E Diel, 1 Nëntor 2026

A do të jetë produktiv krijimi i një “poli të tretë” në hapësirën e politikës shqiptare?

10-03-2013 / Nga Eden Babani

Afro tre muaj e gjysmë nga zgjedhjet e 23 qershorit, është herët të parashikohet përvijimi me saktësi i koalicionit të mundshëm qeverisës për katër vitet e ardhshme. Rezultatet zgjedhore të këtyre njëzet viteve të pluralizmit kanë sjellë në pushtet herë koalicione të pastra të së majtës, herë të së djathtës, me përjashtim të zgjedhjeve të qershorit 2009, kur, me qendrën e djathtë, u bashkua e majta e moderuar, e përfaqësuar nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Vendimi i guximshëm i Ilir Metës dhe i liderëve të tjerë të LSI-së ishte risi historike për demokracinë e brishtë shqiptare, domosdoshmëri që, përveç arritjeve të tjera në rrafshin politik, ekonomik, social, etj., do të sillte reformat e suksesshme të integrimit, të cilat do të bllokoheshin me kërkesën absurde të Edi Ramës për Qarkut të Fierit, një çështje ende në gjykim e sipër, sot e gjithë ditën. Ç’të papritura do të na sjellin zgjedhjet e ardhshme? Dihet që spektri i sotshëm politik shqiptar është tejet i copëzuar me parti që, përpos përkatësisë formale pro njërit ose tjetrit pol politik, s’kanë pasur asnjë peshë në edicionet e kaluara zgjedhore. Koha ka treguar se parti të tilla pa zgjedhës ose me numër të kufizuar zgjedhësish, kanë mbijetuar falë dy partive më të vjetra, PS-së dhe PD-së. S’do mend, ato kanë mbijetuar si kërpudha në trup të huaj.  Kohët e fundit, me daljen në skenë të FRD-së (Fryma e Re Demokratike) dhe të AK-së (Aleanca Kuq e Zi), janë shtuar zërat për krijimin e një të ashtuquajturi “pol i tretë”. Sinjale pak a shumë të qarta, ka dhënë zoti Topi, lideri i FRD-së, i cili është shprehur se nuk do të parapëlqente të bashkëpunonte me të dyja partitë e vjetra. Një konfirmim edhe më të qartë, ish-presidenti e bëri gjatë intervistës me gazetarin Sokol Balla, në “Top Story”, kur pranoi hapur se krijimi i “polit të tretë” mbetet një opsion i hapur. Nëse mund të formohet një “pol i tretë” deri më 23 qershor, ideatorët e kësaj alternative do të synojnë qendrën e elektoratit shqiptar, me shpresë që të mbledhin votat e të pakënaqurve të të dyja anësive politike. Personalisht, jam i bindur se lideri i FRD-së e sheh si të vetmin opsion të mundshëm, që partia e tij, duke garuar për herë të parë në zgjedhje, të bëhet forcë politike pak a shumë e besueshme në të ardhmen. Sipas meje, alternativa ngjan shpresëdhënëse në dukje, kurse në thelb, është e paracaktuar të dështojë. Ngjan shpresëdhënëse, duke hamendësuar humbjet e mundshme të elektoratit nga ana e dy partive të mëdha. Mirëpo, ndërsa të pakënaqurit e PS-së shtohen dita-ditës, sa herë Rama merr vendime individuale pa përfillur forumet partiake ose sa herë shpall nga një deputet pa marrë pëlqimin e Kryesisë, të pakënaqurit e PD-së kanë mbetur aq sa ishin në krye të herës, domethënë qysh se ajo u luhat me ligje gjysmake për kthimin e pronave, sidomos qysh se ndodhi çarja mes Institucionit të Presidencës, Parlamentit dhe Qeverisë. Në anën tjetër, qendrën e majtë e ka zënë tashmë LSI-ja, e cila ka mbledhur dhe vazhdon të mbledhë të gjithë të larguarit e PS-së, madje jo për mbetje qejfi ndaj Ramës ose për interesa personale, por për çështje parimore, që lidhen kryesisht me ato të integrimit. Ç’do t’i mbeteshin “polit të tretë”? Nëse do të mundësohej krijimi i tij, problemi nuk do të ishte çështje dëshirash, sa çështje programesh. Mirëpo, që prej katër vitesh, duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës, LSI-ja ka arritur të realizojë pjesë të qenësishme të programit të vet social e integrues. Për ç’ arsye do t’i hynte një aventure politike të rrezikshme, duke braktisur aleancën e sotme me PD-në, e cila, ngado që ta kthesh, është e suksesshme? Përvoja e hidhur italiane në kërkim të “polit të tretë”, tashmë i ka dhënë frytet, me zgjedhjet e 23 shkurtit të shkuar. Ideatorët e tij, në fillim Kazini e, më pas Fini, dolën të humbur, ndonëse shpresuan te personaliteti i Montit, ish-kryeministri i dorëhequr i qeverisë teknike (jo politike). Amalgama nuk rezultoi produktive. Koalicioni me Montin ndëshkoi jo vetëm Partinë Demokristiane të Kazinit, që humbi shumë parlamentarë, ose Finin, që nuk mundi as të hynte në Parlament, por edhe personalitetin e Montit në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar.  Në intervistën e sipërpërmendur me gazetarin Sokol Balla, zoti Topi la të kuptohej se ai mbetet i hapur për aleanca paszgjedhore, si me PS-në, ashtu edhe me PD-në, po pa Berishën. “Askush nuk duhet të fotografojë bardh e zi skenën politike shqiptare”, tha shprehimisht lideri i FRD-së. Sipas tij “skena e politikës shqiptare do të ndryshojë dukshëm pas zgjedhjeve të 23 qershorit”. S’ka dyshim se zgjedhjet sjellin gjithnjë përvijime të reja politike, ndaj edhe zhvillohen në periudha të caktuara. Por që të na sjellë një PD pa Berishën, liderin e saj historik, me një bagazh arritjesh të pakrahasueshme me cilindo lider, të djathë a të majtë qoftë, ngjan e pabesueshme. Bash këtu gabon zoti Topi, i cili mosmarrëveshjet vetjake me Berishën, i sheh si të pakapërcyeshme, ani se e djathta shqiptare do të pësonte një dëm të pariparueshëm hë për hë. Në këto kushte, e vetmja zgjidhje për të ardhmen politike të ish presidentit, sot kryetar partie, do të ishte afrimi me PD-në. Një hap i tillë i guximshëm, sipas meje jo i pamundshëm, do të ndikonte në një farë mase në fatin e së djathtës shqiptare. Historia e PD-së në këta njëzet e ca vjet ka vërtetuar se “djemtë plëngprishës”, e kanë gjetur vetveten te shtëpia që i rriti, ndonëse për njërën ose për tjetrën arsye, i kthyen përkohësisht krahët. Si ish anëtar i PD-së dhe njëri ndër liderët e saj jo pa merita, zoti Topi mund të nxjerrë mësime më shumë se cilido tjetër..

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›