“Më ‘90, Ramiz Alia shmangu zhvillime të egra”
Luljeta Progni
Ismail Lleshi, ish-anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe ish-nënkryetar i parë i Partisë Socialiste të sapoformuar, në një intervistë të dhënë gazetares së mirënjohur Luljeta Progni, i bën një analizë të plotë ngjarjeve më kryesore në radhët e Partisë së Punës, në periudhën e vrullshme 1990-1992. Intervista që është botuar në librin "Trashëgimtarët" e autores Progni, sqaron me shumë detaje sidomos figurën e Ramiz Alisë në këto kohëra, duke bërë vlerësime, por edhe duke hedhur dritë mbi fakte pak apo aspak të njohura.
Progni: Kur jeni angazhuar konkretisht në nivele përfaqësimi në PPSH?
Lleshi: Angazhimi strukturor në nivelet e përfaqësimit, madje relativisht të larta, nis në fund të vitit 1990 dhe fillimin e vitit 1991. Bëhet fjalë për plenumin e dhjetorit të 1990-ës, ku u vendos kooptimi i një numri kandidatësh në Komitetin Qendror të PPSH-së. Ndër ta isha dhe unë. Bëhet fjalë për një ndryshim në strukturën e Komitetit të Partisë së Tiranës, ku dhe u zgjodha në struktura. Më pas vjen e rritet angazhimi im, deri në një angazhim intensiv parlamentar pas zgjedhjeve të 31 marsit, ku u zgjodha kryetar i grupit parlamentar të PPSH-së. Angazhimi im vjen në rritje deri në Kongresin e 10-të të PPSH-së, nga doli dhe Partia Socialiste, ku unë u zgjodha nënkryetar i saj.
Çfarë ndodhte në PPSH, kur ju u angazhuat konkretisht, pra në periudhën që ju thoni, se morët poste përfaqësimi. A kishte grupime dhe nëse po, cilat ishin raportet mes tyre?
Mendoj se partinë e njihja, por më rezultoi se në angazhimin tim si kandidat i KQ, nuk e kisha njohur plotësisht këtë parti.
Në ç'kuptim?
E kisha njohur në aspektin teorik dhe jo praktik. Mund të them se dhe kur u afrova dhe pashë problematikën e kësaj partie, konstatova se aty nuk kishte grupime. Por nga ana tjetër, zhvillimet e viteve '80-'90, kishin bërë të mundur lindjen e opinioneve të ndryshme për sa i përket, jo më shumë rrugës së kaluar, por rrugës që do të shkelje më pas. Kishte opinione të ndryshme për sa i përket të ardhmes së saj, çfarë ndryshimesh duheshin bërë. Natyrisht nuk ishte e lehtë të mendoje se zgjidhjet do të ishin përfundimtare menjëherë, por nëpërmjet diskutimeve kishin lindur opinione të ndryshme për sa i përket rrugës së mëtejshme të kësaj partie.
Kur shpreheshin këto opinione, si ishin ndarë anëtarët e Byrosë Politike. Çfarë idesh kishte, nga kush përfaqësoheshin dhe cilat ishin raportet midis tyre?
Mesa unë kuptoja në atë periudhë, idetë që ndesheshin ishin tre, të cilat përditë e më shumë, deri në kongresin e dhjetë, po kristalizoheshin si tre opsionet e mundshme për të ardhmen e PPSH-së. E para dhe që ishte dominuese atëherë, ishte ideja, që kjo parti ishte me rrënjë të thella, solide dhe nga kjo pikëpamje është e aftë të përballojë situatën edhe më tej. Ideja e dytë që ishte prezent në atë kohë, ishte se kjo parti, për shkak të zhvillimeve të viteve '89-'91, kishte nevojë për ndryshime, por këto ndryshime shikoheshin si retushime të gjendjes ekzistuese. E treta që vinte si një opsion fillimisht shumë parcial dhe i dobët, që e shikonte edhe teorikisht problemin, ishte që kjo parti si çdo fenomen shoqëror lind, zhvillohet dhe përfundon misionin dhe se ndoshta kishte ardhur koha që kjo parti të konsiderohej se e kishte kryer misionin e saj. Unë nuk mund ta ndaj këtë larmishmëri idesh në struktura organizative të kësaj partie, pra të PPSH-së. Veçse ishte një fakt domethënës, që pjesa më e madhe e strukturës udhëheqëse, sidomos në nivele të larta, që në atë kohë ishte Byroja Politike, anonte në variantin e parë, që partia është në rrënjë të thella dhe ishte e aftë për të përballuar sfidat e kohës. Kishte përjashtime të disa individëve me ide të ndryshme, ku hynte edhe Ramiz Alia, që shkonin deri në variantin e dytë, pra tek disa ndryshime të vogla në kuadrin e retushimeve, pra tek një përshtatje të kësaj force politike me realitetin e ri. Kurse në nivele të tjera ku përfshihet anëtarësia kishte ide më të avancuara, që mund të përmblidhet në fjalët, të gjendet një zgjidhje tjetër, të dalim nga kjo forcë ekzistuese për të krijuar një forcë të re politike.
