E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat "spiunit" të Dajtit

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje lënien në burg deri në përfundim të hetimeve për Mariglen Muçën, inspektorin e policisë së Durrësit të akuzuar si "spiunin" e Dritan Dajtit në polici. Togat e zeza të kësaj gjykate vlerësuan dje si të ligjshëm arrestimin dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj tij. Mariglen Muça u paraqit dje para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura bënë të ditur se avokati i Muçës ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie për klientin e tij. Pasi është njohur edhe me pretendimin e palës akuzuese, kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili, ka vendosur vlerësimin e ligjshëm të arrestit të tij dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit "arrest me burg".
Mariglen Muça, e pa veten të prangosej katër ditë më parë teksa ishte në një nga zyrat e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Arrestimi i Muçës, oficer i lartë në Policinë e Durrësit, u realizua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda. Masa e sigurisë "arrest me burg" për të ishte caktuar në mungesë, ndërsa ditën e hënë ai ishte thirrur në prokurori për të dhënë sqarime në lidhje me komunikime telefonike të tij me Ergest Xhoxhin, kunatin e Dritan Dajtit gjatë kohës që ky ishte në person në kërkim. Sipas prokurorisë mbi Muçën rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës" gjatë kohës që ai kryente detyrën e efektivit të policisë në zonën e plazhit, zonë ku strehohej Dritan Dajti.   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›