E Diel, 1 Nëntor 2026

“Media shtrembëroi përparimin në sektorin e drejtësisë, bashkëpunimi shumë i mirë me Ministrinë e Drejtësisë”

EURALIUS, hedh poshtë shtrembërimet, e mediave për një raport për drejtësinë në Shqipëri

TIRANE - Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS), ka hedhur poshtë si të pavërtetat, të pasakta dhe të shtrembëruara, disa informacione të mediave, të cilat pretendon se i referoheshin nja raporti për drejtësinë, të dalë nga ky mision
“Informacioni në media i datës 19 mars 2009 mbi disa pjesë të raportit japin një pamje të pasaktë dhe të shtrembëruar të përmbajtjes së raportit dhe të përparimit në sektorin e drejtësisë”, thuhej dje në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga EURALIUS-i.
Duke sqaruar faktin se këtë javë ky mision nxori raportin gjysmë-vjetor mbi ecurinë e projektit në gjashtë muajt e fundit, EURALIUS në njoftimin e djeshëm për shtyp, evidentonte edhe bashkëpunimin  emirë me Ministrinë e Drejtësisë dhe faktorët e tjerë.
“EURALIUS-i vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë dhe intensiv me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorët e tjerë në fushën e drejtësisë. Misioni theksoi, ndër të tjera, arritjet si ligjin e ri për ngritjen e një sistemi ekzekutimi me përmbarues privatë, si dhe prezantimin e shërbimit të provës në Shqipëri, duke mundësuar një përdorim më të gjerë të masave alternative kundrejt dënimit me burgim. EURALIUS-i u rikujtoi aktorëve që finalizimi dhe paraqitja e një projekti për një Ligj të ri të Konferencës Gjyqësore Kombëtare do të ishte urgjentisht e nevojshme pas shfuqizimit së fundi të ligjit të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese. Misioni gjithashtu tërhoqi vëmendjen e aktorëve për rëndësinë e miratimit të shpejtë të projekt ligjit për Gjykatat Administrative, që tashmë është duke u shqyrtuar në parlament”, sqaronte dje Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS) në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›