si përdoren këto vepra.

Pyetja e fundit në lidhje me këtë pikë: ndiheni xheloz që projekti vazhdon me një skenarist tjetër?

Edhe sikur të ndjenja ndonjë zili, padyshim që nuk do e thosha në mexhilis, pra në gazetë. Por sinqerisht jo. Kam shumë gjëra të tjera prioritare aktualisht.

Gjithsesi, pa dashur të hiqem modest më duhet dhe njëherë të them se bashkëpunimi im me një regjisor të përmasave të tilla, i dalluar dhe si disident në vendin e tij, për mua ishte një okazion luksoz.

Çdo të thotë një ambasador shkrimtar?

Nuk më duket se ka ambasador shkrimtar apo ambasador joshkrimtar. Ka ambasador që i duhet t‘u bëjë ballë tërë angazhimeve e përgjegjësive që të dikton vendi i punës. Unë e kuptoj që ju e keni fjalën që një ambasador shkrimtar do e bënte figurën e tij më tërheqëse apo enigmatike. Por nuk jam i këtij mendimi, madje kam përshtypjen se përpjekjet e mundimshme për të marrë këtë rol sjellin më shumë dëm sesa dobi.

Nuk më harrohet, ajo ditë kur sapo mora emërimin si ambasador në Francë dhe dikush u shpreh: bah, po kush e duron dhe këtë kur të zërë të botojë në gazetat shqiptare për sukseset e tija të papara letrare në Francë !!!

Veçse kam frikë se nëse do kem ndonjë arritje në të ardhmen në këtë fushë dhe unë nuk do i shpëtoj dot tentacionit për ta bërë menjëherë publike në shtypin shqiptar.

Si është jeta e një ambasadori?

Deri tani më duket jetë e bukur.

Pse?

Është e larmishme dhe plot variacion, pastaj më duhet të them se ka dhe shumë privilegje që nuk i kanë "zanatet" e tjera.

Detyrime ?

Nuk desha të bie në diskutime prozaike, mbi misionin historik që më ka rënë mbi shpatulla, porse natyrisht që jeta e diplomatit të ballafaqon gjithashtu me mjaft momente delikate, mëdyshjesh, ku të kërkohet jo vetëm reagim i duhur profesional apo moral, por që pashmangshmërisht shoqërohet dhe me ngarkesat emocionale përkatëse. Shkurt, në çdo veprim apo thënie tënde mbizotëron një ndjenjë përgjegjësie shumë më e lartë kur ti nuk e kishe këtë pozicion dhe ti ndjen se ke humbur spontanitetin e të shprehurit apo të veprimit, pasi je i detyruar për të qenë kurdoherë në harmoni me atë quhet moral i shëndoshë shoqëror apo kombëtar.

Çfarë po ndodh me letërsinë tënde tashmë që je ambasador. Po shkruani?

Për momentin jo. Jo vetëm se s‘kam kohë, porse e kam ende të vështirë për të gjetur një ekuilibër me veten për të shkruar, kjo si pasojë e një ndryshimi të madh në jetën time private e atë profesionale. Kjo të paktën në fushën e krijimit. Pastaj nuk e kam pasur ndonjëherë ambicien, të themi, për të qenë shkrimtar profesionist. Shkruaj kur të më vijë. S‘më detyron njeri që të mos shijoj luksin e dembelit në këtë drejtim.

Si i shikoni marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën, pra e keni të vështirë për t‘i arritur objektivat tuaja si ambasador?

Kam fatin që e mora këtë post në kohën më të artë të marrëdhënieve franko-shqiptare, kohë kjo ku më shumë se kurdoherë politika franceze ndaj çështjes shqiptare e më gjerë mbështetet e frymëzohet nga një dimension i fuqishëm moral, i mbrojtjes së lirisë, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.

Dhe jam i bindur, ashtu siç besoj dhe ju, që populli shqiptar ka ditur të jetë mirënjohës dhe se si ta shprehë këtë mirënjohje ndaj Francës dhe popullit francez.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›