E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia që duhet ta shkruajmë

Prof. Dr. Fatmir Shehu

-Faktet historike tregojnë se popujt tanë janë dy enë komunikuese, si deti Jon me detin Adriatik, të lidhur dhe të ndarë në përputhje me ingredientët, që kërkon secili t’i ruajë për të ekzistuar si të tillë 

 Lexova me shumë dëshirë dhe interes intervistën e z. Kokëdhima dhe me mendime të miat. Geni jonë ka pasur një detyrë: në rrethanat kur gjuha jonë nuk është lejuar të shkruhej, të zhvillojë e të zgjerojë kapacitetin e memories ne disa Giga bite në mënyrë që historinë ta memorizojë në ‘të , ashtu siç e vërtetoni ju në intervistën tuaj. Kësisoj legjendat, këngët popullore, pemët gjenealogjike, historinë, tregimet brez pas brezi, të gjitha këto, kanë realizuar mbajtjen gjallë të historisë tonë. Dhe regjistrimet në “tru” janë më autentiket dhe të pafalsifikueshme, sepse ato rrjedhin të pacenuara “dhe të paredaktuara” nga brezi në brez. Tanimë kur tempet e zhvillimit janë marramendës, informacioni po ashtu, nuk duhet lodhur më tej memoria, por duhet bërë ajo që ju z. Kokëdhima keni bërë duke shpjeguar dhe zbrazur nga memoria në dokumente shkrimore, me fakte konkrete, se kush kanë qenë dhe janë himarjotët, pra krahinarët e Himarës, ku ka kohë që po bëhet një trazirë turbulluese për interesa të caktuara shoviniste. Faktet që jepni mbi pemët gjenealogjike të fiseve të ndryshme, falë kujtesës gigabajtiane që keni të trashëguar nga fise të seleksionuar me shekuj kanë një rëndësi të madhe historike dhe ndihmojnë në rritjen e shkallës së mirëkuptimit dhe rrjedhimisht të miqësisë së dy popujve, që siç e ka treguar historia janë bashkuar në nevojë dhe jemi veçuar pas kësaj. Kuptohet brenda kontekstit historik të secilit, duke ruajtur identitetin, gjuhën, historinë dhe hapësirën (megjithëse në këtë përmasë ne shqiptarët jemi akoma të cunguar!). Po të shohësh me vëmendje emrat e fiseve që numërohen në intervistën tuaj, ata në pikëpamje etimologjike kanë një përmbajtje thellësisht shqiptare. Kisha dhe kam akoma një shok që është nga fshatrat minoritare të Dropullit me mbiemër Gjoka. Ai flet greqisht dhe e heq veten minoritar grek. Ajo është e drejta e tij që e respektoj. Por nuk më rrihesh pa i thënë: ku ka mbiemra grek “Gjoka”, ndërkohë që unë me këtë mbiemër kam dajat e babait tim në Mallakastër. Po kështu kam lexuar edhe librin e Drejtorit të CIA-së z. Tenet, i cili thotë që unë jam grek, por prindërit e mi kur nuk donin që të merrnim vesh ndonjë gjë nga ç’bisedonin – fjaloseshin shqip. Kësisoj, etimologjikisht: Kokëdhimajt, Zenajt, Bragjinajt, Papagjikajt, Spirogjikajt, Lanajt, Kapetanajt ,Gjikëbitaj, Mërtokaj, etj etj megjithëse nuk jam ekspert i kësaj fushe them se nuk mund të shpjegohen assesi me prejardhje greke. Unë kamë qenë në Greqi si emigrant për arsye ekonomike. Atje kam takuar shumë arvanitas, të cilët kishin dhembshuri për historinë e tyre, për gjuhën, e cila fatkeqësisht po humbiste për brezin e ri nën ndikimin e masmedias dhe informacionit marramendës. Por edhe për shkak të mungesës, e më të paktën të një radiostacioni apo stacioni televiziv, gazete që demokracia greke duhet që të mos ua mohonte