KQZ vendos të rinumërojë të gjitha kutitë e qarkut të Lezhës. U konstatua manipulimi i rezultatit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thellon hetimin për Qarkun e Lezhës, vendos të hapë të gjitha kutitë dhe rinumërmin e fletëve të votimit. Anëtari i KQZ, Osmanaj: Komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot me 4 vota “pro” rinumërimin e kutive të qarkut të Lezhës. Vendimi është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision të cilët e cilësuan vendimin “çmenduri”. Vendimi i KQZ-së erdhi pas kërkesës së anëtarit të Komisionit, Klement Zguri, për hapjen e kutive dhe për verifikim të materialeve zgjedhore të të gjithë qarkun. Kjo kërkesë e tij vjen pas numërimit të votave në 10 kuti dhe konstatimit për manipulim të rezultatit në to. Sipas Zgurit, sistemi i numërimit të votave e ka humbur besimin, ndaj dhe lypset transparenca e procesit në këtë qark. “Kërkoj të hapim të gjitha kutitë e zonës zgjedhore Lezhë. Situata është kaq kompromentuese dhe e bën dramatike gjendjen në vendet e numërimit të votave, ku kemi një përfshirje të madhe të personave të administratës zgjedhore. Kërkesa ime synon të bëjë të mundur transparencën e kësaj situate”, u shpreh Zguri. Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në mbështetje të kësaj kërkese, tha se hapja e 10 kutive në Lezhë dhe ndryshimi total i rezultatit në këto QV shtoi dyshimin se komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija. “Kodi i ndryshuar zgjedhor i shtoi masat e dënimit në mënyrë të jashtëzakonshme për administratën që deformon ose pengon procesin. Hapja e kutive në Lezhë tregon se pavarësisht se janë shtuar masat përsëri administrata zgjedhore ka abuzuar me detyrën dhe e ka tjetërsuar rezultatin në Lezhë”, tha Osmanaj. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kundërshtuan duke kërkuar bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje. Ndërkaq, anëtarët e KQZ-së, sqaruan se nga hapja e 10 kutive të votimit u konstatua problematikë dhe tjetërsim i rezultatit. Nga kjo bazë insistuan ata duhet të kalohet tek hapja e të gjitha kutive të votimit të qarkut për të parë se çfarë ka ndodhur. “Të bëjë transparencën përfundimtare për këtë proces. Të bëjmë transparencë të plotë, sipas bazës ligjore. Zgjidhja më e drejtë dhe të zgjerojmë hetimin në funksion të marrjes së rezultati të drejtë dhe zgjidhjes përfundimtare”- tha Shtjefni.
Ndërkaq, KQZ vendosi ngritjen e 8 grupeve të numërimit me nga 2 anëtarë për rinumërimin e 248 kutive zgjedhore në Qarkun e Lezhës.
Nis nesër rinumërimi në Lezhë, KQZ miraton procedurat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të premten procedurat që do të ndiqen për hapjen e 248 kutive të votimit të qarkut Lezhë. Pas miratimit të vendimit për thellimin e hetimit administrativ në këtë qark, KQZ përcaktoi rregullat që do ndiqen për hapjen e kutive. KQZ vendosi ngritjen e tetë grupeve të numërimit, me nga dy anëtarë, të cilët do të nisin nga puna paraditen e së shtunës (ora 10:00). Të gjitha kutitë do të sillen në ambientet e KQZ-së nga magazinat e Lundrës gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa u ra dakord që çdo ditë të hapen 80 kuti. Përfaqësuesit e partive politike do të kenë nga një vëzhgues gjatë procesit të numërimit. Ndërkohë gjatë debatit për këtë çështje ata shprehën dyshime se vendimi i KQZ-së cënon integritetin e kutive të votimit.
Zguri: Në kutitë e Lezhës, manipulimi absurd
Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri tha se vendimi në KQZ për hapjen e të gjithë kutive të Lezhës, erdhi pas daljes së fakteve në dritë gjatë periudhës së hetimit që u krye si pasojë e kërkesave për manipulim nga subjektet politike. Zguri tha se nga administrimi u vu re një manipulim absurd të rezultateve, teksa paralajmëroi masa për komisionarët që kanë shkelur ligjin. “Kishim disa ditë që KQZ ishte investuar në raport me disa kërkesa ankimore që kishin bërë subjektet zgjedhore për qarkun Lezhë. Kishte ankesa për tabulimin e rezultateve dhe probleme pavlefshmërie. Gjatë ardhjes së rezultati nga Lezha në KQZ 10 tabela ishin të korrigjuara dhe fotokopje. Gjatë administrimit të kërkesave ankimore hapëm 10 QV dhe 6 kuti votimi kërkesë e PS, ajo që pamë ishte flagrante ishte manipulim absurd, rezultate që nuk korrespondonin as me materialin zgjedhor dhe as rezultatin e tabelave të KQZ. Kjo na bërë të rrëzojmë besimin që kemi në sistemin e numërimit të votave. Gjithçka do bëhet nën prani të mediave dhe nuk do ketë asgjë fshehur”, u shpreh Zguri.
Ministria e Brendshme verifikim të listave zgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme që të verifikojë listat e zgjedhësve të qendrës së votimit 0907 në qarkun e Lezhës.
Në kuadër të shqyrtimit të ankimimit të PS-së për zonën zgjedhore Lezhë, KQZ vendosi të miratojë kërkesën e socialistëve që pretendojnë se në këtë QV, pas ekspertizës së firmave të votuesve, rezulton se 50 firma janë hedhur nga e njëjta dorë. Po ashtu, PS pretendon se 156 votues të kësaj qendre kanë qenë jashtë vendit, ndërsa për 117 të tjerë është votuar nga persona të tretë.
Një ditë më parë Partia Socialiste kërkoi nga KQZ që të shpallë pavlefshmërinë totale të zgjedhjeve në të gjithë qarkun e Lezhës, pasi nga provat e siguruara prej tyre faktohet se ka pasur manipulime në 6 qendra të zonës së Mamurrasit dhe Laçit. Ky rezultat sipas socialistëve, ndikon në humbjen e një mandati të deputetit.