Humbja e pavarësisë së Bankave Qendrore
Bankat e pavarura qendrore janë bërë relikt i së kaluarës. Fakti se inflacioni është rritur në shumë shtete perëndimore, me gjithë recesionin e ashpër të viteve të kaluara, nënkupton se tregjet financiare kanë filluar ta marrin parasysh këtë ndryshim të rëndësishëm. Po qe se pavarësia e Bankës Qendrore është çelës në mbajtjen e stabilitetit afatgjatë të çmimeve, atëherë erës së inflacionit të ulët mbase i ka ardhur fundi
Secila krizë e madhe ekonomike ka pasojat e veta. Nga disa prej krizave mund të rimëkëmbesh, derisa të tjerat lënë dëme afatgjata, madje edhe të përhershme. Kur është në pyetje kriza globale që shpërtheu më 2008, rritja e prodhimit ka qenë viktimë e qëndrueshme. Pavarësia e Bankës Qendrore, në anën tjetër, ka pësuar dëme të rënda – mbase edhe të përhershme. Në vitet shtatëdhjetë, bota perëndimore u konfrontua me një fenomen unik: recesion dhe inflacion në të njëjtën kohë. Suksesi i Gjermanisë në mbajtjen e inflacionit të ulët në këtë ambient mund të sqarohej përmes faktit se “Bundesbanka” ishte de facto e pavarur prej Qeverisë gjermane. Një gjë e tillë nxiti një lëvizje globale, në kuadër të së cilës shtet pas shteti miratoi ligjet e domosdoshme për pavarësimin e autoritetit të vet monetar. Së shpejti, inflacioni filloi që të bjerë. Me rritjen rapide ekonomike, që rezultoi me shpenzime më të ulëta sesa që priteshin dhe të ardhura më të larta për qeveritë perëndimore, ruajtja e pavarësisë së bankave qendrore prej presionit politik ishte e lehtë. Qeveritë nuk kishin nevojë që bankat e tyre qendrore të shtypnin para. Por, në një klimë më pak të favorshme ekonomike, emetimi i parave bëhet alternativë e lehtë karshi vendimeve të vështira dhe përshtatjeve të dhimbshme, si ngritja e tatimeve dhe shkurtimet e thella në shpenzimet e qeverisë. Në të vërtetë, qëkur nisi kriza financiare dhe e borxheve shtetërore, qeveritë dhe bankat qendrore të shteteve të avancuara kanë lejuar që politika fiskale të mbizotërojë në raport me politikën monetare. Banka e Japonisë është shembulli më i ri i një banke qendrore të madhe që ka vepruar në pajtim me dëshirat e qeverisë së saj, pasi që kryeministri Shinzo Abe e kishte shprehur troç një dëshirë të tillë. Vendimi i Bankës së Japonisë për të blerë një numër të pakufizuar të obligacioneve qeveritare për të përmbushur objektivin për një inflacion prej 2 për qind, i ka dhënë fund maskës së autonomisë së kësaj banke.
Ngjashëm, Banka e Anglisë është duke blerë në esencë pothuajse secilin obligacion të ri të qeverisë britanike, madje edhe me inflacion vjetor mbi kufirin e caktuar ligjërisht prej tre për qind. Ndonëse inflacioni britanik ka qenë më i lartë se katër për qind gjatë viteve të kaluara, duke u ngritur madje edhe mbi pesë për qind, Banka e Anglisë ka vazhduar që t’i lehtësojë politikat monetare. Ndërkohë, Rezerva Federale amerikane është duke blerë më shumë se 90 për qind të obligacioneve të reja të Thesarit amerikan. Që të tria shtetet janë duke shkelur rregullin më të rëndësishëm të sistemit qendror bankar: Nuk duhet lejuar financimi monetar i shpenzimeve qeveritare. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është befasuese, duke pasur parasysh se bankat qendrore të këtyre shteteve kurrë nuk kanë qenë në esencë të pavarura. Për shembull, neni 4 i Ligjit për Bankën e Japonisë shkruan se banka “duhet… gjithnjë të mbajë kontakt të afërt me qeverinë dhe të shkëmbejë pikëpamjet mjaftueshëm, në mënyrë që valuta dhe kontrolli monetar, ashtu si edhe qëndrimi themelor i politikës ekonomike qeveritare të jenë në përputhje”. Një gjë e tillë nënkupton se Banka e Japonisë mund ta konsiderojë veten të pavarur, por vetëm kur e lejon atë qeveria.
Ngjashëm, neni 19 i Ligjit për Bankën e Anglisë e lejon Thesarin që ta drejtojë politikën monetare të Bankës, po qe se “një gjë e tillë kërkohet për interesin publik dhe në kushte ekstreme ekonomike”. “Interesi publik”, një frazë kjo e preferuar tek politikanët, është aq e paqartë sa për të mundësuar hapësirë për manovrim, ashtu si edhe fraza “kushtet ekstreme ekonomike”. Në të vërtetë, këto kritere kanë bërë që Banka e Anglisë t’u përshtatet në tërësi dëshirave të Thesarit britanik. Në SHBA, Ligji për Rezervën Federale mund të ndryshohet përmes një shumice të thjeshtë në Kongres, akt ky për të cilin Rezerva Federale është plotësisht e vetëdijshme. Në aspektin ligjor, Banka Qendrore Evropiane është njëra prej më të pavarura të botës. Po ashtu, procesi i mundimshëm dhe i vështirë i ndryshimit të statuteve të saj – të cilat, duke qenë pjesë e Traktatit të Bashkimit Evropian nuk mund të ndryshohen pa marrëveshjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së – e mbron nga presioni politik. Por, në vend se ta shfrytëzojë një gjë të tillë, BQE u është përshtatur politikanëve evropianë, duke e humbur gjithnjë e më shumë pavarësinë, që nga fillimi i krizës. Në Evropën Jugore bankat qendrore kanë qenë tradicionalisht pjesë e qeverisë, gjë që do të thotë se shumica e shteteve anëtare të BE-së e konsiderojnë të natyrshëm nënshtrimin e bankës qendrore. Duke pasur parasysh se të gjitha kanë rol të njëjtë në vendimet e Bankës Qendrore Evropiane – dhe se, që nga viti 2008, votimi me shumicë e ka zëvendësuar votimin unanim në procesin e vendimmarrjes – BQE-ja ka filluar t’i ngjasojë më shumë “Banca d’Italias” e më pak “Bundesbankës”. Politika e BQE-së për blerjen e një numri gjithnjë e më të madh të obligacioneve qeveritare prej shteteve me telashe të eurozonës e pasqyron këtë ndryshim, gjë që ka nxitur dy bankierët gjermanë me përvojë Axel Weber dhe Jürgen Stark, që të japin dorëheqje nga postet e tyre si president i “Bundesbankës”, respektivisht kryeekonomist i BQE-së. Bankat e pavarura qendrore janë bërë relikt i së kaluarës. Fakti se inflacioni është rritur në shumë shtete perëndimore, me gjithë recesionin e ashpër të viteve të kaluara, nënkupton se tregjet financiare kanë filluar ta marrin parasysh këtë ndryshim të rëndësishëm. Po qe se pavarësia e Bankës Qendrore është çelës në mbajtjen e stabilitetit afatgjatë të çmimeve, atëherë erës së inflacionit të ulët mbase i ka ardhur fundi.
Sylvester Eijffinger është profesor i ekonomisë financiare në Universitetin e Tilburgut në Holandë, kurse Edin Mujagiq është ekonomist monetar në Universitetin e Tilburgut.
Marrë nga “Project Syndicate”