arvanitasve, njësoj si në fakt regjimi komunist minoritetit grek në Shqipëri nuk i mohoi identitetin, përfaqësimin në organet më të larta ligjvënëse dhe ekzekutive, shkollën, gazetën, radjon lokale, të drejtën e emërimit në drejtimin e ndërmarrjeve të rëndësishme të ekonomisë etj . E njëjta gjë vazhdon edhe sot e kësaj dite në sistemin Demokratik në Shqipëri. Ndërsa në Greqi është fakt, që jo vetëm për arvanitasit s’është ky qëndrim simetrik, por përkundrazi edhe për rreth një milion emigrantë që ndodhen aktualisht në Greqi, s’ka asnjë trajtim për të konservuar identitetin, gjuhën, emrin dhe origjinën e emigrantëve etj.. Në Greqi pata rastin të takoja arvanitasin e shquar Aristidh Kolën . Ai midis të tjerash tha: “Po të bëhet një regjistrim në Greqi mund të rezultojnë se janë mbi 3-4 milion arvanitas dhe mos më shumë. Për këtë kam një bindje matematikore”. Ne që kemi qenë në Athinë kemi parë se jo shumë larg sheshit “Omonia” ka fshatra me emërtime shqiptare si Hekal, Mallakastër, Varibob etj.. Dhe në fshatrat që rrethojnë Athinën nuk janë të paktë ata që dinë gjuhën e pastër shqipe. Atëherë del pyetja: ç’bën demokracia greke për këto çështje, aq më shumë për një fqinj të hershëm sa vetë historia? Gjithë sa më sipër, nuk janë fakte të renditura për të ngjallur nacionalizmin dhe rivendikimet territoriale. Këto fakte tregojnë se popujt tanë kanë qenë, janë dhe do të jenë dy enë komunikuese, siç janë deti Jon me detin Adriatik, të cilët janë njëkohësisht të lidhur dhe të ndarë në përputhje të plotë me gjithë ingredientët, që kërkon secili t’i ruajë për të ekzistuar si të tillë. Dhe në këtë situatë natyrale komunikimi midis popujve tanë, secili duhet të bëjë kujdes që jo vetëm të marrë, por edhe të japë, të ruajë paritetin, respektin, ekuilibrin, simetrinë. Po kështu, nuk duhet që të mohojë të drejtën që kanë shqiptarët për të ruajtur identitetin e tyre nacional, gjuhësor, fetar, arsimor, kulturor etj., kudo ku ndodhen në Greqi dhe të grekëve kudo ku ndodhen në Shqipëri. Edhe për Hirësinë e tij Janullatos, që ka mendime të ndryshme, mund të them se shqiptarët dinë të dallojnë gjithçka të mirë e të keqe. Dhe për atë që Hirësia e tij e ka bërë në përputhje me traditën shqiptare të Autoqefalisë nuk ka pse të përsëdytet. Në pikëpamjen e nacionalizmit bashkëkohor që po diskutohet, nuk është normale që një fjalë u tha për një të vërtetë historike me rastin e 100-vjetorit të formimit të shtetit shqiptar dhe u acarua pothuaj “gjithë bota”. Ndërkohë ka fakte konkrete të veprimeve subversive të fraksioneve të caktuara greke, pse jo dhe të politikanëve të caktuar grekë për Himarën, për Vorio-Epirin, për çamët, për ligjin anormal të luftës, për hapësirat ujore, për varret e ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke dhe për vetë këtë luftë. Për këto, atyre që na kritikuan ne (që mendoj se ajo që u tha , është një e drejtë historike – pavarësisht se kjo e drejtë nuk vihet në vend se në një moment historik të kombit tonë vetëm se u përmend!), duhet t’u heqin veshin edhe atyre që kanë programe 200 vjeçare për aneksime krejt të pa argumentuara historikisht.  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›