Njeriu që mposhti qeverinë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e ndryshimeve në Ligjin e ashtuquajtur për stimulimin e natalitetit, në adresë të iniciuesit Ismet Fetahu nga Gostivari kanë arritur shumë urime dhe lëvdata. Qytetar i rëndomtë, jurist për nga profesioni. Për vite të tëra është mjaftuar me punën e nëpunësit të disa institucioneve qendrore në nivel lokal, ndërsa dhjetë vitet e fundit ushtron rolin e sekretarit teknik në Ndërmarrjen publike të tokës ndërtimore "Gostivar" në Gostivar. Fetahu thotë se, i nisur nga motive humane, iniciativën për kushtetutshmërinë e Ligjit deri te Gjykata Kushtetuese e ka ngritur më 19 gusht të vitit të kaluar, në ditën kur është shpallur në Gazetën Zyrtare. "Me bindjen më të thellë se ky ligj është diskriminues dhe si i tillë i pabarabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, ngrita iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese për vlerësimin kushtetues të këtij ligji", thekson Fetahu. Ai sqaron se edhe pse iniciativa është ngritur në gusht, nga ana e Gjykatës Kushtetuese me anë të shkresës, më 16 dhjetor i është rekomanduar që nëse dëshiron të procedohet iniciativa e tij, fletëparaqitja duhet të ketë edhe nënshkrimin e tij. Duke respektuar afatet ligjore, më 17 dhjetor ai ka përsëritur fletëparaqitjen deri te Gjykata Kushtetuese me nënshkrimin e nevojshëm. "Motivi që më shtyri të ndërmarr një iniciativë të tillë është thjeshtë njerëzor dhe human. Ligji i propozuar nga Qeveria dhe i miratuar nga Parlamenti, ishte thjesht ligj racist dhe jashtë normave kushtetuese. Linte pa përfshirë mbi një të tretën e popullatës së Maqedonisë. Si i tillë, ligji paraqiste formulën e standardeve të dyfishta, paraqiste dallime mes qytetarëve të Maqedonisë, gjë që bie ndesh me ligjet, Kushtetutën por edhe preambulën e shtetit, ku thuhet se të gjithë qytetarët e Maqedonisë kanë trajtim të njëjtë dhe të barabartë. Ligji si i tillë favorizonte vetëm nënat maqedonase, ndërkaq nënat shqiptare dhe vendbanimet ku banojnë shqiptarët ishin të përjashtuara nga loja", thekson juristi Fetahu. Iniciativa të ngjashme deri te Gjykata Kushtetuese paraqitën edhe lëvizja qytetare "Zgjohu" dhe tre deputete të PDSH-së.
Ndryshe, shfuqizimi i neneve të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve i propozuar nga Qeveria parashikonte kompensim në të holla për të gjitha nënat që do të lindin fëmijë në zonat ku rritja e natalitetit është nën 2.1 promilë, që përjashtonte vendbanimet shqiptare. Ndërkohë, zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Jugosllav Milenkoviç, ditë më parë informoi se në ndryshimin e ligjit që ka hyrë në fuqi prej këtij fillimviti, ka ndikuar iniciativa e një qytetari nga Gostivari, Ismet Fetahi, më 17 dhjetor të vitit 2008, iniciativë kjo që ka qenë më e përmbajtur nga të tjerat.