E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq/ Në Korçë dëbora bllokon lëvizjen

Reshjet e dëborës që ranë pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së sotme kanë vështirësuar së tepërmi qarkullimin e mjeteve në akset rrugore rurale të rajonit juglindor të Korçës, ndërkohë që situata e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike paraqitet normale.Dhori Çekrezi, përgjegjës për sektorin e emergjencave civile në prefekturën e Korçës bëri të ditur se "trashësia e dëborës në zonat malore ka arritur rreth 40 cm". Sipas tij, nga dëbora janë bllokuar disa akse rrugore rurale si Voskopojë-Lekas, ai që lidh qendrën e komunës Vithkuq me fshtarat Shtyllë dhe Panarit si dhe rruga për në fshatin Dardhë. "Fshtra të bllokuar nga reshjtet e dëborës ka edhe në rrethin e Pogradecit, në zonën e Mokrës, por edhe komuna Çlirim në rethin e Kolonjës, informoi z. Çekrezi, duke shtuar se "problematike ka qënë lëvizja e automjeteve në Qafën e Qarrit, midis rretheve Korçë dhe Kolonjë, si dhe në Qafën e Zvezdës për në drejtim të komunës së Liqenasit". Më shumë se 10 mjete borëpastruese të ndërmarrjes së rrugëve nacionale dhe firmave private që kanë fituar të drejtën për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë periudhës së dimrit kanë punuar për të mbajtur të hapur akset kryesore rrugore të rajonit të Korçës. Ndërkaq, burime të drejtorisë arsimore të rrethit bënë të ditur se reshjet e dëborës nuk kanë penguar zhvillimin e procesit mësimor./f.h/

Edhe rruga Tiranë-Elbasan e bllokuar nga dëbora

Reshjet e dëborës që nisën paraditen e sotme në rajonin e Elbasanit, kanë bllokuar thuajse tërësisht qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Elbasan- Tiranë, në vendin e quajtur Qafë Krrabë, ku trashësia e borës arrin në 40 centimetra. "Policia e qarkullimit rrugor ka ndaluar qarkullimin nga Ura e Kushës deri në Tiranë duke i detyruar drejtuesit e mjeteve që të udhëtojnë nga rruga nacionale Elbasan- Durrës drejt Tiranës", tha  shefi i shtabit të emergjencave pranë Prefekturës së Elbasanit, Mustafa Arapi. Sipasi tij, aktualisht në këtë aks rrugor ndodhen efektiva të policisë si dhe një borëpastruese që po punon për të normalizuar situatën. Mësohet se situata në akset e tjera kryesore të rajonit të Elbasanit paraqitet normale.

Olli: Situata është nën kontroll

Megjithëse reshjet e dëborës dhe moti i keq kanë përfshirë gati të gjithë territorin e vendit, Drejtorisë e Përgjithshme e Rrugëve garanton se ka marrë të gjitha masat për mbajtjen e situatës në kontroll dhe normalizimin e saj. Sipas DPRR në rrethin e Kukësit trashësia e dëborës ka arritur në 10 cm. Në këtë qytet bie borë në pjesën Kalimash-Qafë Shtamë-Qafë Shllak. Era e fortë dhe e ftohtë ka shkaktuar ngricë në rrugë. Sipas DPRR, aksi është i kalueshëm. Vazhdon shpërndarja e kripës dhe skorjeve në gjithë gjatësinë e rrugës. Sa i përket zonës së Tropojës, mund të thuhet se nuk ka problem në qarkullim, edhe pse trashësia e dëborës ka arritur në 30 cm. Ndërkohë që reshjet e dëborës vazhdojnë të bien. Në Dibër, në segmentin rrugor Burrel-Bulqizë këshillohet përdorimi i zinxhirëve pasi trashësia e dëborës ka arritur në mbi 30 cm. Në Tiranë e Elbasan, në km 29 të aksit Tiranë-Qafë-Krrabë-Elbasan trashësia e dëborës arrin në 20 cm. Vështirësi në këtë aks krijohet nga shkarjet e dherave. DPRR garanton se mjetet janë në gadishmëri për të mbajtur aksin të kalueshëm. Sa i përketë qytetit të Vlorës, mund të thuhet se ka borë në Qafë-Llogara. Është punuar me borëpastruese dhe aksi aktualisht është i kalueshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›