Historia u soll si një njerkë e keqe

Tropoja të hënën i bëri mikpritje madhështore birit të saj, kryeministrit Sali Berisha, i cili në një tubim elektoral u kërkoi votat e besueshme tropojanëve. Berisha nuk arriti t’i fshihte emocionet, edhe për faktin se pas shumë vitesh ndodhej në vendlindjen e tij. Me këtë rast, kryeministri u tha tropojanëve se përulet para tyre për historinë e këtij vendi, por edhe për faktin se edhe vetë është tropojan.”Sot, jam këtu midis jush për të shprehur krenarinë e madhe, të pakufishme, se jam njëri prej jush. Kudo që jam, jam me mendje tek ju dhe këtu, për këtë vend më të dashurin për mua. Sepse, Malësia e Gjakovës është vendi ku kam lindur, ku jam rritur dhe vendi ku kam kryer universitetin e parë të jetës, të cilin e kreva me shkronja të sakrificës për të mbetur të lirë”, tha ai. Ndërkaq, duke kujtuar shkurtazi historinë e tropojanëve dhe peripecitë e tyre si pasojë e rezistencave, kryeministri Berisha, kujtoi se “historia me ju u soll si një njerkë e keqe, por ju ishit ata që e përzutë atë histori. Nga viti 1870 e deri më sot morët pjesë në të gjitha betejat për bashkim kombëtar. U ndoqët, u shpërngulët, u dogjët, por prapë u rikthyet dhe rindërtuat jetën në trojet tuaja stërgjyshore. Në atë kohë ishit foleja më e fuqishme e kryengritjes më të madhe të Kosovës. Sollët pavarësinë, por Kosova padrejtësisht u shkëput nga Shqipëria. Fuqitë e mëdha të asaj kohe ndanë Kosovën. Vendosën kufirin mbi trupin e kombit, por nuk mundën ta vënë mbi shpirtin e kombit. Në Luftën e dytë botërore u shndërruat në baza kryesore të luftës në Kosovë, ku në Bujan u nënshkruan vendimet mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për bashkimin e shqiptarëve. Në vitet 1998 dhe 1999 u shndërruat në bazë kryesore të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, kur djemtë tuaj dhanë gjakun për lirinë e saj”, tha Berisha, ndërsa masa ia aprovoi fjalët me ovacioneve dhe thirrjeve për Berishën, PD-në dhe Shqipërinë evropiane. Në vazhdim, kryeministri Berisha apeloi që “socialistët, para se të votojnë le t’i bëjnë njëherë thirrje atdhedashurisë”. Duke kujtuar vitin Shqipërinë e përgjakshme të vitit 1997-të, kryeministri Sali Berisha tha se “viti 1997 ishte viti më i rëndë, më i dhembshëm përgjatë tërë historisë suaj, sepse me urrejtjen më primitive ndaj, banditët e ardhur në pushtet ekzekutuan bijtë tuaj”. Ndërkaq, për liderin e PS-së, Edi Rama, Berisha tha: “A mund të vijë sa herë të dojë në Tropojë, por u them socialistëve, mos e votoni partinë e Ramës, përderisa Goran Bregoviqi, ikona serbe antishqiptare, nuk ia kthen çelësin e Tiranës. Të votojmë së bashku projektin e dytë të Tropojës dhe të Shqipërisë evropiane. Në katër vjetët që vijnë do ta shkurtojmë distancën ndërmjet Tropojës dhe Tiranës, në vetëm 110 kilometra. Do të bëjmë çdo gjë që alpet, pasuritë përrallore të shndërrohen në vlera. Këto janë vite të transformimit të madh: Shqipëria në NATO, në rrugëtim për në BE, rritja e pagave, pensioneve, mbështetje për fermerët”, tha në fund Berisha në Tropojë, ndërsa pasdite do të gjendet në Has dhe në Kukës.
...