E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: "Anëtarësimi në NATO" një premtim i mbajtur

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi të premten se "Shqipëria në NATO" është premtimi i mbajtur ndaj shqiptarëve dhe dëshmia e reformave të guximshme". Kryeparlamentarja Topalli përshëndeti paraditen e sotme punimet e konferencës së organizuar nga shoqata e Atlantikut të Veriut "NATO - 60 vjet në të mirë të sigurisë ndërkombëtare". Znj. Topalli tha se "në 60-vjetorin e saj NATO vjen me mësimin më të vyer për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e saj. Ajo u hap dyert vetëm atyre që duan të ndajnë me të krahas të tjerash edhe vlerën, të jenë jo vetëm konsumues të sigurisë së përbashkët, por edhe kontribues në këtë siguri. E këtë vlerë e ka bërë të veten edhe Shqipëria që në më pak se dy javë bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës së mrekullueshme të sigurisë e lirisë". Duke e cilësuar "një ngjarje kulmore historike", kryetarja e Kuvendit theksoi se "Shqipëria fshin një herë e përgjithmonë nga memoria e saj periudha nënshtrimi në blloqe e traktate famëkeqe, periudha trusnie, vetizolimi e vetasgjësimi. Ne ishim vendi i parë postkomunist që kërkuam anëtarësim në këtë aleancë dhe pavarësisht vështirësive dhe trazirave të pamerituara, për asnjë çast nuk e zbehëm, nuk e braktisëm, por e mbajtëm të shtërnguar fort aspiratën tonë për t’u rikthyer në botën nga e cila forcërisht na kishin ndarë", tha znj. Topalli. Sipas saj "anëtarësimi në NATO shënon një gur miliar për shqiptarët, sepse ata bëhen pjesë e Aleancës, garantë të lirisë dhe së drejtës njerëzore, sepse ata hyjnë në një epokë të re të historisë së tyre me ide, ambicie dhe besim tek e ardhmja". Ajo theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë është dëshmi e vullnetit të paepur politik dhe e përpjekjeve të forta për të kryer reforma të guximshme, për të plotësuar kritere e për të arritur standarte, për të ndryshuar Shqipërinë e imazhin e saj. "Anëtarësimi ynë në komunitetin transatlantik nuk është aspak dhuratë, por është mund, përpjekje, përkushtim nëpërmjet të cilave ne bëmë reforma. Dhe vendet anëtare nuk hezituan të admirojnë dinamizmin e shqiptarëve për të bërë ndryshim dhe nuk kursyen t’i japin pasaportat kualifikuese Shqipërisë, si vend i pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirisë së tregut", tha kryetarja e Kuvendit. "Si anëtare re e NATO-s në Ballkanin Perëndimor Shqipëria bëhet edhe më faktorizuese, edhe më kontribuese në përpjekjet e përbashkëta për të kthyer rajonin tonë më të qëndrueshëm, më të sigurtë, më të paqtë, sikurse ofron më të mirën e saj për një Evropë më të fortë e të begatë", tha znj. Topalli. Në punimet e konferencës së sotme ishin të pranishëm edhe zëvendës ambasadori i SHBA Stephen Cristina, përfaqësues nga Organizata Veri-Atlantike, Kryetari i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, Arian Starova dhe përfaqësues të partive politike shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›