E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re serbe, kundër pavarësisë së Kosovës

Prioritetet e qeverisë: anëtarësimi në BE, përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-të

Kuvendi serb ka miratuar dje qeverinë e re dhe programin qeverisës që do të kryesohet nga i mandatuari për kryeministër Mirko Cvetkoviç. Edhe pse me një program pro europian dhe më afër SHBA-ve, Serbia do të mbajë të njëjtin qëndrim ndaj Kosovës duke mos e njohur pavarësinë e saj. Prioritetet e qeverisë do të jenë: mospranimi i pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Europian, përmirësimi i marrëdhënieve më Uashingtonin, bashkëpunimi me federatën ruse, mbrojtja sociale dhe lufta kundër korrupsionit. Kryeministri i mandatuar Cvetkoviç propozoi në kuvend kabinetin dhe programin qeverisës për vitet e ardhshme. Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, përbëhet nga 24 ministra, një zëvendëskryeministër dhe tre zëvendëskryeministra me detyra të caktuara. Koalicioni qeveritar përbëhet nga Partia Demokratike e Boris Tadiç, nga socialistët, dikur parti e Millosheviçit dhe nga disa parti të vogla minoritare. Por pavarësisht prioriteteve për integrimin e Serbisë, qëndrimi për çështjen më të nxehtë, për Kosovën nuk do të ndryshojë. Presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se përsa i përket Kosovës, kabineti serb ka qëndrim unik. Sipas tij nuk do të jetë dakord me asnjë mision të huaj në Kosovë që nuk merr dritën jeshile nga Këshilli i Sigurimit. Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës në një reagim të saj pret që kabineti i ri serb te njohë realitetin e ri në Kosovë, meqenëse është e vendosur për një orientim proeuropian. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban Ki Mun, ka paralajmëruar se do të ketë bisedime të reja mes Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Shefi i ri i këtij misioni Lamberto Zanieri pritet të vizitojë Beogradin dhe të takohet me liderët e vendit, megjithatë mediat serbe kanë thënë se data e vizitës së tij nuk është caktuar ende.
“Nuk mund të precizojmë datën e vizitës së tij në Beograd, as nuk mund të themi nëse vizita do të jetë gjatë kësaj jave, siç ishte raportuar më herët”, - ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasëll Geki.
Paralajmërimi për fillimin e bisedimeve mes dy vendeve është kundërshtuar ashpër nga zyrtarë të qeverisë kosovare duke vlerësuar se bisedime mund të ketë vetëm në aspektin ndërshtetëror. Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, u shpreh se, “për Kosovën pyeten qytetarët e saj e jo Serbia e as UNMIK-u”.
Këto komete Kuçi i bëri vetëm pak ditë pas deklarimit të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, se është në pritje të ftesës nga Beogradi, për të vizituar këtë vend në kuadër të përgatitjeve për bisedime teknike, siç parashihet në raportin e sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun.

Shefer: “Do të ketë takime të rregullta NATO-BE për Kosovën”

Në konferencën “Raportet NATO – BE”, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, është angazhuar për takime të rregullta të NATO-s dhe BE-së, në të cilat do të diskutohet për operacionet në regjion në të cilat ky organizëm merr pjesë.
Takimet e rregullta NATO-BE kanë qenë të kufizuara në Bosnjë e Hercegovinë për shkak të bllokadave të ndërsjella turko-qipriote, që nuk kanë dashur të ndajnë informacione të besueshme për operacionet. Shefer ka propozuar që një hendek i tillë të kapërcehet dhe që diskutimet e rregullta të zhvillohen edhe rreth Kosovës. “Në qoftë se ushtarët dhe policët tanë u nënshtrohen rreziqeve në terren, konsideroj se së paku kemi obligime që rregullisht të bisedojmë për ta dhe t’u ofrojmë atyre nga niveli më i lartë informacione të koordinuara strategjike”,-ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

BDI: “Qeveria e re, marrëveshje edhe për Kosovën”

