E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Kosovës, të propozohet kandidat tjetër

08/01/2009  Ish-drejtuesit e diplomacinë shqiptare, Mustafaj dhe Dade, komentojnë ngërçin

Ish-ministri i jashtëm, deputet i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj ka bërë përgjegjës për mungesën e ambasadorit tonë në Kosovë si Presidentin e Republikës Bamir Topin, ashtu dhe Kryeministrin Sali Berisha. Mbetja pa përfaqësues shqiptar i shtetit më të ri të Ballkanit për deputetin e mazhorancës duhet të pasohet me një tjetër kandidaturë, nëse palët janë tërhequr nga ai i propozuar për këtë post, Islam Lauka. “Përgjegjësia është shumë e madhe e Kryeministrit, por nuk është pa përgjegjësi dhe Presidenti Topi, i cili duhet të jetë më i vëmendshëm dhe më konsekuent në ndjekjen e këtij problemi, sepse dekretimi bëhet nga Presidenti i Republikës. Kryeministri dhe Presidenti duhet të këshillohen më dendur për këtë gjë dhe të kemi një ritëm takimesh që lidhet me politikën e jashtme”, - tha gjatë një prononcimi për shtyp Mustafaj. Duke komentuar propozimin e mëparshëm, atë të Laukajt, ai shprehur vlerësimet e tij për këtë kandidaturë, por mblodhi supet për sa i takon mbetjes pezull të procedurave në vijim të zgjedhjes së tij. “E kam vlerësuar si një zgjedhje shumë të drejtë, por më pas nuk e di pse është tërhequr. Unë nuk di arsyet pse ka mbetur pezull vazhdimi i procedurave. Nuk e quaj anormale nëse Kryeministri ka ndërruar mendje, por ama duhet të gjendet një kandidaturë tjetër”, -vijoi ai.

Të njëjtin shqetësim për këtë ngërç shprehu edhe sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS Arta Dade, për të cilën moszgjedhja ende e ambasadorit tonë në Kosovë është një reflektim i marrëdhënieve të acaruara mes dy drejtuesve: atij të shtetit dhe atij të qeverisë shqiptare. “Për mendimin tim kjo vjen dhe nga mungesa e komunikimit dhe nga mungesa e marrëdhënieve pozitive institucionale mes institucionit të Presidentit dhe atij të ekzekutivit. Këto marrëdhënie janë reflektuar edhe në diplomaci, e cila pa dyshim krijon efekte negative në të gjithë ecurinë që presin shqiptarët dhe që pret kombi nga diplomacia. Do ta quaja një neglizhencë që i kushton shumë jo vetëm diplomacisë, por dhe interesave madhore të vendit”, - përfundoi socialistja Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›