Isha dëgjues i të tria opsioneve dhe fillimisht kam qenë për rishikim thelbësor të partisë ekzistuese, por me kalimin e muajve u pa, se aty duhej ndërhyrë dhe nuk bëhej fjalë thjesht për një rishikim retushues, sepse duhej t'i përshtateshe realitetit të ri shqiptar.
Për sa i përket opinionit të parë, domethënë partia është më rrënjë të thella dhe e aftë për t'u bërë ballë sfidave të kohës, ishte një përpjekje për të qëndruar brenda sistemit, pavarësisht se çfarë ndodhte në vendet e ish-bllokut komunist?
Fillimisht me ndryshimet në Lindje, mendohej se sistemi ishte në gjendje të përshtatej dhe mendohej që me një përpjekje të forcës politike, në rastin tonë PPSH-së, të realizohej dhe përshtatja e sistemit. Nuk e kam fjalën për rrugën që ndërmori Kina, që me sa e njohim, bëhet fjalë me një përshtatje të forcës politike, një retushim të forcës politike dhe që të mund të realizohet një bashkëjetesë. Pra, sistemi politik i adaptuar apo i përshtatur me realitetin e ri, të funksionuar brenda sistemit komunist. Këtu ka qenë më sipërfaqësor arsyetimi. Kjo për shkak, se pesha specifike e vendit dhe e partisë në pushtet ishte më e pakët. Meqenëse përmendëm Kinën, Kina i kishte filluar këto procese më përpara, kurse PPSH-ja në '89, '90 e 1991 u ndodh përballë disa problemeve, të cilat deri shumë pak kohë më parë i kishte mohuar në mënyrë kategorike. Dhe nga një mohim kategorik, nuk mund të kalosh jo më në pohim, por as në retushim aq kollaj.
A ishte Ramiz Alia i gatshëm të ndiqte rrugën sipas modelit të Kinës?
Ramiz Alia ishte pjellë e një partie dhe duke qenë pjellë e një partie tradicionale, në atë parti personalisht linin gjurmë, por edhe partia linte gjurmë tek personalitet. Domethënë objektivisht Ramiz Alia nuk mund të ishte i çliruar nga historia 40-vjeçare e kësaj partie. Nga kjo pikëpamje kjo parti ishte jeta e tij dhe nga jeta e tij, njeriu nuk heq dorë kollaj. Personalisht, unë mendoj se Ramiz Alia bëri përpjekje t'i përshtatej ndryshimit, por se di se sa koshient ishte a do të arrinte dot rezultate. Dhe mendohej se i duhej dalë ballë realitetit qysh atëherë dhe i duhej thënë ndryshe. Atij realiteti i duhej thënë emri i vërtetë, por këtë e them kur më pyet sot se po të më pyesje në atë periudhë, dhe unë mendoja se mund të bëheshin përpjekje, të cilat ta afronin këtë realitet të fundviteve '80, me kërkesën që sillte koha në mënyrë që ai ndryshim që po vinte me vrull, të mos bëhej me trauma.
Nëse arrihej kjo apo ajo, duhej parë se cili ishte konteksti i realitetit shqiptar në atë kohë dhe çfarë mundësish kishte për të bërë ndryshime brenda atij realiteti pa trauma. Më duket se kjo ka qenë edhe ngarkesa më e madhe e Ramiz Alisë për ta përballuar. Dhe për këtë arsye ai kërkonte të gjente një zgjidhje midis një jete 50-vjeçare në një forcë politike dhe një realiteti të ri. Unë mendoj se megjithë përpjekjen e tij, u shmangën disa zhvillime të egra, por nuk u shmangën zhvillimet konfliktuale.
