Thyerja e tabusë
Gati 14 vjet pas kapitullimit të Serbisë në Kosovë, një politikan “i rëndësishëm “ serb po e pranon më në fund se “Kosova s’është Serbi”! Atë që deri tash e kishte të qartë vetëm ndonjë lider i ndonjë partie nga margjinat e skenës politike serbe dhe ndokush mes intelektualëve, tashmë përfundimisht e ka kuptuar edhe vetë Ivica Daçiq, dikur zëdhënës i Millosheviqit, e tash kryeministër i Serbisë. “Është gënjyer se Kosova është jona, madje kjo edhe është zyrtarizuar edhe me Kushtetutë. Sot, po ajo Kushtetutë më së paku ndihmon. Kryetari i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë. As kryetari i Qeverisë. As policia. As ushtria”, ka thënë Daçiq në një tekst autorial në të përjavshmen serbe NIN. Prej nga kjo shkreptimë e befasishme realizimi e kryeministrit serb dhe thyerje e “temës-tabu dhjetëvjeçare”, për të cilën “zyrtarisht askush s’ka guxuar ta thotë të vërtetën”? A është kjo – siç vlerëson agjencia Reuters – shenjë se “Beogradi ka bërë kthesë historike në nguti për të siguruar bisedimet për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”? Një vesh i stërvitur me “vajtimin” e politikanëve serbë për Kosovën, mes këtyre notash të realizimit, megjithatë mund të dallojë vibrimet ankuese për “situatën e vështirë”, me të cilat kryeministri serb sikur do të shquajë se ajo që mund të dalë nga bisedimet për veriun e Kosovës, edhe në qoftë se nuk do të jetë krejtësisht ashtu siç ka premtuar, megjithatë të duket shumë më e mirë se si ka mundur të përfundojë në këto rrethana. “Pranimi i realitetit” nga Daçiq, pra, kurrsesi s’do të thotë se ai nuk do të angazhohet deri në çastin e fundit për kompetenca më të mëdha të “zajdenicës” së serbëve të veriut. Natyrisht, duket qartë se rrethi i manovrimit i është ngushtuar bukur shumë, pasi që këtë herë presioni ndërkombëtar, me gjasë më së shumti i SHBA-së e Gjermanisë, duket të ketë qenë më i vendosur për të shtyrë Serbinë që më në fund të përcaktohet për zgjidhjen e saj mes Evropës e izolimit. Me gjendjen e rëndë ekonomike, çfarë e ka, dhe të nevojës së ngutshme për investime të huaja, duket se Serbia do të zgjedhë këtë të parën. Por, edhe kësaj radhe, për të satën herë nga të nëntëdhjetat e këtej, po dëshmohet ajo që Perëndimi tashmë do të duhej ta kishte kuptuar moti: se politikanët serbë bëjnë zgjidhjen e duhur vetëm atëherë kur janë të shtrënguar ta bëjnë.
Po ashtu, edhe se tema e Kosovës edhe sot e kësaj dite në Serbi shërben vetëm për lojëra politike dhe për qërime hesapesh mes qarqeve të ndryshme politike. Përndryshe, atë për çka politikanët serbë “rrejnë tash dhjetë vjet”, e dinë fare mirë popullata e Serbisë. Një hulumtim i opinionit ka bërë të ditur se 63 për qind e qytetarëve serbë “konsiderojnë” se Kosova faktikisht është e pavarur. Kur kësaj i shtohen edhe pesë për qind të atyre që “nuk e dinë përgjigjen”, atëherë është e qartë se politikanët serbë nuk mund të arsyetohen se nuk guxojnë “ta harrojnë” Kosovën për shkak të opinionit të brendshëm, deri sa shumica prej 68 për qind e qytetarëve tashmë e di se kjo është “temë e kryer”. Tema e Kosovës, prandaj, atyre u shërben vetëm për ta manipuluar opinionin e tyre. Për fat të keq, tematizimi në nivel evropian i kontesti me Serbinë i shërben po për të njëjtën gjë edhe udhëheqjes kosovarë. Problemet me Serbinë dhe bisedimet me të në Bruksel, sado paradoksale të duket, udhëheqjes kosovare ia krijojnë iluzionin e faktorizimit në nivel të lartë të politikës perëndimore dhe i shërbejnë si sedativ ndaj problemeve të brendshme të vendit. Nuk është vështirë të dëshmohet se Kosova ka bërë prapakthim në shumë aspekte këta muajt e fundit. Serbia e Kosova, prandaj, të ndara njëherë e mirë nga njëra-tjetra, do të mund të jenë të detyruara të bëjnë përpjekje më të sforcuara që të duken si Evropë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”