Për pronën, atentat me armë oficerit të policisë
LEZHE - Atentat komandantit të trafikut të qarkullimit të Kurbinit, Krenar Molla. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se oficeri i policisë Molla, rreth 30 vjeç, ndërsa po kthehej nga puna për në banesë, ka rënë në pritën e një bashkëmoshatari, njëkohësisht fqinj me të. Plagosja e Mollës është kryer në qendër të qytetit të Lezhës. Sipas policisë bëhet e ditur se në momentet kur Molla po ulte shpejtësinë e makinës pasi po arrinte para shtëpisë, fqinji i tij, i identifikuar si Luljet Turmeta, i është afruar, duke e qëlluar dy herë me pistoletë e më pas është larguar me shpejtësi. Dy plumbat e kanë marrë në trup Mollën, i cili ndodhet në spitalin ushtarak, në gjendje kritike për jetën. Kolegët e tij të Lezhës ishin të parët që e transportuan fillimisht në urgjencën e spitalit të qytetit e më pas drejt Tiranës. Ndonëse sipas policisë, autori është identifikuar shpejt, ai ishte akoma në kërkim deri në orët e vona të mbrëmjes. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se shkak i konfliktit është bërë një grindje për motive pronësie mes familjes Molla dhe asaj të autorit. Po dje, babai i Mollës, sipas policisë kishte debatuar me fqinjin, për zënien e një pjese toke, në afërsi të banesës. Mësohet se autori është shoqëruar në polici, ku ka pohuar se nuk do të bëhej më pjesë e konfliktit. Por, në të vërtetë, pak orë pas konfrontimit me të atin, autori ka vendosur të hakmerret tek i biri, pikërisht te punonjësi i policisë, Krenar Molla. Duke ditur oraret e kthimit, autori ka zënë pritë, deri në momentin kur Molla është afruar dhe e ka qëlluar pa paralajmërim. Pas atentatit, autori është larguar mes njerëzve së bashku me armën e krimit në dorë. Mjekët pohuan se një plumb e kishte përshkuar trupin e Mollës tejpërtej, ndërsa një tjetër jo, duke e bërë të pashmangshme ndërhyrjen kirurgjikale. Gjatë mbrëmjes së djeshme, forca të shumta policie, kolegë të Mollës kanë pritur në dyert e spitalit ushtarak, bashkë me familjarët e të lënduarit, në pritje të përfundimit të operacionit. Ata kanë dhënë gjak, me shpresë që 30-vjeçari të kalojë gjendjen e rrezikut për jetën. r.n