Për çfarë konfliktesh e keni fjalën?
Shoqëria shqiptare ishte e mbarsur me shumë kontradikta. Kontradikta kryesore ishte ajo ekonomike dhe situata ekonomike, sidomos e dhjetëvjeçarit të fundit, kishte ardhur duke agravuar vazhdimisht dhe ishte e qartë se një realitet ekonomik nuk mund të përballohej me atë orientim politik. Ose duhej gjetur një orientim politik në përshtatje me realitetin ekonomik, ose i duhej hapur rrugë një orientimi tërësisht të ri politik. Kontradikta e dytë e madhe ishte ndarja e shoqërisë. Sado që raportet ishin të interpretuara në favor të forcës politike në pushtet, realisht, për shkak të disa faktorëve, siç ishte lufta e klasave dhe faktorë të tjerë, një pjesë e shoqërisë ishte e ndarë dhe kjo ndarje dihej. Në këtë pikëpamje këtë kontradiktë që ishte krijuar për shkak të luftës së klasave mund ta mendoje edhe si një premisë për një konflikt social. Pra, duke pasur një premisë ekonomike të egër, siç ishte gjendja ekonomike në Shqipëri, dhe duke i bashkuar kësaj edhe një faktor tjetër, siç ishte ndarja e shoqërisë për shkak të luftës së klasave, kuptohet se fundi i viteve '80 dhe fillimi i viteve '90 në Shqipëri përmbanin risqe shumë të mëdha. Përballë këtyre risqeve duhet të gjeje zgjidhjen.
Cila ishte zgjidhja, sipas jush?
Zgjidhja ishte që më përpara se të vinte i vonuar zhvillimi politiko-social, duhet të ishte planifikuar rruga. Në të vërtetë ndodhi e kundërta, mendohej për zgjidhje, pasi ishte agravuar problemi. Nga kjo pikëpamje përgjegjësia ishte e vetë forcës tonë politike, që nuk e mendoi zgjidhjen kur po shikonim të gjithë që problemi po lindte. Problemi kishte lindur dhe ishte prezent me lëvizjet, po të përmendim këtu ngjarjet e 2 korrikut 1990, apo shenjat e mars-prillit, apo edhe ngjarjet që po ndodhnin në vendet e Evropës Lindore dhe veçanërisht në Gjermani e Rumani. Ato ishin probleme edhe tonat e qysh atëherë nuk duhej menduar si të kapërcehen, por si të zgjidhen. Në të vërtetë ajo që u mendua ishte si të kapërcehen dhe kapërcimi u mendua madje si "të shtyhen në kohë". Kjo kishte vlerën e vet të uljes së tensioneve, por nuk e zgjidhte problemin. Problemet u grumbulluan dhe në fund, në vend që ti dilej situatës përpara me zgjidhje, zgjidhjet imponoheshin, pasi veprimi vinte pas. Po të shikosh ngjarjet e vitit 1991, jemi në një situatë kur zhvillimet vijnë si rezultat i imponimit dhe jo si pasojë e gjetjes së zgjidhjeve në mënyrë normale. Pra, lëvizjet e Ramizit dhe kupolës së Partisë vinin një hap pas zhvillimeve që ndodhnin. Sot është e thjeshtë të bësh analiza, por situata atëherë ishte ndryshe dhe po të më pyesje atëherë, se cila do të ishte zgjidhja, unë nuk do të isha aspak larg me atë zgjidhje që dha Ramizi.
A janë të gjitha lëvizjet politike të Ramizit në funksion të mbrojtjes së vet dhe pse jo të karrierës së tij të mëtejshme pas viteve '90?
Unë mendoj se duhet përjashtuar disi kjo. E përjashtoj sepse në jetën e tij, të nisur që në moshë të re me angazhime në këtë parti, më pas vjen si vazhdues i Enver Hoxhës, ai nuk kishte çfarë t'i gëzonte më kësaj jete politike, kur informacioni i tij ishte i një sistemi të mëparshëm. Aq më tepër kur po bëhej përditë e më tepër e qartë, që realiteti i ri social dhe ekonomik do të kërkonte personalitete të reja...
30.01.2009 (vijon)