E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë/ Luçiano Boçi kandidat i PD-së në qarkun e Elbasanit

“Shqipëria po ndryshon dhe Edvinit i kanë dalë jashtë loje tentativat e paturpshme për blerje e tjetërsim votash”

ELBASAN - Luçiano Boçi kandidat i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, në një intervistë për gazetën “55” shprehet se detyrimi më i madh, i lidhur ngushtë me misionin që ka çdo individ në shoqëri, ka qenë dhe mbetet angazhimi qytetar që maksimalisht shprehet si angazhim politik. Për angazhimin e tij në politikë, thotë që në vitet 1991-1992, është angazhuar për themelimin e Forumit rinor të Partisë Demokratike për rrethin e Elbasanit, ka vazhduar me angazhimin si sekretar i seksionit të Partisë Demokratike në Universitet, vazhdoi me angazhime në detyra të ndryshme si komisioner, vëzhgues etj, në zgjedhje të niveleve të ndryshme, kulmoi me kandidimin për kryetar bashkie dhe u finalizua me zgjedhjen si kryetar i Partisë Demokratike. Për emrat në listën e PD-së Boçi mendon se është një listë shumë cilësore.

Për strategjinë e ndjekur nga PS shprehet, nis që me logot pornoekzibicioniste të tipit votoni Edvin Ramën apo Gratë për Edvinin dhe vazhdon me tentativat e paturpët për të blerë vota me të gjitha metodat e mundshme në bazë të devizës “qëllimi justifikon mjetin”.

Duke qenë  akademik i futeni politikës? Si është raporti juaj mes arsimit dhe politikës?

Në fakt unë dhe në momentin e zgjedhjes e kam deklaruar dhe i mbahem përsëri këtij deklarimi se pasioni im më i madh është dhe mbetet profesioni im, ndërsa detyrimi im më i madh, i lidhur ngushtë me misionin që ka çdo individ në shoqëri, ka qenë dhe mbetet angazhimi qytetar që maksimalisht shprehet si angazhim politik. Në këto kushte midis pasionit dhe detyrës unë zgjodha detyrën. Raporti im mes arsimit dhe politikës  ngjason pak atyre martesave të që stisen me shumë vështirësi, por që kur ngjizen mirë japin rezultate shumë të arrira. Pretendoj në një harmonizim të dyjave me qëllim që të kam maksimalet e mundshme në ato shërbime që ato mund ti ofrojnë njëra-tjetrës.


Si erdhi kandidimi juaj me PD? Cila janë lidhjet tuajat me PD?

Kandidimi im ka qene një rrugë e natyrshme, brenda parametrave të një karriere mëse normale politike. Fillesat i ka në angazhimet e mia në vitet 1991-1992, për themelimin e Forumit rinor të Partisë Demokratike për rrethin e Elbasanit, ka vazhduar me angazhimin si sekretar i seksionit të Partisë Demokratike në Universitet, vazhdoi me angazhime në detyra të ndryshme si komisioner, vëzhgues etj, në zgjedhje të niveleve të ndryshme, kulmoi me kandidimin tim për kryetar bashkie dhe u finalizua me zgjedhjen time si kryetar i Partisë Demokratike.

Si i shikoni emrat që garojnë përkrah jush në Elbasan?

Mendoj se është një listë shumë cilësore, e cila përmban individë meritativë dhe shumë të spikatur nga pothuajse të gjitha fushat, politike e jo politike. Kjo vihet re sidomos në qoftë se e ballafaqon me listën e palës përballë e cila  vuan nga përsëritja PP-iste dhe nga prania e atyre që etiketohen si xhaketa të vjetra ose lidhje të ngushta me ta.

Si ka nisur fushata elektorale në qarkun  tuaj a ka probleme apo përplasje mes partive garuese?

Fushata ka nisur e qetë ku gjithsecili është pozicionuar në promovimin e asaj çka ofron, pavarësisht se diferenca e së vërtetës midis nesh dhe Partisë Demokratike është shumë e madhe.

Si ju duket strategjia që po përdor PS në këtë fushatë elektorale?

Është një strategji alla-PS. E nisi e qetë për të provokuar në kampin tonë një fjetje mendje dhe po përshkallëzon një lloj agresiviteti të nisur fillimisht me procesin e kartave të identitetit dhe që po vazhdon me një lloj britme symbyllur e cila qëllimisht nuk sheh se Shqipëria ka ndryshuar dhe që në sajin tonë do të ndryshojë akoma për të vazhduar turravrapin e pandalshëm drejt integrimit evropian. Kjo nga pikëpamja e asaj që konsiderohet si klimë apo atmosferë politike. Ndërkohë në planin operativ agresiviteti është akoma më evident dhe më i madh, ku trashëgimia sigurimse përcakton gjithçka.

Ai nis që me logot porno-ekzibicioniste të tipit “votoni Edvin Ramën” apo “Gratë për Edvinin” dhe vazhdon me tentativat e paturpshme për të blerë vota me të gjitha metodat e mundshme në bazë të devizës “qëllimi justifikon mjetin”.

Ju jeni i gjashti në listën e kandidatëve, besoni se do të fitoni?

Unë besoj se do të fitojë edhe i nënti, edhe i dhjeti.

Intervistoi. Anila Skura

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›