E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia “shqiptare” e Bizantit

08/01/2009  Është interpretuar shpesh gabimisht si pasardhës i zhdukur i botës klasike. Megjithatë, Bizanti zë një vend të rëndësishëm në historinë evropiane e, si i tillë, një pjesë e “fytyrës” së tij lidhet ngushtësisht edhe me Shqipërinë.

Territoret ku shtrihej rruga “Egnatia”, “porta mes Lindjes dhe Perëndimit”, që bashkonte popuj dhe kultura të ndryshme kanë ngacmuar historianen amerikane Averil Cameron që të flasë për disa qytete shqiptare, historia e të cilëve lidhet ngushtësisht me Bizantin, e të interpretojë historinë e tij tej sllavizmave dhe ortodoksisë.

E pranishme në Tiranë për të mbajtur një leksion mbi këto çështje, Cameron, profesore e antikitetit dhe historisë së Bizantit në Universitetin e Oksfordit, e sheh Bizantin si një shkrirje mes Lindjes dhe Perëndimit.

Siç thekson edhe në librin e saj “Bizantinët”, Cameron vëren se Bizanti bën pjesë në rrymën qendrore të historisë së Europës dhe të Mesdheut, ndaj ndikimi i tij ndihet ende kudo, në Ballkan, në Europën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. Duke dashur të njohë lexuesin me historinë komplekse, karakterin etnik dhe identitetin e Perandorisë Bizantine, historiania ndalet në një prezantim entuziast të qytetit të Kostandinopojës (një qytet më i madh se Londra apo Parisi dhe pas të cilit udhëtarët mahniteshin), por përmend edhe qytete shqiptare, si Durrësi apo Apolonia.

Sipas saj, Durrësi është një qytet shumë i rëndësishëm, që lidhet me historinë e Bizantit. “Kosova, Apolonia, Butrinti, Maqedonia janë gjithashtu të rëndësishëm. Shkodra gjithashtu apo Berati. Të gjitha qytetet e vjetra shqiptare janë të veçanta, por për disa prej tyre ne dimë më shumë. Çështja është sa informacion kemi ne”, - thotë Cameron, ndërsa thekson se, megjithatë, Durrësi është më i rëndësishmi për shumë arsye. “Janë vende të rëndësishme, pasi këtu kalon rruga ‘Egnatia’. Është porta mes Lindjes dhe Perëndimit, që bashkon popullata, kultura të ndryshme. Të gjitha këto vijnë në Durrës. Është vërtet e jashtëzakonshme”, - shton studiuesja amerikane teksa komenton duke qeshur se është edhe më e jashtëzakonshme në një vend “të vështirë”, plot male si Shqipëria.

Duke e quajtur të komplikuar historinë e Bizantit, të tillë që ndryshon vazhdimisht, sipas Cameron ishte e vështirë të menaxhohej një perandori me kaq shumë popuj e kultura.

“Njerëz të rinj mbërrinin. Kishte sllavë, bullgarë, turq, arabë në Lindje, ndaj të menaxhoje Perandorinë ishte nganjëherë e vështirë. Gjithçka ndryshon vazhdimisht, por qendra e shtetit ishte një vend i mrekullueshëm dhe, kur të huajt vinin, mahniteshin. Sepse Kostandinopoja ishte një qytet i mrekullueshëm në Europën e asaj kohe dhe ishte më i madh se Parisi apo Londra.”

Bota bizantine gjendej edhe aty ku takohej Islami i hershëm dhe Krishterimi, kështu bizantinët sipas historianes patën të bënin dhe jetuan pranë myslimanëve, nga arabët në shekullin e 7-të deri te turqit në shekullin e 15-të. Bota pluraliste e Bizantit të vonë ishte shumë ndryshe nga ajo e Perandorisë Romake Lindore në shek. e 4 para Krishtit, kur u themelua Kostandinopoja. Po ashtu bota rreth saj ndryshoi në mënyrë dramatike gjatë kësaj kohe identitetin bizantin, që ishte ende i fortë dhe i dallueshëm njëkohësisht. Tensioni mes ndryshimit dhe vazhdimësisë në shoqërinë bizantine është një nga temat themelore të shqyrtuara në këtë libër.

Historianët shqiptarë të pranishëm në takimin e djeshëm me Averil Cameron në Bibliotekën Kombëtare vlerësuan se libri i saj “Bizantinët” shënon një sukses në portretizimin dhe karakterizimin e qytetërimit bizantin. “Libri fokusohet drejtpërsëdrejti te popujt e Perandorisë Bizantine, pikëpamjet e kulturën e tyre dhe në mënyrën se si këta ndryshuan me kalimin e kohës.” Rezultati, sipas tyre, është një vështrim i spikatur e i qartë për atë çka ishin bizantinët. Por ata shtojnë se libri jep edhe një ndihmesë kuptimplotë për restaurimin e Bizantit, për vendin e tij më se të drejtë në qendër të traditës historike të Europës.

Averil Cameron është profesoreshë e lashtësisë së vonë dhe e historisë së Bizantit në Oksford dhe drejtore e kolegjit Keble. Më 2006 ka marrë titullin “Dame Commander of the Order of the British Empire”. Në botimet e saj përfshihen: “Ndryshimi i kulturave në Bizantin e hershëm” (1996), “Eusebius”, “Jeta e Konstandinit” (1999). Ajo është edhe bashkëredaktore e vëllimit XII, XIII dhe XIV të “Cambridge Ancient History”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›