Historiografisë së përdhosur po i vjen koha të spastrohet
Subjekti: Në përgjigje të atyre që kanë në gjen luftën e klasave
Ishte një kohë kur…
Në konferencën e Parë të PKSH-s (mbajtur në Labinot më 17-22 mars 1943), thuajse nga të gjithë u fol për rritjen e ndikimit të B. Kombëtar dhe kërkuan bashkëpunim me të. U fol edhe për një komitet të përbashkët koordinimi. N.Spiru, T. Jakova, K. Themelko, K Ylli e shumë të tjerë folën për bashkëpunim, në Labinot. Komiteti Qarkor i Gjirokastrës u shpreh me parullën “rroftë bashkimi” (maj, 1943). Më 11 prill të ’43-shit u arrit kompromisi ndërmjet B. Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Vetë E. Hoxha kishte thënë: “Në Vlorë nacionalistët e pranonin luftën, qoftë në mënyrë e tyre”. Kjo ishte pika ku mund të bashkoheshin. E.H. flet mirë për Hysni Lepenicën dhe ngarkoi H. Kapon që të vazhdonte bashkëpunimin me ta. (AQSH, F. 14, V. 1943, D.2).
Sot flasin për “pulat” dhe për “kolaboracionizmin” e bërë tërkuzë. Dhe nuk flitet fare për betejën e Gjormit (29. 12. 1942), në të cilën Hysni Lepenica, me 800 fshatarë, ishte komandant. Hysni Kapo kishte, edhe ai, një njësi më të vogël partizane. Në këtë luftë ranë dëshmorë édhe nacionalistë, édhe partizanë. (Por pasMukja nxori vetëm këta të fundit dëshmorë). Në luftë u vra, bashkë me shumë italianë, edhe kolonel Klementi. Armët e përbashkëta iu drejtuan edhe bashkëpunëtorit me forcat italiane, Halil Alisë. (Por historiografia e shformuar vuri, më pas, shenjën e barazimit ndërmjet këtij të fundit dhe luftëtarëve të lirisë, nacionalistë e partizanë, që e luftuan Halil Alinë, siç luftuan edhe okupatorët). Këtu luftoi kundër okupatorit, pranë H. Lepenicës, edhe Skënder Muço me çetën e tij. Veçse që të dy këta u përbaltën pas fillimgushtit të vitit 1943, kur u hodh poshtë, në mënyrë të njëanshme, Konferenca e Mukjes. Luftëra të përbashkëta kundër okupatorit u bënë édhe në Floq (23.01.’43), édhe në Voskopojë (16.01.’43), édhe në Mallakastër (5.02.’43), ku komandanti nacionalist T. Cfiri, luftonte kundër forcave italiane dhe kundër atyre të I. Toskës. Në pranverë të ’43-shit u bënë luftëra të tilla të përbashkëta në Kolonjë, në Selenicë, në Mallakastër, në Mokër, në Devoll, në Postribë, në Leskovik, në Elbasan, në Pezë. Një dokument interesant është ai i AQSH-së, në fondin 18 të v. 1943, në Dosjen 44: Mehmet Shehu i shkruan një letër Besim Belishovës, në të cilën pranon se është bërë luftë e përbashkët, ndonëse Besimi i bën edhe një akuzë: se forcat partizane të Mehmetit kishin bërë sekuestrimin e bagëtive të fshatrave të Mallkastrës! (Kurse nacionalistët përnjolloseshin si pulaxhinj!). Siç mund të vërejë lexuesi, këtu nuk po flasim me slogane, por me dokumente arkivore.
Do të shkonim gjatë po të përmendnim të gjitha betejat e përbashkëta. Le të kursejmë përmasat e një shkrimi duke përmendur, tani, ballistë të tjerë (që cilësohen si nacionalistë), pjesëmarrës në këto luftime kundër okupatorit: Jashar Cakrani, Brahim Çela (rënë në luftë), Safet Butka, Isuf Luzaj, Ismail Agë Petrela, Rexhep Picari, Hasan Lepenica, Shahin Nuredini, Selfo Hekali, Eqrem Peshkëpia, Ali Zeneli, Syrja Vasjari, Hajri Zaçe, Fuat Tefiku, Gani Peqini, Pasho Kolaneci, Drape Vrepcka, Syrja Qafëzezi. Por nuk duan lënë pa përmendur edhe luftëtarët zogistë të Abaz Kupit, në luftë kundër okupatorit (31.07.’43), ku dokumentet përmendin Sulë Kurtin, Bilal Kolën, Lam Memën e të tjerë por, natyrisht, edhe kolonel Muharrem Bajraktarin, në veri. Njësite partizane u ngarkuan të vinin në Lurë për ta vrarë, por nuk e gjetën, M. Bajtaktarin sepse ... ishte duke luftuar kundër gjermanëve! – Dëshmi e M. Myftiut në Pl. e 2-të të Beratit, 23-27 nëntor 1944.