Qeveria e Maqedonisë do të jetë edhe njohëse e pavarësisë së Kosovës. Kështu janë shprehur dje deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e cila arriti të jetë pjesë e qeverisë së re maqedonase. Sipas deputetit të BDI-së, Xhevat Ademi, Ali Ahmeti dhe kryeministri Nikolla Gruevski kanë rënë dakord edhe për çështjen e emrit dhe njohjes së Kosovës. “Nuk mund të mendoj një qeveri e cila nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës”,- ka theksuar Ademi. Ndërkohë që implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe rregullimin e statusit legal të të gjithë të prekurve nga lufta e vitit 2001, janë prioritetet e marrëveshjes mes kreut të BDI-së Ali Ahmetit dhe VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit. “Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe rregullimin e statusit legal të të gjithë të prekurve nga lufta e vitit 2001, marrja e ftesës për anëtarësim sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe lufta pa kompromis kundër krimit dhe kriminalitetit, janë çështjet të cilat i parashtron marrëveshja VMRO-DPMNE - BDI”,- tha Ademi.

Shqiptarët dhe serbët protestojnë në Mitrovicë

Dje në Mitrovicë janë zhvilluar dy protesta. Në jug të qytetit kanë protestuar shqiptarët, ndërsa në veri serbët. Në protestën e zhvilluar para hyrjes së kompleksit industrial “Trepça”, shqiptarët kanë kërkuar largimin e tri maunave me lëndë toksike të parkuara në këtë kompleks në Mitrovicë. Sipas policisë në këtë protestë kanë marrë pjesë rreth 120 persona, të cilët pas gjysmë ore janë shpërndarë të qetë. Gjatë mbajtjes së kësaj proteste nuk janë shënuar incidente. Ndërkaq, në afërsi të portës kryesore të objekteve të gjykatave dhe të stacionit policor në veri Mitrovicës, serbët kanë protestuar në afërsi të gjykatave të qarkut dhe asaj komunale. Tubimi është regjistruar me pjesëmarrje të rreth 50 personave që konsiderohen të jenë ish-punëtorë të këtyre gjykatave. Personat e tubuar kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe sipas policisë nuk është shënuar ndonjë incident. Situata e tensionuar në veri të vendit është kritikuar nga lideri i AAK-së Ramush Haradinaj gjatë një takimi me gazetarët. Haradinaj me këtë rast kritikoi institucionet vendore sepse siç tha është lejuar forcimi i strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, kabineti aktual qeverisës është shndërruar në qeverisje për vetveten dhe ka “harruar” interesat e qytetarëve të Kosovës.

Dejvis: “Partneri i vetëm i KE-së në Kosovë mbetet UNMIK-u”

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Teri Dejvis, është shprehur se pavarësia e Kosovës është një çështje që nuk ka të bëjë me KE-në dhe sipas tij, deklarata e pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës, nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Pavarësia e Kosovës nuk është çështje për ne” dhe “miratimi i së ashtuquajturës Kushtetutë nuk e kanë ndryshuar situatën përsa i përket këtyre fushave”. Sipas tij, për Këshillin e Europës, partner i vetëm në Kosovë mbetet UNMIK-u dhe . I pyetur nëse është i kënaqur me gjendjen në fushën e të drejtave të njeriut, sundimin e rendit dhe ligjit dhe demokracinë në Kosovë, Dejvis, u shpreh se është “shumë i pakënaqur me dhunën që ka ndodhur në Kosovë”. “Të gjithë ne që jemi jashtë Kosovës kemi lexuar raporte për dhunën që ka goditur njerëzit e të gjitha përkatësive”,- tha Dejvis. Pas konstatimeve se Kushtetuta e re e Kosovës garanton të drejta themelore për pakicat, në veçanti për serbët, por ata po refuzojnë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës dhe me misionin e Bashkimit Europian dhe nëse ka ndonjë mesazh për pakicën serbe dhe autoritetet e Beogradit, Dejvis tha se nuk kishte asnjë mesazh për këtë çështje.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›