E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historianët, debat për datën në prag të çlirimit

 

Alma Mile

Thuhet se historianët janë ata që duhet të ngrihen mbi bindjet politike e paragjy-kimet, e në mënyrë shkencore të vënë pikën mbi "i". Po ja që kjo nuk ndodh, aq më tepër kur bëhet fjalë për datën e çlirimit të Shqipërisë. Në 28, apo 29 nëntor u largua gjermani i fundit nga Shqipëria? Në prag të festës së Çlirimit të vendit, historianët shqiptarë u mblodhën për të thënë fjalën e tyre mbi pozicionin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me rastin e 65-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë organizoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave, konferencën shkencore me temë: "Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore". Pavarësisht se historianët duhet të operojnë vetëm mbi fakte e nuk duhet të kenë ngjyrime partiake, tanimë identifikohen ata që i përkasin njërës, apo tjetrës "palë". Dje, pjesa më e madhe u mundua të ishte e ekuilibruar. Nga të gjithë u vlerësua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nuk pati asnjë prej tyre që ta mohonte rëndësinë e saj dhe të gjithë u munduan që ta anashkalonin temën e datës së çlirimit. Kështu, historiani Xhelal Gjeçovi solli ca refleksione mbi luftën, Beqir Meta, "Qëndrimin e qeverisë greke ndaj rezistencës antifashiste të popullit shqiptar", Hamit Kaba, "Relacione shqiptaro-amerikane 1939-1945", Ana Lalaj "Shqipëria në projektin për Federatën ballkanike" dhe Maringlen Kasmi "Aspekte të historiografisë gjermane për pushtimin gjerman të Shqipërisë". Sigurisht nuk mund të mungonte edhe zëri i ndonjë të pakënaquri nga salla për përmbajtjen e "vjetruar" të kumtesave. Madje zv/ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia u shpreh i gatshëm të bënte edhe debat me historianin Gjeçovi, çka nuk u lejua nga drejtuesit e konferencës. Vetëm dr. Vasfi Baruti "guxoi" të prekë temën e datës së çlirimit me kumtesën "28 Nëntori i tretë i Shqipërisë". Baruti solli faksimile të dokumenteve të kohës që dëshmonin për çlirimin e vendit në 28 nëntor, si njoftime të klerit ortodoks e katolik, të cilët ishin të parët që njoftuan një "te deum" me rastin e çlirimit, programin e festimeve që zgjatën tre ditë, fjalimi i Enver Hoxhës mbajtur në datën 28 nëntor në Tiranë, Buletinin e luftës, një organ të Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ, përshëndetje të Radio Londrës, etj., etj. Çka duket se përfaqësoi më së miri edhe mendimin e shumicës në sallë. I ndierë disi i "vetëm" në këtë konferencë, i pyetur jashtë salle, historiani Gjeçovi thotë se shkenca, përfshirë këtu edhe historinë e ka debatin në thelbin e vet. "Të gjitha çështjet lënë vend për diskutim, mjaft që synimi të jetë i qartë,  jo me para-gjykimin për të hedhur poshtë Luftën Nacionalçlirimtare. Lufta është një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare. Është e tillë për nga pjesëmarrja dhe rrethanat, ku u zhvillua, por do të veçoja më së shumti rezultatet e saj. Me këtë luftë fituam pavarësinë kombëtare, të shkelur në vitin 1939, me këtë luftë ne u rreshtuam me "aleatët" dhe fituam një kapital të madh politik, që përballuam intrigat e fqinjëve", tha Gjeçovi, duke shtuar se i vjen keq që rëndësinë e LANÇ kërkojnë ta zbehin për shkak diktaturës që u vendos pas çlirimit. Sa i përket datës aq shumë të debatuar se për të nuk ka asnjë pikëpyetje. "Për mua çdo gjë është e sqaruar, e dokumentuar, që çlirimi i vendit dhe i gjithë Shqipërisë, është në 29 nëntor. Ka të tjerë që sjellin versionet dhe argumentet e tyre. Vetëm në diktaturë mendimet rrafshohen dhe pluralizmi i tyre nuk lejohej. Por vetëm dy palë e dinë datën e çlirimit, forcat partizane dhe hitleriane. Rreth 98% e partizanëve që kanë luftuar për çlirimin e Shkodrës thonë se kanë hyrë në të në mëngjesin e 29 nëntorit, kurse forcat hitleriane, në raportet dhe ditarët e tyre, dokumentacionit të dërguar ministrisë sonë të mbrojtjes përmes Shtabit të Vermahtit, përmes atasheut ushtarak gjerman këtu, ka konfirmuar se urdhri për evakuimin e forcave gjermane nga Shqipëria, dhënë në tetor është realizuar në 29 nëntor, kur kemi lënë Shkodrën", tha Gjeçovi. 

Debati

Në sallën e Akademisë së Shkencave ku u zhvillua konferenca shkencore "Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore", me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të vendit, duket se kishte më shumë të "djathtë", se të "majtë". Ndërsa kumtesës së historianit Xhelal Gjeçovi, i cili i takon "palës" që mbështet 29 nëntorin si datë të çlirimit të vendit, po i vinte fundi, nga salla u dëgjuan pakënaqësi.
Xhelal Gjeçovi: ... Pas rënies të diktaturës u pozicionuan dy qëndrime të kundërta, njëri nostalgjik për regjimin e kaluar dhe tjetri që zhvlerëson luftën, duke e quajtur si antikombëtare... Duhet t'i lëmë qëndrimet ekstreme...
Ekrem Spahija: A mund t'i bëj një pyetje z. Gjeçovi?
Beqir Meta: Pas kumtesave kemi një kohë debati dhe ju z. Spaija do të jeni i pari që do ta merrni fjalën.
Ekrem Spahija: Se boll me këto përralla që i kemi dëgjuar për 45 vjet me radhë. Këto gjëra i ke lexuar edhe para '90-ës.
Xhelal Gjeçovi: Nuk është e vërtetë që kam thënë të njëjtat gjëra para '90-ës.
(Asnjëri prej tyre nuk priti orën e debatit)
Koli Çobo, veteran: Unë jam ai që kam dhënë lajmin për çlirimin e vendit. Hymë në Shkodër, hodhëm dhe fishekzjarrë jeshil... Nuk pati luftë. Unë jam dëshmitar okular, të gjithë që thonë, jo e pamë, jo dëgjuam, janë kot. Kam lexuar dhe kujtimet e Enver Hoxhës dhe ai thotë që dita e çlirimit është 28 nëntori. Vetëm kjo datë është. Nuk ka tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›