Historianët: Pas tërmetit nga Shkupi u shpërngulën mbi 30 mijë shqiptarë
Kreu i shoqatës së historianëve Skënder Hasani deklaron se dy janë momentet që planifikuan institucionet e Maqedonisë: 1. Shpërnguljen e rreth 30-të mijë shqiptarëve në Kosovë dhe Turqi dhe sjelljen e rreth 20 mijë sllavëve nga Maqedonia e Egjeut, Polonia dhe Çekosllovakia dhe 2. Ndërtimin e institucioneve në vend të 30-të xhamive të rrënuara.
Në vitin 1963 Shkupi nuk pësoi vetëm një katastrofë natyrore, por pësoi edhe një katastrofe demografike, ku u ndryshua struktura etnike dhe fetare e popullsisë. Në 50 vjetorin e tërmetit katastrofal, dalin në pah fakte që janë hulumtuar në arkivin e Maqedonisë dhe argumentojnë projektet fashizoide që i hartuan institucionet e atëhershme të Maqedonisë.
Këto fakte historike, Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë do t’i botojë së shpejti në një libër të veçantë. Kreu i kësaj shoqate, Skënder Hasani thotë për “Lajm” se dy janë momentet që planifikuan institucionet e Maqedonisë: 1. Shpërnguljen e rreth 30-të mijë shqiptarëve në Kosovë dhe Turqi dhe sjelljen e rreth 20 mijë sllaveve nga Maqedonia e Egjeut, Polonia dhe Çekosllovakia dhe 2. Ndërtimin e institucioneve në vend të 30të xhamive të rrënuara.
“Si ishte ndryshimi demografik i Qytetit të Shkupit? Deri në vitin 1963 sipas të gjitha statistikave Shkupi ishte i dominuar nga shqiptarët dhe duke shfrytëzuar këtë moment, institucionet shtetërore të Maqedonisë hartuan planin demografik për ndryshimin e strukturës etnike të qytetit të Shkupit. Elementi ky i ndryshimit demografik ishte kur 20 mijë shqiptarë nga Shkupi shkojnë dhe strehohen në Kosovë dhe në dokumentet që ne i disponojmë thuhet se duhet shfrytëzuar ky moment i tërmetit dhe duhet insistuar që ato 20 mijë shqiptarë që shkuan dhe u strehuan në Kosovë të mbesin në Kosovë, gjë që edhe ndodhi, ato 20 mijë që shkuan dhe u strehuan në Kosovë, mbetën në Kosovë njëherë e përgjithmonë”, thotë Hasani. Në këtë rast ai dëshmon edhe me familjen e tij, ku mbi 50 anëtarë të familjes së tij në vitin 1963 kanë shkuar në Ferizaj dhe kanë mbet atje.
“Më tej kemi edhe dhënien e lejeve për migrim në Turqi. Me qindra familje shqiptare dhe turke të përkatësisë myslimane, në 63-shin migruan në Turqi dhe nuk u kthyen kurrë. Duke shfrytëzuar këto dy shpërngulje masive drejt Kosovës dhe Turqisë, pushteti i atëhershëm bëri planin për të sjellë kolonë sllave nga Maqedonia e Egjeut, Polinia dhe Çekosllovakia. Për ta ndryshuar strukturën etnike të popullsisë në Shkup sollën mbi 20 mijë sllavë nga Maqedonia e Egjeut, Polonia dhe Çekosllovakia”, sqaron ai.
Hasani thotë se elementi i dytë që duhet të ceket është edhe rrënimi i 30 objekteve të Bashkësisë Islame, gjegjësisht xhamive dhe teqeve. “Në dokumentet që ne i disponojmë thuhet citoj: ‘Duhet shfrytëzuar ky moment i rrënimit të këtyre 30 objekteve që njëherë e përgjithmonë të hiqen qafe nga faqja e dheut dhe mbi ato të ndërtohen objekte krejtësisht të tjera’. Pra, jo vetëm që pësoi goditje objekti I Bashkësisë Islame, u rrënuan edhe 30 xhami dhe sipas një plani dhe projekti ato 30 xhami asnjëherë nuk e panë dritën që të ndërtohen. Mbi ato objekte janë ndërtuar institucione, si gjyqet, etj.”, thotë Hasani, duke shtuar se ky ishte edhe një element represiv ndaj popullatës, gjegjësisht ndryshimit të strukturës së dominimit, sepse dihet se në qytetin e Shkupit mbi 90-të për qind e shqiptarëve ishin myslimanë.
Në dokument thuhet se myslimanëve të Shkupit duhet t’i lihen vetëm katër xhami, ndërsa 30-të xhamitë e rrënuara u penguan që të ndërtohen”, thotë ai.
Shkupi pas themelimit të tij si qendër urbane në shekullin e VI para erës sonë, në shekuj ka pësuar goditje katastrofale nga faktori natyrë dhe nga faktori njeri.
Nga faktori njeri gjatë okupimeve romake, pastaj fiset barbare gotët, hunët, sllavët, pastaj në kontinuitet edhe pushtuesit e tjerë. Nga faktori natyrë kemi tërmete të ndryshme. Një ndër to është tërmeti i vitit 518 që e rrënoi në themel Skupin antik, që gjendet në Zllokuqan dhe Bardovski. Por Shkupit i kanë bërë dëme të mëdha edhe vërshimet që kanë ndodhur ndër shekuj që ka rezultuar me rrënimin e shumë objekteve autentike që ishin nga Shkupi antik.