E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Berishës në Tropojë, vizitë historike!

Pas një periudhe të gjatë pa e vizituar Tropojën, kryeministri i vendit Berisha udhetoi paraditen e së hënës, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, drejt qytetit më verior, që njihet edhe si një nga bastionet e Partisë Demokratike, dhe që njëheresh është edhe vendlindja e kryeministrit shqiptar. Populli i rrethit të Tropojës, por edhe mijëra qytetarë të ardhur nga Gjakova dhe qytetet e tjera nga Kosova, "përmbytën" si asnjëherë në historinë e këtij qyteti, rrugët e sheshet e tij, për të pritur kryeministrin e Shqipërisë. Entuziazëm jashtëzakonisht i madh. Pa hyrë në qytet, qysh në Fierzë, filloi të ndjehej entuziazmi i madh i njerëzve, të cilët me flamujt e Partise Demokratike dhe posterat "Shqipëria po ndryshon" kanë dalë në rrugë të shoqërojnë liderin Berisha, deri në qendër të qytetit, që mban emrin e Bajram Currit. Aty, në qendër, grupe të ndryshme artistike të qytetit, por edhe grupe të improvizuara kanë "shtruar" sofrën dardane të mbushur plot me këngë e valle, kënduar nga grupe folklorike, që janë jo vetëm të kësaj treve, por edhe nga trevat e Kosovës e të pjesëve të tjera të veriut të vendit. Kjo bëri atë, që të kuptohet fare lehtë se atmosfera festive në Tropojë i tejkaloi të gjitha parashikimet, dhe i coptoi hamendjet. Tropoja ishte në festë, qyteti i 25 mijë banorëve për disa orë ka përjetuar entuziazmin më të madh të këtyre 18 viteve të fundit. Në lokale dhe ambiente të ndryshme, teme e diskutimit dy ditët e fundit ka qenë kudo - jo vetëm në qytetin verior, por edhe në gjithë Shqipërinë, pa diskutim vizita e kryeministrit Berisha në Tropojë. Në rrugët e Bajram Currit, fasadat e pallateve, perveç posterave dhe flamujve të Shqipërisë, Partisë Demokratike, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, ishin të afishuara postera me mbishkrimin: “Mirëserdhe Berisha, biri i Tropojës - Tropoja të pret me krahë hapur”.

Fakti qe kreu i selise blu, kryeministri i vendit, është i lindur në Tropojë dhe se ai i mungoi këtij qyteti prej 12 vitesh - në vendlindje, duket se i ka entuziazmuar jashtëzakonisht banorët e zonës. Rrugët ishin ngado që të shihje të mbushura përplot me njerëz, të moshave dhe gjinive të ndryshme. Gjallëria që ngjalli sot sofra dardane në qytet, për një çast të krijonin përshtypjen se qyteti ka një mal me dashuri e mall për birin e vet. Ajo që bie në sy gjatë kësaj vizite, ishte, se edhe qytetarë të shumtë kishin ardhur nga Gjakova e zonat përreth saj. 

Ardhja e  Berishës, në Tropojë, shihet kudo këtu si një vizitë historike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›