Tiranë, grabitësi djeg me acid në rrugë vajzën e divorcuar
TIRANE - Një person i pa identifikuar dogji me acid një 21-vjeçare pasi tentoi ta grabiste dje në qendër të kryeqytetit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në bulevardin "Zogu I" kur një 21 vjeçare ka rënë pre e një sulmi me acid nga një i panjohur, i cili ka tentuar t'i rrëmbente çantën. Burime nga policia e kryeqytetit pohojnë se agresori, i është afruar me të shpejtë vajzës që po ecte pranë Ministrisë së Drejtësisë duke tentuar t'i rrëmbente çantën, por reagimi i saj i menjëhershëm ka bërë që ai të mos ia shkëpuste çantën nga duart. Pas kësaj agresori, i cili pak çaste më parë ka përfunduar një telefonatë, i ka hedhur asaj një solucion gërryes drejt fytyrës, por mbrojtja e saj me dorë ka bërë që të dëmtohej vetëm në pjesën e qafës. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm në prani të kalimtarëve të rastit, të cilët kanë ndihmuar vajzën e sulmuar duke e përcjellë në spital. Aktualisht ajo ndodhet në repartin e Djegieve në QSUT, ku po merr mjekime, ndërsa burime mjekësore pohojnë se ajo ka pësuar dëmtime të rënda. Policia pohoi se viktima 21 vjeçare, Erta V., nga Lushnja, e divorcuar para një muaji kishte nisur punë sekretare në një universitet privat në Tiranë. Fillimisht është dyshuar se autori mund të ishte ish-bashkëshorti i saj, por ai ka rezultuar se dje ishte larguar jashtë vendit. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes filmimet në kamerat e sigurisë të një eurollotoje, ku shfaqet qartë fytyra e agresorit, por që nuk njihet nga viktima. Aktualisht ish-burri i saj është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ai, për hakmarrje mund të ketë paguar dikë për të kryer sulmin ndaj vajzës me qëllim shëmtimin e saj. e.d/f.m