E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e utopive. Njëzet vjet më pas

08-07-2011 / Nga Virgjil Muçi

Vladimir Tishmaneanu është njëri prej katër kalorësve të apokalipsit antikomunist (në qoftë se mund të shprehemi kështu, duke huazuar një shprehje nga Dhjata e Vjetër) në Europën Lindore të pasvitit 1989 krahas të mirënjohurve Adam Mihnik, Vaclav Havel dhe një Gjorgji Konrad. Por, lypset thënë, më pak i njohuri ndër ta, paradoksalisht; për faktin se, të paktën gjeografikisht, më i afërm me ne, shqiptarët. Botimi kohët e fundit i librit të tij “1989. Fundosja e utopisë”, jo vetëm që zë vendin e duhur në bibliotekën e mendimit politik, duke plotësuar një zbrazëti të ndjeshme (ma do mendja se, ndonëse kemi lënë pas njëzet vjet nga vithisja e komunizmit, biblioteka e veprave të autorëve të kështuquajtur disidentë mbetet ende e mangët si dhëmbët e padalë në gojën e një motaku), por edhe hedh dritë mbi shumë dukuri që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, kanë qenë pjesë e historisë përgjatë gjysmëshekullit të diktaturës në vendin tonë, duke na ndihmuar të shohim qartë e të shpjegojmë letargjinë intelektuale dhe mungesën e plotë të një disidence të mirëfilltë politike te ne, të paktën sipas paradigmës që na përcjellin vendet e tjera të ish-kampit socialist.
    Duke u ndalur dhe jo vetëm duke i përshkruar, por edhe shpjeguar, lëvizjet e mëdha antitotalitariste dhe iluministe (të përdor një shprehje të Tishmaneanus) të vitit 1956 në Hungari dhe më 1968, fillimisht në Perëndim e më pas me Pranverën e famshme të Pragës që u shtyp sa nga zinxhirët e tankeve të Traktatit të Varshavës aq edhe nga indiferenca e konformizmi i realpolitikës së qeverive të Europës Perëndimore, e cila, këtë herë, kishte zëvendësuar mosbesimin e dyshimin që kishte mbizotëruar në kohën e vet kundrejt Revolucionit Hungarez, autori heq një paralele të shkëlqyer me atë çka ndodhte në vendin e tij të origjinës, Rumaninë e asaj kohe: së pari, skicon profilin politik të diktaturës tok me specifikat e veta (kam këtu parasysh pseudo-liberalizmin kallp dhe antisovjetizmin e shtirur të Çausheskut dhe klikës së tij) dhe, së dyti, inteligjencies rumune që përpëlitej mes konformizmit me regjimin dhe joshjes nga disidenca e kolegëve çekë e hungarezë, duke na ndërtuar, kësisoj, një kuadër mbresëlënës, i cili kontraston fort me letargjinë e inteligjencies dhe elitës shqiptare të indoktrinuar dhe të anestetizuar fund e krye nga diktatura (për eufemizëm) e proletariatit pa proletarë. Duke hapur një parantezë në këtë pikë duhet të them se në të gjitha shkrimet e veta, Tishmaneanu sheh te inteligjencia dhe shoqëria civile shpirtin e zinxhirit të revolucioneve të viteve ’89 dhe varrmihësin e regjimeve totalitare në mbarë vendet e asaj që dikur konsiderohej Lindja europiane. Them se nuk lajthis po qe se pohoj që, ndoshta më shumë se çdo autor tjetër, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, Tishmaneanu mund të shërbejë si pikënisje për të hedhur një vështrim kritik, introspektiv në shoqëritë tona, vështrim që teksa nga njëra anë ndriçon njollat e murrme të dramës shqiptare të periudhës së pushtetit absolut të E. Hoxhës nga ana tjetër na vjen në ndihmë të kuptojmë komedinë e tranzicionit demokratik ose të asaj që ai diku e quan elektokratik.
    Në shkrimin “Fundosja e utopisë dhe revolta e intelektualëve” që hap përmbledhjen me shkrime të këtij botimi hasim në një konstatim kyç, për mendimin tim, lidhur me fatin e intelektualëve në kapërcyell të viteve 1989 e më pas, ngjarje që shenjuan mbylljen e një epoke dhe kalimin në një akt të ri të ekzistencës së njerëzimit, i cili, ashtu si dhe më parë në histori në çaste kthesash të mëdha u shoqërua me këndellje shpresash dhe mirazhe që ngjallën optimizëm kandidian. Jo pa një dozë trishtimi, autori shprehet se viti 1989 ka qenë momenti i fundit i dinjitetit dhe krenarisë së intelektualëve të Europës Jugqendrore. Dhe pas kësaj autopsie të kryer me skrupulozitetin e një mjeku që orvatet të diagnostifikojë me realizëm shkaqet e vdekjes së pacientit, ne që vëzhgojmë gjithçka të kureshtur nga fakti se fati ynë është gjithashtu i lidhur me të, nuk kemi se si të mos përsiatim sërish rreth fillit të Arianës që lidh pashmangshmërisht dhe pazgjidhshmërisht intelektualët shqiptarë me sivëllezërit e tyre lindorë përsa i përket përdorimit - për të ofruar atë legjitimitet të munguar e aq të domosdoshëm që u nevojitej liderëve të rinj të dalë nga kaosi i përmbysjes së komunizmit, por ende të veshur me kostumet teritalë të nomenklaturës së dikurshme – shfrytëzimit dhe, në fund, braktisjes si diçka e bezdisshme në fatin e tyre, çka me fjalë të thjeshta do të thoshte margjinalizim material e shpirtëror në skaj të vitrinës së shoqërisë së konsumit, e cila në thelb nuk kish si të ndryshonte dhe aq shumë prej kohës së artë të virtytit dhe begatisë – virtuale – të komunizmit.
Vladimir Tishmanenanu nuk është vetëm një analist i mprehtë dhe mendje kritike që përimton gjithçka që hyn brenda sferës së gjykimit të tij, por edhe një dijetar i thellë dhe stilist i dorës së parë që lexohet me ëndje dhe ofron një gjedh të shkëlqyer të teknikës së të shkruarit, të atillë që nuk e kemi hasur deri më sot tek asnjë prej analistëve dhe studiuesve shqiptarë.

Vladimir Tishmaneanu
“1989. Fundosja e utopisë”
Përktheu: S. Fuchi
Botues “55”
176 faqe
700 lekë

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›