Tani le të shkojmë drejtpërdrejt në Konf. e Mukjes (1-3 gusht 1943), në prag të kapitullimit të Italisë fashiste. Kjo është më e njohur nga lexuesi ynë i zakonshëm. Por ajo që meriton të theksohet është se Thoma Orollogai, me vota unanime (të nacionalistëve dhe të nacionalçlirimtarëve), u zgjodh për të drejtuar punimet e Kuvendit. Në një dokument kam lexuar se fillimisht u zgjodhën më shumë delegatë të nacionalistëve, për shkak të epërsisë së lëvizjes Nacionaliste në shkallë vendi dhe në sajë të shtrirjes së saj, në krahasim me lëvizjen Nacionalçlirimtare, deri në atë kohë. Atëherë dilte objektivisht nga n.çl.-ët kjo e vërtetë: se kolaboracionistët ishin tepër të rrallë. Kjo u tha edhe në Konf.-n e Mukjes. Dokumentet konfirmuese janë të shumta, por nuk mungojnë edhe ditarët: ai i Haki Stërmillit, për shembull (por jo ai i manipuluari!). Këshilli i Përgj. N.çlirimtar e propozoi vetë Thoma Orolloganë si bashkëbisedues në Mukje dhe si kryesues të Kuvendit. Mustafa Gjinishi ishte ndër personalitetet më të shquara në Mukje. Ky i kishte thënë H. Dostit, në një bisedë të lirë, në shtëpinë e R. Jaranit, se influencë më të madhe në popull kishin nacionalistët. Nacionalçlirimtarët pranuan formulimin e Shqipërisë etnike (me Kosovën), sipas parimeve të Kartës së Atlantikut. Kjo i tërboi emisarët jugosllavë dhe E. Hoxha iu bashkua kokë e këmbë qëndrimit të ri. M. Gjinishi u vra prapa shpine. Dr. Y. Dishnica u persekutua. Besnik Çano e Qeramudin Sulo, dy të rinj nacionalistë që kishin ardhur nga studimet jashtë shtetit për të luftuar okupatorin, tanimë pjesëmarrës në Mukje, u vranë nga D. Mugosha. ( Kishin thënë: “S’ka shqiptarë që nuk e duan Kosovën”). Filloi lufta civile. Terrori komunist u vu në rend të ditës. Nuk reshti as në mbarim të Luftës. Nacionalçlirimtarë të shquar u ekzekutuan (Sh. Beja, E. Tërshana, Dr. O. Nishani, Gj. Kokoshi, R. Dani. . . ). Nuk mjafton: por u quajtën edhe kolaboracionistë! Thoma Orolloganë, që e kishin kërkuar vetë n.çlirimtarët në Mukje, e ekzektutan dhe e quajtën fashist!
Instrumentalizimi i termit “kolaboracionist”
Në Francën e madhe në krahasim me Shqipërinë, De Goli e fali mareshalin Peten, që kishte qenë kryetari i Shtetit nën pushtim. U ekzekutua kryeministri kolaboracionist, Daladieri, shkrimtari Brazilak e pak të tjerë. Kuse te ne u bë kërdia! Numri i “kolaboracionistëve” shqiptarë mundi të sajohej, së paku, i njëzetfishtë, në përqasje me kolaboracionistët francezë, në një vend shumë herë më të madh se ne!
Historiografia nën diktat u përmbys. Ballistët (ose nacionalistët, siç quheshin shpesh) sipas kësaj shpëlarjeje të trurit, nuk e paskëshin luftuar okupatorin! Prandaj u orvatëm, në një pjesë të madhe të këtij shkrimi, që të provonim luftërat e tyre të shumta, të pranuara në atë kohë edhe nga n.çlirimtarët. Tani, duke mos qenë të çliruar nga paragjykimet serboshoviniste, vazhdojnë pa pikë druajtjeje të përdorin shprehjet e D. Mugoshës dhe të M. Popoviçit për të vënë një vijë kufizuese ndërmjet të vrarëve në luftën antifashiste në një anë të kësaj vije dhe “atyre plehrave” (shprehje e P. Majkos), në anën tjetër. Në “Letërkëmbimin tim” shprehet indinjata e shumë të përbuzurve ndaj atyre që nuk e duruan dot zgjedhën sllave, të cilën E. Hoxha dhe lakenjtë e tij e përqafuan me zell të madh, për interesa vetjake, për pushtet absolut. A mund ta quajmë pleh Adi Kasimatin, që la studimet universitare dhe erdhi në Shqipëri për të luftuar okupatorin? Apo ishte i tillë sepse e torturoi dhe e vrau me duart e tij Dushan Mugosha!