Historianët apo shkrimtarët

Shpesh ndodh që historianët të ndërhyjnë në çështjet që kanë të bëjnë me letërsinë, por edhe më shpesh ndodh që shkrimtarët t’i fusin hundët në çështjet që kanë të bëjnë me historinë.
Para pak ditësh, tre shkrimtarë nga Kosova, midis të cilëve edhe Ali Podrimja, duke marrë pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Kritikes Letrare në ishullin Lesbos të Greqisë,
nënshkruan një peticion kundër intervenimit të shtetit turk për, siç u tha, ndryshimin dhe korrigjimin e historisë shqiptare dhe fyerjen ndaj figurave historike shqiptare që kanë kontribuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga perandoria pushtuese otomane. Peticionin e nënshkruan edhe shkrimtarët e shteteve të ndryshme botërore.
Duke folur për këtë çështje, Jusuf Buxhovi, shkrimtar dhe historian, thotë se kjo është çështje që u takon vetëm historianëve. Ai i akuzon institucionet shkencore të vendit për reagime shumë të zbehta ndaj kësaj çështjeje.
“Institucionet tona nuk kanë dalë me vlerësime. Akademia e Shkencave, e cila nuk ka historian, ka dalë diku mbas një muaji bashkë me Institutin e Historisë, por ka qenë një vlerësim shumë i zbehtë. Kështu që kjo është për keqardhje”, tha Buxhovi. Ai shtoi se prezantimi i historisë në tekstet shkollore është kompetencë e institucioneve, Ministrisë së Arsimit dhe i institucioneve, të cilat krijojnë konceptet rreth kësaj çështjeje shumë profesionale.
Kërkesat e ministrave turq, Buxhovi i konsideron tepër të papranueshme dhe skandaloze.
Ai tha se një shtet që pretendon të ketë marrëdhënie politike me një shtet tjetër këtë nuk guxon ta bëjë.
“Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë jo vetëm në çështjet e brendshme të Kosovës por e ka fyer edhe dinjitetin e intelektualëve dhe historianëve të Kosovës. Këtu është edhe një problem tjetër se duhet dalluar çka është Perandoria Osmane dhe çka është shteti turk. Shteti turk është krejt diçka tjetër.
Ai është krijuar në vitin 1923 dhe nuk ka kurrfarë të drejte të kërkojë diçka në emër të Perandorisë Osmane sepse Perandoria Osmane është një realitet krejt tjetër historik, që nuk ka të bëjë asgjë me Republikën e sotme të Turqisë. Me të madje më shumë kanë të bëjnë shqiptarët sepse kanë qenë faktor i saj. Por esenca mbetet se Perandoria Osmane është perandori pushtuese, ka ardhur në Ballkan si pushtuese dhe këtë nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri”, tha Buxhovi.
Sipas tij, këto janë fakte historike dhe nuk mund të ndryshohen madje nuk mund as të bisedohet lidhur me to.
Ndryshe prej Buxhovit, poeti dhe kritiku letrar Ndue Ukaj shprehet se është në ndërgjegjen e çdo shqiptari të reagojë ndaj këtyre tendencave, të cilat ai i quajti makabre, që po bën Turqia, nëpërmjet disa politikanëve mendjeshkurtër shqiptarë, për ndryshimin e historisë. “Prandaj, si të këtillë, këtë peticion e mbështes dhe inkurajoj, ashtu sikurse çdo lëvizje qëllimmire. Duhet ta përsërisim një fakt, vetëm shtetet totalitare ndërmarrin iniciativa për ndërhyje në tekstet shkollore dhe ndryshimin e tyre. Për më tepër, asnjë shtet demokratik nuk mund të pretendojë ndaj një vendi tjetër të ndryshojë historinë”, tha Ukaj. Me këtë, sipas tij, edhe shteti turk, por edhe politikanët tanë, kanë dëshmuar një prirje jonormale demokratike, civilizuese.
Ai shtoi se çdo tendencë për të ndryshuar historinë, rrezikon paparashikueshëm të ardhmen e kombit shqiptar, prandaj shkrimtarët si zëri i arsyes dhe si zëri më i motivueshëm i shoqërisë, duhet të reagojnë ashpër dhe pa kompromis ndaj këtyre përpjekjeve.
Me këtë çështje, sipas tij, duhet të merret e gjithë inteligjencia shqiptare dhe jo vetëm ajo, sepse, siç u shpreh ai, po synohet të atakohet imuniteti kombëtar dhe tërësia e tij shpirtërore. “Kjo përbën rrezik të paparashikueshëm për shqiptarët, prandaj shkrimtarët duhet fuqishëm të jenë zëri i ndërgjegjes qytetarë, duke e thënë fjalën e vet. Tendencat për ta ndryshuar historinë, atakojnë sidomos letërsinë shqipe, e cila për shkak të kontekstit nëpër të cilin ka kaluar dhe rrethanave në të cilat u zhvillua, ka një frymë të natyrshme antiotomane”, tha Ukaj. Sipas tij, historia shqiptare është e ndërlidhur shumë me letërsinë. Madje, u shpreh Ukaj, ka periudha kur letërsia shqipe ka qenë ajo që i ka determinuar proceset kombëtare. “Ta zëmë, figura e Pjetër Bogdanit, pastaj rilindësit e shumtë. Prandaj, shkrimtarët jo vetëm që duhet të reagojnë, por e kanë obligim të reagojnë ndaj pretendimeve turke dhe sahanlëpirësve mendjeshkurtër shqiptar”, tha ai.
Sikurse Buxhovi, edhe Ukaj i kritikoi institucionet shkencore, të cilat, sipas tij, kanë bërë disa reagime, por shumë të qulltë dhe pa efekte të mjaftueshme.
“Zëri i institucioneve shkencore është zvetënuar, për arsye të shumta, e sidomos për shkak të ndikimeve që ka jo rrallëherë politika mbi këto. Mirëpo, janë inkurajues disa zëra kritikë, që herë pas here dinë të shprehin mendime ndryshe”, tha Ukaj.
Sipas tij, institucionet shkencore do të duhej të ishin në nivelin e përgjegjësisë intelektuale, për të treguar qartësisht çfarë fshihet prapa këtyre tendencave.